Besa nuk fiton në shtëpi, Teuta shënon golin e parë

Me barazimin 1-1 kundër Teutës në Kavajë, duket se Besa nuk di të fitojë në shtëpi, kur në tri përballjet e këtij sezoni ka mundur të barazojë dy ndeshje e të humbasë një.
Teuta shënoi golin e parë në pesë javë kampionat, por falë një autogoli të mbrojtësit të kavajasve Erion Xhafa, i cili devijoi një goditje të Emiliano Vilës në minutën e 55-të.
Trajneri Ilir Daja, i cili zëvendësoi Iljaz Haxhinë pas barazimit me Dinamon, nuk ka mundur të zgjojë nga gjumi skuadrën e shumëpaguar nga presidenti kavajas Bizhdili.
Vlonjati Artan Sakaj me një goditje nga larg shënoi golin e vetëm të Besës në mnutën e 43-të, duke mbyllur pjesën e parë me rezultatin 1-0, e duke dhënë shpresë për fitoren e dytë sezonale të skuadrës që arriti të kalojë një tur në Kupën Intertoto, por që këtë sezon po shfaqet shumë e zbehtë.
Largimi i dy sulmuesve, Parid Xhihanit në Ukrianë (5 gola me Zorjan) e shqiptarit nga Maqedonia, Artim Shaqiri në Azerbajxhan, e ka dëmtuar shumë vijën e parë të Besës, teksa ish-sulmuesi i Partizanit, Arbër Abilaliaj e rikthimi i Bekim Kulit, nuk po duken dhe aq produktivë.
Teuta pati edhe një rast shumë të mirë në minutën e 79-të, kur talenti Dosti dha një asist për Vilën, por topi i goditur nga ky i fundi kaloi ngjitur me shtyllën e portës së mbrojtur nga Zendeli.
Përfundimisht, trajneri Ilir Daja pas dështimit një javë më parë kundër Shkumbinit (1-0), takim i shoqëruar me incidente në dhomat e zhveshjes, nuk po gjen dot formulën e suksesit, që e shoqëroi te Elbasani e Dinamo, skuadra me të cilat fitoi dy tituj kampionë në tre sezonet e fundit.
Trajneri Sulejman Starova arriti barazimin e tretë rresht me skuadrat e elitës së futbollit shqiptar, Dinamon, Partizanin e Besën, teksa ka humbur me rezultat të ngushtë 1-0 me kryesuesen e kampionatit, Tiranën e Shkumbinin në shtëpinë e këtij të fundit.
Në javën e 6-të, Besa do të udhëtojë në Elbasan, ndërsa Teuta do të presë në "Tofik Jashari", Apoloninë.
KATEGORIA SUPERIORE
JAVA 5
27.09.2008
Tirana-Flamurtari 3-1
Shenues: Memelli 16', 58' 61'
Besa-Teuta 1-1
Shenues: Sakaj 43'/ Xhafa 55' (aut)
Lushnja-Dinamo 1-2
Shenues: / Jusufi 7', Plaku 85'