Besa rehabiliton Laçin, i jep një shans Tiranës
është Besa “strumbullari” i javës së 30 të kampionatit shqiptar të futbollit në Kategorinë Superiore, ndeshje të cilat janë luajtur të gjithë pasditen e djeshme. Në të gjashta takimet e zhvilluara, surpriza e vetme duket se ka qenë pikërisht fitorja e kavajasve të Shpëtim Duros në Laç, kjo jo vetëm për faktin se triumfoi ndaj një rivali direkt për vendin e dytë, por edhe sepse humbja e laçianëve ka qenë një shans për Tiranën, e cila falë fitores 1-0 ndaj Gramozit ka rimarrë vendin e tretë në tabelën e klasifikimit. Humbja e Laçit në shtëpi ndaj Besës ishte vërtet surprizë, pasi erdhi pikërisht në momentin më të mirë të tij, kur vetëm pak ditë më parë kishte mundur Tiranën brenda në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. Në këtë mënyrë, skuadra e Stavri Nicës tregon se nuk e mban dot presionin në këtë luftë të ashpër për të zënë një vend mes skuadrave shqiptare që do të luajnë në edicionin e radhës në Europa League. Një gjë e tillë u duk qartë në dy ndeshje mjaft përcaktuese në këtë drejtim, ndaj Shkumbinit dhe Besës në Laç, ku mund të kishte hedhur atë hapin e madh drejt vendit të dytë tashmë, jo të diskutonte vendin e tretë. Me peqinasit barazoi 0-0, para tri javësh, ndërsa me Besën u mund 1-0, duke e lënë të hapur luftën për të marrë pjesë në Kupat e Europës, pavarësisht se ka bërë hapa fals në momentet më decizive. Nga ana e saj, Besa e Kavajës ka marrë më shumë se çka menduar në këtë transfertë, ku historikisht nuk ka fituar dot, duke e garantuar në njëfarë mënyre vendin e dytë të klasifikimit. Një gol i Dragushës, shënuar me kokë në pjesën e dytë, ka ndëshkuar euforinë e kurbinasve, ndërkohë që u ka dhuruar 3 pikët kavajase, e cila pret në kushte komode ndeshjen e javës së ardhshme në Kavajë sfidanten më të afërt, Tiranën. Një sfidë që mund t’i japë Besës përfundimisht vendin e dytë, nëse fiton, dhe e kundërta, mund ta hapë luftën për këtë pozicion në klasifikim, nëse bardheblutë marrin 3 pikët. Vetë Tirana ka bërë detyrat e shtëpisë, pa shkëlqim dhe pa histori, teksa ka mundur minimalisht 1-0 Gramozin e rënë tashmë në një kategori më poshtë. Një gol i të riut Hajdari u ka mjaftuar 24 herë kampionëve të vendit, që janë rikthyer sërish në vendin e tretë, duke ia rrëmbyer këtë pozicion shumë shpejt Laçit. Një gol i Mustafajt i ka dhënë fitoren Shkumbinit, që ruan pozitat komode në mesin e klasifikimit, duke pritur i qetë fundin e garës. Ashtu sikurse po pret edhe Dinamo trofeun, për ta ngritur në duar për herë të 18 në historikun e vet. Kurioziteti: në pesë ndeshje gjatë këtij sezoni, 3 në kampionat dhe 2 në Kupën e Shqipërisë, Shkumbini ka fituar katër takime, Dinamo vetëm 1 (në kampionat).
#