E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtatë luftojnë për të mos rënë nga Kategoria e Parë

Mbijetesa

Rezultatet e javës së 30 ndezin luftën për të mos rënë nga kategoria, kur duhen edhe tri javë nga mbyllja e sezonit. Shikohen të përfshira 7 skuadra (përjashto Gramozin që zyrtarisht do ta luajë sezonin e ardhshëm në Kategorinë e Parë), nga Shkumbini i vendit të katërt (42 pikë) deri te Kastrioti (36 pikë). Një fitore me shumë vlera ka marrë Apolonia, e cila ka përmbysur epërsinë e krutanëve të arritur në pjesën e parë, falë një goli të shënuar nga Pema. Dy herë ka realizuar sulmuesi serbo-boshnjak i Apolonisë, Bërkiç, i cili u ka dhënë fitoren të tijve, por njëkohësisht është ngjitur edhe në krye të listës së golashënuesve të Superiores, me 15 gola. Duke qenë se bëhej fjalë për një sfidë me një rival direkt për mbijetesë, Apolonia ka marrë 3 pikë mjaft decizive, që e barazojnë në renditjen aktuale me Skënderbeun, ndërsa krutanët fundosen në vendin e 11. Zhgënjim për Teutën ishte barazimi 0-0 me Skënderbeun në “Niko Dovana”. Durrsakët vijojnë të mbeten në zonën e ftohtë. Korçarët kanë mbetur të kënaqur me pikën në transfertë, ndërsa “djemtë e detit” kanë bërë një hap fals. Në zonën e rrezikut është ende edhe Vllaznia, e cila mezi ka barazuar 1-1 në “Loro Boriçi” me Flamurtarin. Të parët kanë kaluar në epërsi miqtë, me anë të Memellit në minutën e 13, ndërsa ka barazuar në pjesën e dytë Shtupina. Shkodranët kanë një ndeshje me Gramozin aspak të motivuar, ku mund të llogarisin 3 pikë, por situata është e vështirës gjithsesi për tri ndeshjet e mbetura.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›