Besa shqiptare, bardh e zi
“Ti je në besën time dhe unë do të jap jetën për të të mbrojtur ty”. Kush e bënë këtë? Askush tjetër përveçse një familjeje shqiptare, për nder të traditës së trashëguar, virtytit që karakterizon identitetin, ajo është “besa”. Ky është konstatimi i fotografit të arteve të bukura, Norman H. Gersham i cili në bashkëpunim me shoqatën Shqipëri – Izrael ka hapur dje një ekspozitë në Galerinë Kombëtare të Arteve. “Besa: Shqiptarët të cilët shpëtuan hebrenjtë gjatë luftës së Dytë Botërore”, ka preferuar ai ta titullojë meqenëse në fokusin e kësaj ekspozite ka varur 70 fotografitë e familjeve shqiptare që së pari kanë rrezikuar jetën e tyre për të shpëtuar gjahun hitlerian, hebrenjtë, pas Luftës së Dytë Botërore, në nder të besës. Pasi ka parë 35 fotografitë e familjeve shqiptare të dekoruara në muzeun e Holokaustit në Yad Vashem në Izrael, gjesti human dhe arsyeja e vërtetë që i ka shtyrë ata të rriskojnë ka impresionuar fotografin Gersham për ta shprehur më së miri në ekspozitë. I janë dashur rreth katër vjet kërkime për t’i takuar ata derë më derë, pavarësisht vështirësive gjeografike apo mungesës së kontakteve, për një qëllim të vetëm. Realizimin e fotografive bardh e zi, përmes së cilave, sipas tij, transmeton edhe një pasqyrim të shpirtit të njeriut.
Aktualisht po punohet edhe për realizmin e një filmi dokumentar, “Myslimanët që shpëtuan hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore”, i cili pritet të dalë në fillim të vitit 2009 së bashku me një libër fotografie të botuar nga Syracuse University Press. Për herë të parë kjo ekspozitë është hapur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në fillim të vitit 2008, ndërkohë që shëtit nëpër galeritë e ndryshme ndërkombëtare.
Një ekspozitë për shqiptarët të cilët shpëtuan hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore, pasi ka shëtitur në disa muze të ndryshme të botës. Çfarë do të na tregonit mbi këtë punë?
Kjo është një ekspozitë e cila përmban 70 fotografi, të gjitha bardh e zi. Pas rreth katër vitesh udhëtim nëpër Shqipëri, Kosovë dhe Mal të zi në kërkim të familjeve që kanë shpëtuar hebrenjtë gjatë asaj periudhe, po hapim këtë ekspozitë. Në fakt, në muzeun e Holokaustit në Yad Vashem në Izrael, janë të paraqitura portretet e 35 familjeve shqiptare të dekoruara për shkak se kanë qenë ata shpëtimtarët e shumë njerëzve hebrenj, në atë periudhë. Veç këtyre, gjatë qëndrimit në Yad Vashem kam kontaktuar edhe me zotin Petrit Zorba i cili është drejtori i shoqatës Shqipëri-Izrael, ku na tregon se ka edhe shumë të tjera familje të padekoruara, që kanë ndihmuar këtë popullsi. Ata nuk janë dekoruar sepse kanë humbur kontaktet, kanë marrë emra myslimanësh, çështje dokumentacionesh apo arsye të tjera të kësaj natyre. Ishte shoqata ajo që më ka ndihmuar për të më prezantuar me 35 familjet e shpërndara në të gjitha zonat e Shqipërisë. Nuk ishte shumë e lehtë, por megjithatë kjo pjesë e vështirë e bën edhe më të bukur këtë ekspozitë.
Regjistrimi i një kulture shumë të rëndësishme në botë, kultura shqiptare, është ajo e ndihmës së njerëzve në nevojë. Por në të njëjtën kohë, është bërë e mundur edhe integrimi i një tjetër kulture, ajo është besa, e cila është kaq domethënëse dhe kaq e bukur. Besa, vlera e shqiptarëve është shumë unike për botën. Madje, mesazhi që unë transmetoj në këtë rast është: Mësojeni këtë traditë, aplikojeni atë si pjesë tuajën. Është ajo që ne e admirojmë, besa.
Ju thatë që besa është unike. Çfarë vlerash shikoni tek ky virtyt?
Ideja e të mbrojturit të huajt, duke rrezikuar jetën tënde nuk ekziston asgjëkund në botë. Thjesht nuk ekziston. Ajo që thuhej në këtë rast nga shqiptarët është” “Ti je në besën time dhe unë do të jap jetën për të të mbrojtur ty”. Kush e bën këtë?
Në një pritje që kam qenë para disa kohësh, Enveri, një shqiptar më ka thënë që ti je në besën e të gjithë shqiptarëve. Që do të thotë se e gjithë Shqipëria do të jepte jetën për ty. Shqiptarët i kanë thënë edhe diçka tjetër. Pse e thekson kaq shumë këtë gjë, pavarësisht nëse je mysliman apo besimtar i një tjetër feje. Besa është kultura jonë, është totalisht unike. Ajo duhet të njihet, por nuk është e njohur akoma.
Edhe pse janë hapur disa ekspozita nëpër botë, ashtu edhe në Shqipëri mbi këtë vlerë nacionale, a mendoni t’i vazhdoni sërish kërkimet mbi familjet shqiptare që kanë mbrojtur popullin hebre pas Luftës së Dytë Botërore?
Natyrisht. Unë do të vazhdoj ta bëj një gjë të tillë. Po të shikoni në ekspozitë ka fotografi që janë të paekspozuara në një libër të veçantë posaçërisht me pamje të ngjashme, sepse i kam gjetur më vonë. Libri është botuar para tre muajsh pasi ka një proces më të gjatë pune. Megjithatë, do të vazhdoj akoma të jem në kërkim të këtyre njerëzve.
Ju keni vizituar përreth katër vjet territoret shqiptare, besoj edhe vështirësitë kanë qenë të shumta, qoftë edhe për shkak të pozitave gjeografike. A mund të na e përshkruani pak këtë udhëtim në kërkim të këtyre njerëzve shpëtimtarë? Çfarë ju ka mbetur në mendje?
(Qesh ) Të shkosh tek këta njerëz nuk është e lehtë. Profesor Apostol Kotani nga shoqata Shqipëri-Izrael, është personi i cili na ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë. Ai mbante një fletore shënimesh me vete, pasi ai është një kronikan i jetës së çifutëve në Shqipëri. Ai i merrte në telefon dhe ndonjëherë na duheshin edhe orë të tëra për t’i gjetur ata. Vështirësia më tepër konsistonte sepse një pjesë prej tyre jetonin nëpër zona malore, në vende vështirësisht për të udhëtuar, por e rëndësishme është se ne arritëm t’i gjenim.
Besa, bashkë me mikpritjen dhe tolerancën fetare janë tri virtytet më të rëndësishme që dallojnë kulturën tonë përtej kufijve, edhe pse sipas jush nuk është shumë e njohur. Gjatë këtij udhëtimi katërvjeçar, si kanë reflektuar realisht tek ju familjet që keni vizituar?
Në fakt, kudo që shkonim menjëherë sapo uleshim, ata na vinin përpara rakinë, frutat, karamelet, e gjithçka tjetër. Por unë nuk pi, e gjithsesi isha i detyruar që të vija rakinë vetëm në buzë, pija shumë pak me qëllim që të respektoja pritjen që na bënin. Kushdo që ishte, shpesh personi më i moshuar i familjes, do të na tregonte historinë që ne kërkonim të dinim. Menjëherë pas kësaj, sigurisht unë u kërkoja t’u bënim edhe fotografinë. Edhe pse nuk jam gazetar, i pyesja ndërkohë më tej, se cila ishte arsyeja që i ka shtyrë këta njerëz për t’i shpëtuar të ardhurit hebrenj. Ishte Kurani në rast se ishin mysliman apo ishte besa vlera që i ka shtyrë ata të shpëtonin jetën e këtij populli apo diçka tjetër.
Dhe cila ishte arsyeja që ju jepnin më së shumti?
Përgjigjet e tyre ishin gjithmonë të ndryshme. Disa përtej tyre në tregonin se ishin partnerë në biznes, kështu që ishte më se normale për ta shpëtuar, dikush na tregonte se shfrytëzonte rastin për të praktikuar fenë e tij përkatëse, dhe pikërisht këta njerëz mund të ishin imamë. Disa të tjerë do të thoshin se çifutët janë kushërinjtë e tyre, disa të tjerë na thoshin që të shpëtosh një jetë do të thotë të shkosh në parajsë ose një pjesë prej tyre ishin të nxitur, pasi sipas tyre, nuk ka Kuran pa besë dhe e anasjella. Po ashtu kemi dëgjuar që për disa të tjerë shtëpia e tyre ishte fillimisht e Zotit, së dyti ishte e mikut, dhe së fundmi është e familjes.
Cila nga përgjigjet e mësipërme ju ka impresionuar më shumë?
Të gjitha përgjigjet më kanë bërë përshtypje. E gjithë kjo është integruar në fenë e tyre gjithashtu. Dhe kjo është bukuria e saj.
Shumë vite më parë, një autore angleze e cila quhej Edith Durham, ka qenë e para që ka bërë të njohur këtë vlerë unike nëpër botë. Ajo ka shkruar një libër rreth virtyteve tona, mes tyre edhe besën. A e keni lexuar këtë libër?
Jo, nuk e njoh, e rrjedhimisht as librin e saj nuk e kam lexuar.
Para një viti ju keni hapur edhe një ekspozitë në Nju Jork me fotografi të kësaj natyre. Si është pritur nga qarqet shqiptare dhe ato amerikane?
Duhet të kuptojmë që kjo ishte një ekspozitë e myslimanëve të dekoruar dhe mendimet që merrja ishin shumë të ndryshme. Shumica e tyre ishin mjaft të favorshme dhe të mira. Por kishte edhe nga ata që thoshin: “Çfarë është kjo gjë?” Dhe këta ishin shqiptarë. Po ashtu të tjerët do thoshin që kanë qenë arabët ata që më kishin frymëzuar etj.
Pamjet e fotografive të ekspozuara janë vetëm “bardh e zi”. Pse?
Nuk arrij t’i intensifikoj ngjyrat. Kam zgjedhur ngjyrat bardh dhe zi, sepse për mua këta janë aksesorë për të nxjerrë shpirtin e njeriut. Janë foto nën dritën natyrale, pra janë të realizuara me zemër.