Besian Idrizaj, gati për Shqipërinë
Besian Idrizaj është shprehur i gatshëm të bëhet pjesë e Kombëtares shqiptare. Sulmuesi, i cili ka qenë pjesë e Liverpulit, e që tashmë militon në çempionshipin anglez (kategoria e dytë) me Suansi Sitin, ka pranuar të bëhet pjesë e skuadrës për eliminatoret e Euro 2012. Sot në Federatën e Futbollit do të zhvillohet një bisedë ndërmjet krerëve të këtij institucioni dhe njerëzve që kanë hyrë si ndërmjetës që kjo dëshirë e 22-vjeçarit të realizohet në terma afatshkurtër.
Në prag të kualifikueseve kontinentale, trajneri Josip Kuzhe po vazhdon punën për të krijuar grupin e lojtarëve që do të përfaqësojë vendin tonë në Europian. Një prej detyrave të kroatit është edhe rinovimi i skuadrës, duke ndërthurur eksperiencën e Beqajt, Lalës, Skelës, Bogdanit apo Duros me të rinj të talentuar, të cilët do të shndërrohen në elementë të rëndësishëm të së ardhmes. Reparti që duket se nuk do të vuajë nga “kalimi i stafetës” duket se do të jetë sulmi. Përveç Kapllanit e Salihit që janë pjesë e rëndësishme e fazës ofensive, por edhe Elis Bakajt, i cili është i përhershëm në skuadër, kandidatët nuk mungojnë. Ahmed Januzi, i cili pret të debutojë në dy miqësoret e ardhshme kundër Malit të Zi (më 25 maj) dhe Andorrës (më 2 qershor), Bekim Balës dhe Edgar Canit, i është shtuar edhe Besian Idrizaj. Lojtari i lindur në Austri, në afërsi të Vjenës nga prindër kosovarë, ka shprehur dëshirën që t’i bashkohet kontingjentit të Kombëtares. Sulmuesi ende nuk ka komunikuar drejtpërdrejt me zyrtarët e FSHF-së, apo me trajnerin Kuzhe, por ia ka komunikuar një fakt të tillë personave që kanë kontakte të forta në “qeverinë” e futbollit. Në harkun e pak orëve, synimi i Idrizajt do t’i transmetohet presidentit Armand Duka, që nga ana e tij do angazhojë drejtuesin e stolit për të menaxhuar situatën. Qëllimi është që 22-vjeçari të ketë sa më shpejtë që të jetë e mundur një shans në përfaqësuese, ndoshta që dy miqësoreve të radhës, të cilat do të luhen në Podgoricë dhe në Tiranë. Afrimi i tij do të ishte mjaft pozitiv për të rritur konkurrencën në sulm, e cila në mënyrë të pashmangshme do të rriste alternativat dhe cilësinë.
Besian Idrizaj ka lindur në Austri më 12 tetor 1987, vetëm pak kilometra larg Vjenës. Klubi i tij i parë ka qenë Admira Linz, ndërsa nga viti 2003 dhe për dy sezone luajti me LASK Linz, ku realizoi 3 gola në 35 ndeshje. Në sezonin 2004-’05 u shpall “Lojtari i Ri më i Mirë” në Austri. Pas një prove të kaluar me sukses, në verën e vitit 2005 u transferua te Liverpuli, por ka qenë i pafat në sezonin e parë me gjigantët anglezë: dëmtimet e shumta nuk e lejuan që të shpaloste të gjithë kualitetin në fushën e lojës. Me ekipin e drejtuar nga Rafa Benitez, Idrizaj ka luajtur vetëm në miqësoren e fazës përgatitore kundër Urekshemit, më 15 korrik 2006, ku u aktivizua për 45 minuta përkrah Kreig Belami. Në vitin 2007 filloi një histori e gjatë huazimesh te Luton, Kristal Palas, Oldham Athletik në çempionship, ndërsa kontrata me Liverpulin përfundoi me huazimin tek austriakët e Uaker Insbruk. Në korrik 2009 sulmuesi firmosi për Bllekbërn Rovers, ku luante me ekipin e dytë, por vetëm pas një muaji ai u transferua te Suansi Siti, skuadër me të cilën vazhdon të përfaqësohet. Ai ka luajtur edhe 12 ndeshje, ku ka realizuar 3 gola për U-21 të Austrisë, por kjo nuk do ta pengojë aktivizimin me Kombëtaren “A” të Shqipërisë.
#