“Besimet fetare nuk e përçanë për asnjë moment kombin shqiptar”
Kryeministri Sali Berisha pret krerët e Bashkësive Islame të Ballkanit
“Nuk janë besimet që i vendosin njerëzit kundra njëri-tjetrit, por politikat që i përdorin si pretekst besimet”, - u tha Kryeministri Berisha kryetarëve të Bashkësive Islame të Ballkanit, në prag të Konferencës të 6-të të tyre që filloi dje në Tirane. Kryeministri Sali Berisha priti kryetarët e Bashkësive Islame të Ballkanit. Kryeministri Berisha theksoi rëndësinë e madhe të dialogut me njëri-tjetrin, nga i cili nuk duhet të lodhet askush, ndërsa veçoi shembullin e Shqipërisë, besimet fetare të së cilës nuk e përçanë për asnjë moment këtë komb. “Edhe Ballkani mund të jepet si shembull në botë për bashkekzistencën paqësore të besimeve fetare”- theksoi Kryeministri Berisha. Kryeministri Berisha u tha kryetarëve të Bashkësive Islame të Ballkanit se homologët e tyre në Tiranë e nisen nga zero ringritjen, pas batërdisë që bëri komunizmi, me prishjen e gjithë infrastrukturës së këtij besimi, e cila sot e rindërtuar tërësisht do të kurorëzohet me xhaminë e madhe të Tiranës. Prof.Dr Mehmet Gormez, kryetar i Komunitetit Mysliman të Turqisë, falenderoi personalisht, në emër të kryetareve të Bashkësive Islame të Ballkanit, Kryeministrin Berisha për mbështetjen e gjithanshme që i ka dhënë komunitetit mysliman, ndërsa u shpreh se mezi prisnin lëvizjen e kamionëve në sheshin e ndërtimit të xhamisë së madhe të Tiranës, të cilën, ai tha se do ta mbështesnin fort. Prof.Dr Gormez tha se e kishin falur namazin një ditë më parë në Shkodër, ku fare pranë xhamisë ishte kisha. Europa ka 300 vjet që nuk e mëson dot këtë leksion që jep Shqipëria për harmoninë fetare, tha ai, i cili shtoi se Kryeministri Berisha ishte me fat që një muaj para zgjedhjeve takonte kaq krerë fetare që luteshin për shëndetin dhe suksesin e tij.