Rama i tregon Vlorës si i kalonte pushimet Familja “Koleka”

Në një retrospektivë të pacipë, Edi Rama u tregoi mbrëmë vlonjatëve si i kalonte pushimet familja “Koleka”, si llastoheshin djemtë e Bllokut dhe si përgatitej brezi tjetër i nomenklaturës komuniste. Fushata e djeshme e nxori Edi Ramën lakuriq para vlonjateve, si pinjollin e metastazave që duan të restaurojnë një sistem ku një kastë e përzgjedhur e enveristëve dhe ramizistëve sundojnë me djersën dhe mundin e të gjithë shqiptarëve
Kreu i PS-së, Edi Rama, u prezantua për herë të dytë si kandidat për deputet, i pari në listën e Qarkut Vlorës. Disa ditë më parë në çeljen e sezonit turistik të Vlorës, kryebashkiaku Shpëtim Gjika e prezantoi kryetarin e Partisë Socialiste si kryesuesi i listës së deputetëve socialistë në këtë qark, duke theksuar në veçanti përkatësin familjare të Edi Ramës më qytetin bregdetar. Në fakt, Edi Rama dje rrëfeu në një mënyrë të pazakontë pushimet verore që kalonte në Vlorë. Padyshim, Edi Rama bënte kujdes të pohonte lidhjen e nënkuptueshme me dajën, vëllain e Anetës, Spiro Koleka, anëtar i byrosë politike të Enver Hoxhës. Në një retrospektivë të pacipë, Edi Rama u tregoi vlonjatëve si i kalonte pushimet familja “Koleka”, si llastoheshin djemtë e Bllokut dhe si përgatitej brezi tjetër i nomenklaturës komuniste. “Para sesa të filloj dua të ndaj me ju diçka familjare. Dua t’ju tregoj disa fotografi lakuriq që nuk i ka parë njeri deri më sot. Në fakt ngaqë nuk kam pasur kohë të merrem dhe me prezantimin, ato lakuriq i paskan hequr, janë fotografi në plazhin e Skelës në vitet 60’, të një kohe kur unë e kisha Vlorën ëndrrën e gjithë vitit dhe kur gjithë viti me kalonte duke shkuar në shkollë për të marrë 10, pasi Aneta më thoshte vetëm po dole me të gjitha 10 mund të bësh pushime në Vlorë”, rrëfente më buzëqeshje Edi Rama.
Megjithatë fushata e djeshme e nxori Edi Ramën lakuriq para vlonjateve, si pinjollin byroist të familjes “Koleka” që duan të restaurojnë një sistem ku një kastë e përzgjedhur e enveristëve dhe ramizistëve sundojnë me djersën dhe mundin e shqiptarëve. Nuk bënte fare përshtypje socialistëve të Vlorës fakti që në krah të Edi Ramës qëndronte krenar Koço Kokëdhima, një ish-sekretar rinie që iu ndërpre karriera në ngjitje vetëm pse erdhi demokracia. Dhe më pas Koçua do të ndërmjetës i njerëzve të Ramiz Alisë për të hapur në mes të kryeqytetit që njihej si gropa e Hajdin Sejdisë. “Me 23 qershor Himara dhe Saranda do votojnë për PS dhe opozitën e bashkuar. Rroftë , fitorja e sigurt e Rilindjes, e së majtës, e frontit të opozitës së udhëhequr nga kryeministri i ri Edi Rama”, u shpreh kandidati Koço Kokëdhima. Ndërkaq Edi Rama me rrëfimin e tij synonte të prekte telat e nostalgjisë të Zonës së Parë operative, Vlorë-Mallakastër, si një ftesë militantëve për t’u bashkuar në një front jakobinësh për të sunduar edhe një herë shqiptarët. Të njëjtën gjë bënte Enveri, i cili fliste “për çorapet e arnuara”, ndërsa jetonte në një parajsë të ndërtuar në skllavërimin e qindra mijë shqiptarëve.