Besimtarët Orthodoksë kremtojnë Ditën e Flamurit, Kryepeshkopi Joan: Atdhedashuria, detyrim shpirtëror

Në Ditën e Pavarësisë, besimtarët e Kishës Orthodhokse kremtojnë me mirënjohje dhe dashuri për atdheun, duke theksuar lidhjen e pandashme mes dashurisë për Perëndinë dhe atdheun.
Në fjalën e tij Kryepeshkopi Joan u ndal tek atdhedashuria si një detyrim shpirtëror dhe një përgjegjësi para Zotit, që duhet shprehur jo vetëm me fjalë, por dhe me vepra konkrete për mirëqenien e kombit.
“E përsërisim vazhdimisht që kemi shumë arsye për ta falënderuar, na ka dhënë një vend të bukur që ka gjithçka. Përgjegjësia jonë është të jemi kujdestarë të mirë, mundohemi ta lulëzojmë e bekojmë këtë vend”, deklaroi Kryepeshkopi Joan. Më shumë Atdhedashuri për t’ju përgjigjur fenomeneve që mundojnë shoqërinë shqiptare në ditët e sotme, ishte gjithashtu në qendër të fjalës së hirësisë së tij.
“Nëse do e bëjmë një vend të mirë, ku njerëzit do jetojnë në paqe, në harmoni padyshim që nuk do largohen shumë njerëz. Nëse ne do jemi kujdestarë të mirë të këtij vendi që na ka besuar perëndia, nuk do ndodhë një largim masiv”, shtoi At Johan Pelushi.
Kjo ditë e shënuar është jo vetëm një arritje historike, por edhe një përgjegjësi që na nxit të punojmë për një Shqipëri të begatë, paqësore dhe të zhvilluar.
“Gëzuar të gjithëve dhe për shumë vjet”, uroi At Johan Pelushi.
Shërbesa të tjera të Dhoksologjisë u zhvilluan përgjatë ditës së Pavarësisë edhe në qytete të tjera të vendit.
/RTSH/