E Diel, 1 Nëntor 2026

Trump ashpërson emigracionin, sulmi ndaj gardës shtyn kufizime të reja për azil e leje qëndrimi

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se do të pezullojë përgjithmonë emigracionin nga vendet e botës së tretë, pas sulmit ku u qëlluan dy pjesëtarë të Gardës Kombëtare në Washington.

Në një postim që nisi me urimin “Gëzuar Ditën e Falënderimeve”, ai tha se nuk do të ketë më përfitime federale për joqytetarët dhe se do të dëbohet çdo person që nuk është, siç u shpreh, “aset i pastër për SHBA-në”. Ende nuk është e qartë si do të zbatohet ky vendim, pasi masa të ngjashme janë rrëzuar më parë në Kongres dhe në gjykata.

Më herët, Trump njoftoi vdekjen e ushtarakes Sarah Beckstrom, e plagosur në sulmin pranë Shtëpisë së Bardhë. Autoritetet dyshojnë se autor i sulmit është Rahmanullah Lakanwal, një shtetas afgan i ardhur në SHBA në vitin 2021 përmes programit të evakuimit.

Lakanwal kishte marrë azil këtë prill dhe kishte punuar me njësi të mbështetura nga CIA gjatë luftës në Afganistan. Ai mbeti i plagosur dhe po kurohet në spital, ndërsa gardisti tjetër, Andrew Wolfe, 24 vjeç, po lufton për jetën. Postimi i Trump shihet si pjesë e fushatës së tij për masa më të ashpra ndaj emigracionit, ku ai i lidh, emigrantët me kriminalitetin dhe rritjen e deficitit.

Presidenti përmendi edhe komunitetin somalez në Minnesota, duke kujtuar se së fundmi ka paralajmëruar heqjen e statusit të mbrojtur për qytetarët nga Somalia. Ai tha se të shtënat në Washington tregojnë se siguria kërkon kontroll të rreptë mbi çdo person që hyn në vend. Pas sulmit, administrata njoftoi pezullimin e përpunimit të kërkesave të shtetasve afganë nga USCIS.

Ndërkohë, Departamenti i Sigurisë Kombëtare paralajmëroi rishikim të rasteve të azilit të miratuara gjatë administratës Biden. Drejtori i USCIS, Joseph Edlow, njoftoi se do të ketë një rishqyrtim të plotë të kartave të gjelbra për shtetas nga vendet e konsideruara të rrezikshme.

/RTSH/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›