Besimtarët katolikë e protestantë festojnë Ringjalljen e Krishtit
Papa Francesko mban meshën e Pashkëve, lutje dhe thirrje për paqe
Ringjallja e Krishtit ne Tirane është kremtuar ne Katedralen e Shën Palit.
Mesha e shenjte e Pashkëve është mbajtur nga klerikët më të lartë të kishës kryesuar nga Imzot Rrok Mirdita.
Në shenjë nderimi e mirënjohjeje ndaj Krishtit i cili besohet se vdiq në kryq si shpagim për mëkatet e njerëzimit për tu ringjallur pas tre ditësh janë kryer ritet e besimit.
Kulmor është çasti kur Kryepiskopi del nga hierorja me qiririn e ndezur, që tregon dritën e Krishtit të Ngjallur, dhe besimtarët afrohen me llambadha nëpër duar për të marrë prej Tij “Dritën prej dritës që nuk perëndon!”.
Pashkët janë momenti më kulminant i krishterimit. Janë thelbi i besimit pasi simbolizojnë ringjalljen e jetës dhe shpresës.
Urimi i Presidentit Nishani
“Pashkët, duke na bërë të ndiejmë pafundësinë, janë prova që Zoti na jep për të na kujtuar se jeta është thelbësisht shpirtërore. Por, mbi të gjitha, Pashkët na kujtojnë Ringjalljen, këtë mrekulli njerëzore dhe qiellore, për të cilën kemi aq nevojë. Në këtë mënyrë, dhe për këto arsye, Pashkët ju sjellin juve dhe të gjithëve Kumtin divin se sakrificat për një jetë të denjë janë një domosdoshmëri që duhet përballuar, pavarësisht nga rrethanat sado të vështira, pavarësisht nga vuajtjet sado të mëdha”, theksohej në urimin e Presidentit Nishani.
Kryeministri Berisha uron në Facebook
Kryeministri Berisha ne rrjetin social facebook ka uruar të gjithë besimtarët katolikë me rastin e festës së Pashkëve. “Mirëmëngjesi të dashur miq! Le t’iu urojmë së bashku të gjithë besimtarëve të krishterë katolik dhe protestant, por dhe të gjithë besimtarëve të Zotit, Gëzuar Pashkët, ditën e shpresës së pashuar dhe të përjetësisë, ditën e ringjalljes së Krishtit, Hyjit që pas kryqëzimit u ringjall për të ndryshuar aq shumë botën dhe moralin e shoqërisë njerëzore”- shkruan kryeministrit Berisha në Facebook, shkruan Berisha.
Mesazhi i kryeparlamentares Topalli
“Për shumë vjet Pashkët!
Pashkët janë festë që na japin forcë për të ecur Përpara. Sot, besimtarët katolik me familjet tyre, me fëmijët tyre do të festojnë ditën e mrekullisë, ditën e triumfit të jetës. Pashkët, në fakt janë simbol i triumfit të besimit. Pashkët janë reflektim për sakrificën e Krishtit. Pashkët janë një premtim që Zoti e risjell çdo pranverë. Fryma e Pashkëve është shpresë, është dashuri, është gëzim i jetës. Në këtë ditë të shenjtë, është koha të shohim vlerat që na bashkojnë, t’i gëzohemi familjeve tona, njerëzve tanë të dashur, fëmijëve tanë e t’u japim atyre bekimin për një jetë sa më të gëzueshme, për një jetë sa më të bukur. Ju uroj të gjithëve, Pashkë të mbushur me gëzim e jetë, bashkë me familjet e fëmijët tuaj. Zoti ju bekoftë të gjithëve ju shqiptarë kudo që jeni!
Miqësisht, Jozefina”.
PDIU mesazh urimi besimtarëve katolikë
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet uron të gjithë besimtarët katolikë dhe protestantë shqiptarë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Diasporë, sikurse dhe të gjithë besimtarët anembanë botës, Gëzuar Pashkët. Në një deklaratë për shtyp, PDIU thekson se simbolika e kësaj dite, është një simbolikë që duhet të na udhëheqë të gjithëve gjatë jetës sonë pasi mesazhi i paqes, harmonisë dhe veprimit në të mirë të të tjerëve është një mesazh që nuk njeh kufij.
Papa Francesko mban meshën e Pashkëve, lutje dhe thirrje për paqe
Papa Francesku ka mbajtur sot meshën e tij të parë të Pashkës që prej zgjedhjes në krye të Vatikanit, në 13 mars. Rreth 100 mijë besimtarë të mbledhur në sheshin e Shën Pjetrit kanë pritur urimet dhe bekimin final të Papës në këtë ditë kremte të rëndësishme.
Ati i shenjtë mbajti edhe fjalimin e njohur të kësaj feste të njohur si “Urbi et Orbi” ose thënë ndryshe “qytetit dhe botës” nga ballkoni i Shën Pjetrit, ku urohen Pashkët në 65 gjuhë të botës, përfshirë dhe gjuhën shqipe.
Në fillim të “Urbi et Orbit” të përgatitur për festën e sotme Papa Francesko iu drejtua popullit me shumë thjeshtësi “Gezuar Pashkët”!
Fjalimin e tij tradicional Papa Francesku përveç lutjeve dhe urimeve për gjithë besimtarët katolike e shfrytëzoi edhe për të bërë thirrje për paqe në Afrikë, Azi dhe Lindjen e Mesme”, mbi të gjitha për Sirinë e dashur”- tha Papa.
Ne kërkojmë Jezusinë e ringjallur, për të kthyer urrejtjen në dashuri, hakmarrjen në falje dhe luftën në paqe”- ka mbyllur fjalimin e tij Papa i ri.
Pas ceremonive festive, Papës do t’i duhet të fillojë me trajtimin e çështjeve më preokupuese aktualisht për Kishën Katolike si burokracia e Vatikanit, e ardhmja e bankës së këtij vendi dhe skandalet me abuzime seksuale.