E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Besimtarët myslimanë festojnë Kurban Bajramin, uron politika: Festë që i kapërcen kufijtë e besimit

Besimtarët mysliman festojnë sot Kurban Bajramin. Urimet nuk kanë munguar as nga politika ku uron më shumë paqe e harmoni mes njerëzve.

Presidenti Meta ka uruar shqiptarët për festën e Kurban Bajramit, duke uruar mirësi e begati në çdo familje shqiptare  

“Gëzuar Kurban Bajramin! Mirësi dhe begati në çdo familje shqiptare! Lutje të pranuara!’, shkruan Meta

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla gjithashtu tha se kjo është festë e mirësisë dhe përkushtimit dhe si e tillë i kapërcen kufijtë e besimit pasi gëzojnë të gjithë.

“Me rastin e festës së Kurban Bajramit, u uroj të gjithë besimtarëve myslimanë shëndet e bekime në familjet e tyre. Kurban Bajrami është tashmë një festë popullore, që i kapërcen kufijtë e besimit dhe të komunitetit mysliman, bashkë me të cilin gëzojnë të gjithë shqiptarët. Mozaiku, respekti dhe harmonia fetare e Shqipërisë dhe shqiptarëve është një mundësi për më shumë gëzime e mirënjohje. Festa e Kurban Bajramit është një shenjë jo vetëm e përkushtimit fetar, por edhe e sakrificës, e mirësisë dhe e devotshmërisë njerëzore. Është një thirrje për respektimin e dinjitetit njerëzor dhe lehtësimin e vuajtjeve të të varfërve, të dobëtëve dhe atyre që kanë më shumë nevojë. Shëndet, gëzime e bekime për të gjithë!”, shkruan Nikolla.

Edhe ministrja e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka ka uruar besimtarët për më shumë begati në familjet e tyre.

‘Gëzuar Kurban Bajramin të gjithë besimtarëve myslimanë! Në këtë ditë të bekuar përkushtimi dhe sakrifice, uroj shëndet, paqe, harmoni dhe begati për ju dhe familjet tuaja!’ shkruan Xhaçka.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka uruar të gjithë besimtarët për Kurban Bajram përmes një foto nga falja e namazit në sheshin ‘Skëndërbej”.

“Gëzuar Kurban Bajramin për gjithë besimtarët myslimanë! Uroj përzemërsisht mirësi, paqe e begati në familjet tuaja! Lutje të pranuara”, shkruan Veliaj.

Besimtarët myslimanë janë uruar edhe nga Ambasada e SHBA-së.

“Në emër të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, iu shprehim urimet më të mira të gjithë atyre që festojnë Kurban Bajramin. Kjo ditë ofron një mundësi për të reflektuar mbi angazhimin tonë të përbashkët për ndërtimin e komuniteteve paqësore dhe të begata. Eid Mubarak”, shkruhet në një postim në Facebook në faqen zyrtare të Ambasadës.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha iu bashkuar urimeve me rastin e festës së Kurban Bajramit.

“Miq, sot besimtarët myslimanë ju urojmë nga zemra, Gëzuar Kurban Bajramin. Së bashku le t’i lutemi Zotit të madh që çdo sakrificë dhe lutje tonë dhe të mbarë shqiptarëve t’ia pranojë dhe të na shpërblejë në mirësi, gëzime, shëndet dhe sukses! Gëzuar”, shkruan Berisha.

Edhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka uruar besimtarët myslimanë me rastin e festës së Kurban Bajramit që të gjejnë qetësi shpirtërore.

“Një nga vlerat më të mëdha që ka populli shqiptar, toleranca fetare. Në këtë ditë të shënuar të besimtarëve myslimanë, dua të uroj popullin shqiptar, që të gjejë qetësinë shpirtërore për të ngritur vlerat. Zoti na krijon mundësinë për të qenë vetvetja, për të mos pasur frikë nga e keqja”, tha Kryemadhi.

Kurse kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ka uruar shqiptarët nga Fieri duke e konsideruar si një festë shumë e rëndësishme e besimit islam.

‘Uroj gjithë besimtarët gëzuar festën e kurban Bajramit. Është një festë shumë e rëndësishme  e besimit islam. Edhe vëmendja jonë shkon te ata që sot janë më në vështirësi, këto janë vlerat që na kujton partia socialiste. Gëzuar të gjithë dhe faleminderit kolegëve të tjerë që ishim në xhaminë e fierit si një simbol të bashkëjetesës ndërfetare këtu në Fier’, tha Balla. 

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›