E Shtunë, 31 Tetor 2026

Besimtarët myslimanë festojnë sot Fiter Bajramin

TIRANE - Fitër Bajrami mbylli sot muajin e shenjtë të Ramazanit, muajin që konsiderohet nga komuniteti mysliman si muaji i mirësisë dhe dashurisë. E gjithë bota islame gjatë këtij muaji fal teravitë dhe thirrjet për lutje dëgjohen nga të gjitha xhamitë e trojeve shqiptare dhe mbarë botës.


Ramazani është muaji i nëntë i vitit, sipas kalendarit të Hixhretit. Ajo që e dallon këtë muaj është agjërimi, të cilin e kryejnë të gjithë besimtarët e botës islame. Në përfundim të këtij muaji një miliardë myslimanët e botës festojnë festën e Eid al-Fitr ose Bajramin e Madh.


Komuniteti mysliman shqiptar, i cili rreth 18 vjet më parë respektonte në mënyrë të fshehtë muajin e shenjtë të Ramazanit, tashmë e mban atë në mënyrë të vullnetshme.


Qëniet njerëzore e njohin agjërimin që nga lashtësia në shumë forma, gjë që dëshmohet edhe në Kuran. Megjithatë nuk ka fakte të cilat përcaktojnë në mënyrë të qartë se në ç'kohë nisi agjërimi për herë të parë. Thuhet se të parët që filluan agjërimin ishin egjiptianët e lashtë, të cilët agjëronin në një mënyrë të veçantë në festat e tyre. Agjërimin e praktikuan edhe kinezët e vjetër. Ata agjëronin sidomos në kohën e luftrave. Këtë rit ata e kishin të përcaktuar në ligjet e fesë së tyre. Edhe indianët kishin ditë dhe forma të caktuara të agjërimit siç shpjegojnë librat e tyre të shenjtë si Brahma, etj. Ata agjëronin zakonisht kur fillonte stina e pranverës ose e vjeshtës. Pasuesit e Budës, banorët e Tibetit dhe persët e vjetër kishin forma të ndryshme të të agjëruarit. Agjërimi është praktikuar edhe në Greqinë e vjetër, në forma të ndryshme, të cilat u morën nga koha e Faraonëve. Përveç librave hyjnorë, Hipokrati, i quajtur dhe babai i Mjekësisë, është i pari që shënoi dhe mblodhi format dhe mënyrat e të agjëruarit. Ai dha mendime sidomos për format e të shëruarit, duke agjëruar e duke shpjeguar dhe shkallët e rezistencës në moshat e ndryshme.


Sipas fesë islame agjërimi përmban në vetvete mjaft cilësi si të mirat materiale, shërimi dhe forcimi i trupit, anën humanitare, por mbi të gjitha qëllimi i agjërimit është arritja e devotshmërisë të të gjithë pjesëtarëve të Islamit, cilësi kjo e cila largon besimtarët prej të ligave. Agjërimi i rikujton besimtarit mysliman gjëndjen e të uriturve të shumtë nëpër botë dhe nevojat që kanë të varfërit, ndërkohë që ngushton enët e të ushqyerit dhe të gjakut të njeriut. Ai që agjeron është një shembull për të tjerët për faktin se ashtu siç lë të ngrënët dhe të pirët, ashtu duhet të lërë dhe të falë dhe ata të cilët e fyejnë duke iu përgjigjur thjesht "Unë jam agjerueshëm". Agjerimi është i lidhur ngushtë me besimin e vërtetë tek Zoti, edukon besimtarin të përjetojë botën tjetër dhe edukon gjithë shoqërinë. Ai që është duke agjëruar në muajin e Ramazanit di se rreth tij e tërë shoqëria agjëron dhe jo vetëm kaq, por një botë e tërë është duke agjëruar.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›