Pri Film Fest në garë me Shqipërinë
Festivali ndërkombëtar i filmit në Prishtinë 22-30 shtator, në konkurrim vetëm dy filma shqiptarë. Premierë absolute "Lindje, Perëndim, Lindje" i Gjergj Xhuvanit.
Festivali ndërkombëtar i filmit në Prishtinë hapet zyrtarisht mbrëmjen e 22 shtatorit me filmin shqiptar në konkurrim "East-West-East", një komedi dramatike, bashkëproduksion Shqipëri-Itali. Regjisori Gjergj Xhuvani, bashkëskenarist me të atin, shkrimtarin Dhimitër Xhuvani, ka bërë një film për vitin e fundit të regjimit, 1990-ën. Një çiklisti kampion i kërkohet që të formojë një ekip për të përfaqësuar Shqipërinë në Tour de France. Por udhëtimi i tyre ndërpritet në Trieste, kur mësojnë se duhet të kthehen në shtëpi, pasi në vendin e tyre kanë nisur trazirat që do të çojnë në rënien e regjimit komunist.
"Lindje, Perëndim, Lindje" ka protagonistë aktorët Ndriçim Xhepa, Helidon Fino, Fation Pustina, Ervin Bejleri, Gentian Hazizi, Lulzim Zeqja, Romir Zalla. Ngjarjet rrjedhin ndërmjet Shqipërisë, Italisë dhe Jugosllavisë. Filmi i Xhuvanit, autor i "Slogans" dhe "I dashur armik", shfaqet premierë absolute në Prishtinë në programin kryesor të festivalit, ku konkurron një tjetër film shqiptar, një bashkëprodhim ndërkombëtar. Është "Koha e Kometës" e regjisorit Fatmir Koçi, i cili kthehet mbas në një kohë të largët, kur luhej me fatin e kufijve të Shqipërisë. Filmi është pritur mirë në Kosovë vitin e kaluar, ndërsa në Festivalin Veror të filmit në Durrës u vlerësua "Filmi më i mirë shqiptar". Protagonistë aktorët Blerim Destani e Masiela Lusha.
Në programin konkurrues janë futur filma që janë projektuar në Festivalin e Durrësit, si për shembull, "I vdekuri dhe i gjalli" i regjisorit kroat Kristian Milic, "Korrigjimi" i regjisorit grek Thanos Anastopoulos, "Shikomë" i Maria Perovic nga Mali i Zi.
Siç shihet, përfaqësimi në konkurrim i kinematografisë shqiptare bëhet me produksione nga Shqipëria.
Në konkurrim për Çmimin "Hyjnesha e artë" janë edhe "Opium War" i regjisorit të njohur nga Afganistani Siddiq Barmaki; "Storm" i Hans Christian Schmidt-it, Gjermani; "Hush your morth" i Tom Tyrwhitt, Britani e Madhe; "Snow" i Aida Begiq, Bosnje-Hercegovina; "I am from Titov Veles" i regjisores maqedonase Teona Strugar Mitevska.
Programi i filmave "Winners" prezanton kinemanë e madhe në një vend të vogël. Janë zgjedhur filma fitues të çmimeve prestigjioze kinematografike si Oscar, Palma e Artë, Luani i Artë etj. "Katin" i Andrzej Wajda-s, "The white ribbon" i austriakut Michael Haneke, "Tre majmunët" i Nuri Bilge Ceylan, "The milk of sorrow" i regjisores peruane Cladia Llosa, fituese e Ariut të Artë në Berlinale 2009.
Nga kategoria "Fituese" është "Man on wire" i regjisorit James Marsh, filmi fitues i Oscar që mbyll festivalin në Teatrin Kombëtar të Prishtinës.
PriFilmFest ka për qëllim të sjellë më të mirën e kinemasë botërore në Prishtinë dhe më të mirën e kinemasë kosovare t'ia bëjë të njohur audiencës ndërkombëtare. Prandaj, në programim "Pre War Cinema" dhe "Post War Cinema", projektohet kinemaja kosovare para dhe e pasluftës. Janë "Era dhe lisi" i Besim Sahatçiut, nga Isa Qosja shfaqen "Proka" dhe "Kukumi", nga Ekrem Kryeziu "Gjurmët e bardha", "Njeriu prej dheu" dhe "Anatema" të regjisorit Agim Sopi, "E kam pas një titull..." të Arben Kastratit etj.
Në këtë program janë përfshirë edhe katër premiera të filmave kosovarë. Tre janë të metrazhit të shkurtët dhe një është i metrazhit të gjatë: "Shneta" i Arsim Halitit, "E kuqja" i Gazmend Nelës, "Kulla e sahatit" i Arzana Krajës dhe "Përtej rrugës" i Ylli Çitakut.
Çmimi "Hyjnesha e artë" jepet për gjashtë kategori: për filmin më të mirë, regjisorin, aktorin, aktoren më të mirë, çmimi special i jurisë dhe çmimi i publikut.