Besnik Mustafaj vlerëson kandidimin e Arben Malajt dhe kritikon ashpër listat e PD, PS, AK dhe FRD
(E PERDITESUAR)- Ish- ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, komentoi për Top Channel listat e paraqitura nga partitë politike.
Fillimisht ai komentoi listën e Aleancës Kuq e Zi duke thënë se tashmë AK është një faktor inekzistent në skenën politike shqiptare.
Mustafaj rezervoi kritika të ashpra edhe për listën e Frymës së Re Demokratike, sidomos për moskandidimin e Aleksandër Biberajt.
FRD ka një mungesë shumë serioze në listat e saj, një nga tre themeluesit e saj, zotin Biberaj. Në listën e Tiranës të FRD mungojnë veriorët, çka është shumë e rëndësishme, pasi 60% e votuesve në këtë qark janë veriorë, tha Mustafaj.
Megjithatë Mustafaj ka vlerësuar shumë listën e Partisë Republikane, duke thënë se ajo do jetë lista e surprizave. Ai tha se në këtë listë janë kandidatë me potencial si Agron Duka dhe Roland Bejko.
Duke folur për listën e Partisë Demokratike, Mustafaj tha: E shoh si problematike në përmbajtje. Lista e Tiranës është e kompozuar në mënyrë problematike. Aty janë të papërfaqësuar demokratët e para 2005-ës.
Së dyti në listën e Tiranës janë njerëz pa asnjë lidhje me PD-në si Asllan Dogjani, Kastriot Islami. Ndërkohë jashtë listës ndodhet Fatos Hoxha që ka mundur Asllan Dogjanin në vitin 2005. Ne kemi bërë luftë për ta mundur Dogjanin.
Ndërsa për listën e Partisë Socialiste, Mustafaj tha: Lista e Partisë Socialiste reflekton arrogancën e zotit Rama, që mendon se njerëzit do të votojnë kundër Sali Berishës.
Mustafaj tha se fenomeni më interesant në këtë fushatë do jetë fenomeni Arben Malaj.
Pak më herët ish- ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, komentoi edhe në Facebook kandidimin e Malajt.
Mustafaj shkruante në Facebook se shembulli i Malajt tregon emancipim në kulturën politike shqiptare.
Sot do të dëshiroja të isha votues në qarkun e Vlorës për të mbështetur Arben Malajn. Vendimi i tij për të dalë i pavarur në këto zgjedhje është një hap që shkon shumë përtej interesit të tij për të vazhduar karrierën. Ky vendim do të përbëjë një shembull emancipues për krejt kulturën politike shqiptare. Të paktën unë kështu e shoh. Fitorja e tij do të tregonte se shoqëria shqiptare po jep shenjat e një pjekurie të domosdoshme për të zgjedhur si përfaqësues njerëz që mendojnë. Boll me kokëtula që vetëm ulin sytë e ngrenë dorën! shkruan Mustafaj./ep