TemA TV/ Berisha: Mos shihni vetëm listën e kandidatëve, por edhe veprat që kam bërë (VIDEO)
Kryeministri Sali Berisha ishte i pranishëm në Urën Vajgurore ku inauguroi një aks rrugor që lidh këtë qytet me fshatrat Pashall dhe Bistrovicë.
Kryeministri ka komentuar edhe listën e kandidatëve për zgjedhjet e 23 qershorit.
Berisha tha se është një listën e shkëlqyer, por tha se në këto zgjedhje ata shkojnë me dy lista, atë të kandidatëve, por edhe të veprave që ka bërë qeveria.
Infrastruktura rrugore dhe punësimi është prioriteti ynë dhe ne në këto zgjedhje në vijmë me dy lista, lista e kandidatëve të shkëlqyer dhe lista e veprave. Do nxisim rritjen ekonomike edhe pse jemi në kohën që ka rritje të ndjeshme, do heqim TVSH për të gjitha makineritë për prodhim që do ketë efekte pozitive, deklaroi kryeministri.
Berisha akuzoi sërish opozitën për pengim të marrjes së statusit të vendit kandidat. Kjo, tha ai, i hoqi Shqipëria qindra milionë euro investime që vendi do të përfitonte nëse do të merrej ky status.
Berisha tha se parlamenti do të mblidhet çdo javë për të mundësuar votimin e ligjeve.
Duke bllokuar statusin dëmtohet çdo shqiptar, dëmtohet qeveria, dëmtohet opozita, dëmtohet Shqipëria. Të njëjtën gjë bënë me vizat, por nuk ia dolën. E përshëndetëm faktin që pas 206 ditëve bllokim, Rama u kujtua se po kryente një vepër të padenjë. E hëna ishte në parlament, shkuam me kënaqësi. Ju e patë, bënë ritin e zakonshëm, sa erdhëm tek ligjet, u ngritën njëri pas tjetrit dhe boshatisën parlamentin. Do mbledhim çdo javë parlamentin, sytë e shqiptarëve janë të drejtuar në atë sallë dhe shqiptarët presin që ne të votojmë ligjet, u shpreh kryeministri Berisha./ep