E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beson në mbijetesë

Samir Ujkani ishte ndër më meritorët që Novara mposhti Interin midis ‘Giuseppe Meazzas’. Pas kësaj fitoreje, portieri i Kombëtares shqiptare beson se Novara do ta sigurojë mbijetesën në Serie A, edhe pse gjendet në vendin e fundit në tabelë.

Samir Ujkani është në qiellin e shtatë, pas pritjeve vendimtare që bëri në triumfin e skuadrës së tij Novara kundër nënkampionit të Italisë, Interit, në ‘Giuseppe Meazzas’ 0:1.

Portieri i Kombëtares shqiptare me shumë modesti e ka thënë se triumfi ndaj Interit ishte fitore e papritur. Megjithëkëtë, vushtrriasi mendon se Novara mori tre pikë të arta me shumë meritë.

“Ishte një fitore e merituar, por e papritur. E papritur sepse luanim jashtë fushës sonë si dhe ndaj një skuadre shumë të madhe. Gjithashtu vinim me një moral të rënë përtokë pas shumë humbjeve. Por, ama ishte një injeksion adrenaline dhe vetëbesimi, ndaj tani ndihem shumë i lumtur”, ka thënë Ujkani.

Pas kësaj fitoreje, Novara ka tubuar 16 pikë, derisa ende gjendet në vendin e fundit të renditjes tabelore në Serie A. Por, gardiani kosovar beson se skuadra nga provinca e Milanos mund të mbijetojë në elitën e futbollit italian.

“Ne kemi cilësinë të mos biem nga Serie A, pavarësisht se renditja është shumë penalizuese për ne. Për momentin jemi disa pikë larg shpëtimit, por momenti është në favorin tonë. Dy tri ndeshjet e ardhshme mund të hapin skenarë të rinj për ne’, ka theksuar ai.

23 vjeçari, i cili është edhe në pronësi të Palermos, tregon se është i pavendosur se çfarë do të bëjë nëse Novara largohet nga elita e futbollit italian.

“Kartoni im është i ndarë mes Novarës dhe Palermos. Dy klubet do të bisedojnë në verë për të përcaktuar pronësinë e kartonit. Unë nuk e kam vendosur personalisht se çfarë do të bëja në këtë rast. Natyrisht që shpresoj shumë të qëndroj në Serinë A me Novarën. Më pas në verë do të jetë koha për të menduar më shumë”, përfundoi ish portieri i klubit belg Anderlecht.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›