Beson në sukses

Sulmuesi i Real Madridit, Karim Benzema beson se ekipi i tij nuk mund të përgatitej më mirë për fillimin e sezonit 2011/12 në La Liga. Reali e shijoi suksesin në Copa del Rey, sezonin që shkoi, por ishte i paaftë ta fitojë kampionatin spanjoll dhe Ligën e Kampionëve, duke mbetur prapa rivalit kryesor, Barcelona, në të dyja rastet.
Sidoqoftë, ‘Los Blancos’ shfaqën formë të hatashme në fazën përgatitore duke i fituar shtatë ndeshje miqësore nga shtatë, duke shënuar 27 gola dhe pësuar vetëm 5. Dhe Benzema, i cili realizoi tetë gola në fazën parasezonale, beson se ky sezon do të jetë i suksesshëm për ekipin nga Santiago Bernabeu.
“Kemi disa objektiva këtë sezon. E shijuam fazën përgatitore, e cila ishte e nivelit të lartë. Do të jetë një kampanjë e gjatë dhe aktive në të gjitha kompeticionet, por do të jetë një vit i madh për ne”, deklaroi sulmuesi francez për të përditshmen spanjolle, ‘AS’.
Benzema po ashtu e preku temën e paraqitjes personale. Ai ndihet në formën optimale për ta ndihmuar Realin drejt rrugës së sukseseve. Përfaqësuesi francez ka punuar fort gjatë kësaj faze, pas dy sezoneve jo dhe aq të pëlqyeshme në Madrid.
“Kam bërë gjithçka që është e mundshme për të qenë i gatshëm për sezonin e ri. Jam në peshën ideale sot, mendja dhe këmbët janë në rrugën e duhur. Kam fituar eksperiencë të madhe që kur iu bashkova Real Madridit dhe po mundohem të vazhdoj me formën që e fitova në pjesën e dytë të sezonit që shkoi”, vazhdoi ish-futbollisti i Olympique Lyon.
Benzema e filloi sezonin e kaluar në bankinë, pas formës së shkëlqyeshme të dyshes Cristiano Ronaldo e Gonzalo Higuain. Por, pas lëndimit serioz të sulmuesit argjentinas, në pjesën e dytë të sezonit të shkuar tregoi formë të mirë, duke realizuar 10 gola në 8 ndeshje.
Me Higuainin e kthyer në formë dhe me arritjen e të riut Jose Maria Callejon, mbetet të shihet se çfarë roli do ta ketë Benzema sezonin që vjen. Edhe trajneri Jose Mourinho ndihet i kënaqur me formën e Benzemës, për të cilin thotë se do të shkëlqejë këtë sezon.