E Diel, 1 Nëntor 2026

Beteja brenda së majtës në Vlorë, Nano: Votoni Arben Malajn, jo përfaqësuesit e rremë që renditen në listat e PS

07-05-2013 / Gazeta 55

Malaj: Mandati im, për të shpëtuar PS-në nga neodiktatorët - PS do ketë fatin e PASOK-ut të Papandreut



Kandidati i pavarur për deputet Arben Malaj ka garantuar sot se do të zhvillojë një fushatë pozitive në Qarkun e Vlorës. I shoqëruar nga ish kreu i PS-së, Fatos Nano, Malaj ka dalë sot në një konferencë për mediat, ku ka prezantuar strategjinë e tij si kandidat i pavarur në Vlorë. Malaj gjithashtu ka theksuar se vendimi për të kandiduar si i pavarur ka qënë mjaft i vështirë  por ka qënë një vendim në shërbim të socialistëve. Ai gjithashtu nuk ka lënë pa sulmuar edhe kreun e PS-së Edi Rama. Malaj tha se ky nuk është fundi i tij politik, por i atyre të cilët i cilësoi si “neodiktatorë”, duke paralajmëruar një fushatë intensive dhe pozitive për të bërë Partinë Socialiste pasi siç tha dhe ai, mandati i tij do jetë në favor të socialistëve. “Dua të falenderoj kolegët që janë në këtë prezantim të shpejtë dhe një falenderim të veçantë për mikun tonë Fatos Nano. Ky është momenti për hapje të një fushate që do jetë intensive dhe me një mesazh pozitiv. Do doja të falenderoja miqtë e mi socialistë që nga viti 1992 deri më sot më kanë mbështetur. PS është mbi gjithçka, por mënyra për t’i shërbyer është e ndryshme. Mbetem një socialist me zemër të madhe që i kam shërbyer me përkushtim PS dhe vendit. Ky është vendim i vështirë, është emocioni i përgjegjësisë dhe së nesërmes. Së bashku të bashkojmë energjitë pozitive që të bëjmë PS fituese. Kemi qenë bashkë për shumë vite dhe do jemi përherë me të njëjtin përkushtim, marrja e vendimit është përgjegjësi që koha do e tregojë. Ky nuk është fundi im në politikë, pasi kam vendosur të dal si kandidat i pavarur. Mendoj që ky do të jetë fundi i neodiktatorëve në politikë”, theksoi Malaj. 



Duke premtuar se do i qendrojë gjithmonë besnik me zemër socialistëve, Malaj dha dhe arsyet e vendimit të tij teksa theksoi se kush ngriti zërin në Partinë Socialiste e nuk u përfshi në listat e saj për zgjedhjet e qershorit. “Jam i bindur se po paguaj çmimin për atë qëndrim që jo vetëm në mënyrë individuale kam mbajtur publikisht . Kam kërkuar të mos bëheshin ndryshimet Kushtetuese dhe nuk i kam votuar. Kam kërkuar të ndërprisnim bojkotin e Parlamentit. Kam protestuar për zvarritjen për 6 vjet të mosrganizimit të FRESSH dhe Forumit të Gruas. Ju e keni parë që shuma nga sta që guxuan që ngritën zërin nuk e kishin emrin në lista. Jam i bindur se vota që do marrim sëbashku do shkojë në favor të socialistëvë. Socialistët në Vlorë kanë marrë 7 mandate. Ne do bëjmë maksiminun për të marrë mandatin e 8-të dhe ta përdorim për të mbështetur Integrimin Evropian dhe për të mbështetur vendin nga kriza e thele që e nisi Berisha dhe e thelloi Rama”, tha Malaj.



Arben Malaj kërkoi nga stafi dhe mbështetësit e tij organizmin e një fushate pozitive dhe larg sulmeve në funksion të integrimit të vendit teksa bëri të qartë se mandatin e tij në Vlorë nuk do e këmbejë për asnjë karrige qeveritare. “Ne duhet të bëjmë fushatë pozitive, pasi kriza do bëhet më e rëndë dhe ne nuk duhet të kopjojmë vendet e tjera, por duhet të përmirësojmë kulturën politike. Na duhet fushatë pozitive se kemi dështuar tre herë në marrjen e statusit kandidat. Na duhet fushatë pozitive dhe garantoj se mandati politik nuk do këmbehet me karrige qeveritare, por do jete deri në fund një mandat politik që do i shërbeje qytetarëve të Vlorës dhe vendit”- theksoi ai. 





Anëtari i kryesisë së PS: Rama ka dashur të më aneksojë që para 2 vitesh – do ketë fatin e PASOK-ut të Papandreut 



Arben Malaj duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve, sqaroi se vendimi i tij për të dalë si kandidat i pavarur në zgjedhjet e 23 qershorit nuk ishte inat, por reagim ndaj mungesës së vlerësimit të kontributit të tij në PS. 



Referuar listës së kandidatëve të PS-së që do garojnë në zgjedhje, Malaj tha se “në thelb të saj është lista e të besuarve të nënshtruar dhe jo e socialistëve të përkushtuar”. Sipas tij, përjashtimi nga listat nuk ishte aspak surprizë, pasi prej dy vitesh ishte përballur me kërcënime të eksponentëve të “neodiktaturës” në parti, për ta larguar nga politika. 



“Vendimi sapo jam njohur me listat. Nuk ishte vendim i marrë në inat, kam pritur të më vlerësohej kontributi dhe më pas jam deklaruar. Në thelb të listës socialistët e nënshtruar jo socialistët e përkushtuar. Rama ka dy vjet që ka dashur të më aneksojë. Vendimi i tij nuk është marrë dje, por ka dy vjet duke mos më lejuar të jem faktor kontribuues në proceset e demokratizimit të partisë. Rama rrezikon të ketë fatin e PASOK në Greqi e partitë e majta në vendet e tjera. Për këtë e kam paralajmëruar”, theksoi Malaj. “Partia Socialiste është mbi gjithçka por mënyra për t’i shërbyer asaj është e ndryshme nga individë të ndryshëm. Vendimi për të kandiduar si i pavarur është i vështirë dhe aspak i lehtë, është emocioni i së nesërmes për ta bërë PS-në fituese dhe të dobishme për sfidat që ka vendi që nuk janë të lehta. Marrja e këtij vendi është ndjenjë përgjegjësie. Mandati im do të jetë në shërbim të socialistëve për ta mbrojtur PS-në nga tendencat neodiktatoriale” tha Malaj. Malaj theksoi gjithashtu se do të bëjë gjithçka që të marrë mandatin e tetë të socialistëve në Vlorë ndërsa premtoi se mandai i tij nuk do të shkëmbehet me asnjë post qeverisës. “Socialistët në Vlorë kanë marrë 7 mandate. Ne do të bëjmë maksimumin që të marrim mandatin e 8-të dhe ta përdorim për të mbështetur integrimin e vendit. I garantoj se mandati im politik nuk do të shkëmbehet me asnjë karrige qeveritare, po do të jetë një mandat në parlament që do ti shërbejë qytetarëve të Vlorës”- tha Malaj.





Fatos Nano: Ja përse mbështes Arben Malajn si kandidat i pavarur në Vlorë




Në mbështetje të Arben Malajt, tashmë i vetëshpallur kandidat i pavarur është edhe lideri historik i së majtës, Fatos Nano. Gjatë kësaj konference për shtyp Nano bëri me dije se janë parimet ato që e shtyjnë të mbështesë Arben Malajn, dhe asnjë interes tjetër. Ky është një mesazh, siç tha Nano për të gjithë ata që duan të bëhen të pavarur nga klanet e politikës. “Ju falenderoj që po ndiqni çuditë që ndodhin, Arben Malaj, kandidat i pavarur i PS, Fatos Nano në mbështetje të një kandidati të pavaruar. Ky është një mesazh që të gjithë të bëhen të pavaruar nga klanet e politikës shqiptare, errësirës, nga klanet e interesave që nuk po arrijnë të bëjnë transparencë. Është i qartë motivi që më sjell në mbështetje dhe në krah të Malajt. Është angazhim parimor, nuk ka asgjë të errët, nuk ka ndonjë interes më të vogël se sa mbrojta e parimeve, standarteve që mund ta nxisin zhvillimin europian të Shqipërisë”, tha Nano.



Nano më tej i bëri thirrje të gjithë socialistëve të Vlorës të votojnë kandidatin e pavarur Arben Malaj, dhe jo përfaqësuesit e rremë që renditen në listat e Partisë Socialiste.



“Ne do bëjmë të pamundurën që kjo fushatë të maksimizojë votat socialiste ndaj kandidatit Malaj. Nëse votat do shkojnë tek Malaj dhe jo tek Kokëdhima kjo është përgjegjësi e Ramës jo e Malajt. Unë jam këtu t’i bëj thirrje socialistëve të Vlorës të votojnë socialistët e denjë. Fenomeni Malaj është një nga më përfaqësuesit e vlerave dhe kontributeve të PS-në 22 vite. Ju ftoj të votoni simbolin Malaj dhe të nxisni të gjithë miqtë t’ju largohen përfaqësuesve të rremë që janë në krye të listave të Ramës”, shtoi Nano.


...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›