E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beteja e Mitrovicës

Dy rivalët e qytetit, Trepça ’89 dhe Trepça do të përballen të dielën në derbin e xhiros së njëmbëdhjetë të Superligës. Duke parë rivalitetin dhe pozitën në tabelë, objektiv i vetëm i të dy ekipeve është fitorja.

Derbi i xhiros së njëmbëdhjetë i Superligës së Kosovës në futboll do të zhvillohet të dielën në stadiumin ‘Riza Lushta’ në Mitrovicë, ku do të përballen dy skuadrat e këtij qyteti – Trepça ’89 dhe Trepça.

Kjo përballje pritet të jetë më e forta për dallim prej dueleve të viteve të fundit, kur ballafaqoheshin mes veti këto dy skuadra. Kjo pasi të dyja ‘Trepçat’ sivjet janë ndër skuadrat më cilësore në vend, andaj interesimi i tifozerisë mitrovicase për ta përcjellë këtë derbi lokal pritet të jetë i madh, ngase pritet të ngjajë rivalitet i madh në fushën e blertë.

Pas humbjes nga Drita në Gjilan, vendasit objektiv të vetëm e kanë fitoren, me të cilën duan ta ruajnë hapin në luftën që iu kanë inkuadruar për vendin e parë.

“Jemi përgatit mjaft mirë dhe me një vullnet të madh. Atmosfera e morali në mesin e ekipit tim është në shkallë të lartë. Futbollistët janë të interesuar t’i fitojnë pikët e plota dhe shpresoj ta arrijmë këtë objektiv, por duhet të jemi shumë të kujdesshëm, ngase Trepça meriton respekt, sepse sivjet është shumë më e fortë”, tha trajneri i 89-shit, Gani Sejdiu.

Por, djelmoshat e tij nuk do ta kenë të lehtë ta arrijnë objektivin, ngase edhe Trepça synon t’i fitojë tri pikët e plota, me të cilat mund t’ia mësyjë titullit të kampionit krahas 89-shit, Prishtinës e Dritës.

“Po e presim në qetësi absolute derbin lokal. Do të luajmë pa presion. Në kësi derbi rezultati nuk mund të parashikohet para kohe. Faktikisht, 89-shi është favorit, kurse përvoja është në anën tonë. Ne duam ta aplikojmë një lojë për me kënaqu publikun mitrovicas, e në saje të saj synojmë ta nxjerrim një rezultat sa më pozitiv”, u shpreh trajneri i gjelbërezinjve, Fidaim Haxhiu.

Po të dielën zhvillohen edhe tri takime tjera të kësaj jave – të gjitha ato prej orës 14:00.

Superliga – Xhiroja e 11-të

E diel

Trepça ’89 – Trepça

Ferronikeli – Vëllaznimi

Hysi – Drenica

Hajvalia – Liria

Të gjitha ndeshjet fillojnë në orën 14:00

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›