E Shtunë, 31 Tetor 2026

I ‘blejnë’ fëmijët

Interpoli dhe FIFA kanë zbuluar një rrjet që për synim ka kurdisjen e ndeshjeve në futboll. Skema e re e korrupsionit përfshin manipulimin e ndeshjeve të skuadrave të grupmoshave të reja prej 14-15 vjeç. Një rast i tillë tashmë ka ndodhur në Kupën e Azisë U-16. Përveç kësaj po hetohen edhe vrasjet ose vetëvrasjet e personave të përfshirë në kurdisje.

Një skemë e re e korrupsionit është zbuluar së fundmi nga Interpoli dhe FIFA, që përfshin pagesa ndaj futbollistëve të rinj, përgjithësisht atyre deri në moshën 15 vjeçare.

Sipas një hetimi të Federatës botërore të Futbollit dhe task-forcave të ngritura për zbulimin e kurdisjes së ndeshjeve në futboll, është mësuar se bastvënësit përpiqen të joshin nëpërmjet parave jo më futbollistët profesionistë, por ata të skuadrave të moshave përgjithësisht 14 dhe 15 vjeç.

Një lëvizje kjo që është bërë si pasojë e pagesave më të ulëta që nevojiten për të korruptuar fëmijët dhe gjithashtu dhe për faktin se është më pak e rrezikshme për manipuluesit.

Gjatë Kupës së Azisë të skuadrave deri në U-16, Interpoli dhe FIFA kanë përgjuar një telefonatë mes një futbollisti të rritur dhe një prej lojtarëve të skuadrave të të rinjve, ku profesionisti përpiqet të bindë futbollistin se në ndeshjet kur është krijuar një avantazh i sigurt në rezultat nga ekipi i tij, ai dhe shokët e tij të skuadrës mund t’i lejojnë dhe ekipit tjetër që të shënojë ndonjë gol, në mënyrë që ndeshja të përfundojë me gola të shumtë.

Në fund djaloshi pranon ofertën, aq sa organizohet dhe një ndeshje e posaçme për një rezultat të fiksuar që më parë. Interpoli pasi ka zbuluar rrënjët e rrjetit në Azi, do të kërkojë të shtrijë hetimin e tij dhe në Evropë, ku mendohet gjithashtu se mund të jenë infektuar skuadrat e të rinjve në disa prej kampionateve të mëdha të kontinentit.

Gjithashtu ka nisur dhe një hetim për vrasjet apo vetëvrasjet e personave të përfshirë në kurdisjen e ndeshjeve, ku aktualisht numërojnë 15 raste. Rasti më i përfolur është ai i Yordan Petrov, 40 vjeçari, përgjegjës për agjencinë e basteve skysport365 në Bullgari, i cili denoncoi manipulimin e një sfide në vendin e tij dhe u qëllua për vdekje nga disa persona të panjohur.

Nuk janë vetëm organizatat mafioze ato që shkaktojnë vdekjen e një njeriu, por ndonjëherë dhe dëshpërimi, si në rastin e një trajneri hungarez, që vrau veten kur mësoi se lojtarët e tij kishin shitur ndeshjen.

Ndërkohë që në Kore janë ende nën shok për vetëvrasjen e dy futbollistëve të rinj të përfshirë nën hetimin e policisë lokale për një shitje ndeshjeje.

Për momentin në vende të ndryshme aziatike kanë filluar të ngrihen task-forca të posaçme për luftimin e këtij fenomeni dhe deri në këto momente rezultatet kanë qenë pozitive, aq sa Interpoli dhe FIFA po përpiqen të bëjnë diçka të tillë dhe në vendet evropiane, të cilat mendohen gjithashtu se janë të infektuara nga virusi i kurdisjes së ndeshjeve, ku të korruptuarit nuk janë vetëm futbollistë profesionistë, por dhe të rinj.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›