Zymeri e Pasoma në Bursaspor

Edhe pse futbolli kosovar vazhdon të mbetet i izoluar, lojtarët që aktivizohen në skuadrat e Superligës po gjejnë rrugë për të realizuar ëndrrat e tyre për të luajtur jashtë vendit.
Portieri Florent Zymeri dhe qendërmbrojtësi Edon Pasoma janë dy anëtarët e Llamkos Kosovës, që nga janari i vitit të ardhshëm do t’i bashkohen ish kampionit të Turqisë, Bursaspor, pasi i kanë bindur në prova drejtuesit e klubit të njohur turk.
Njazi Ejupi, i cili ka ndërmjetësuar kontaktet mes klubit turk dhe dy futbollistëve vushtrrias, ka treguar se Zymeri dhe Pasoma fillimisht do t’i bashkohen ekipit të dytë të Bursas.
“Zymeri e Pasoma i kanë rënë në sy drejtuesve të klubit gjatë një turneu në Ballkanin që organizohet nga Bursa çdo vit, e ku pjesëmarrëse ishte edhe skuadra e të rinjve e Kosovës së Vushtrrisë”, ka treguar Ejupi për Express.
“Drejtuesit e Bursës kërkuan që dy lojtarët t’i çoj në prova. Ata ishin atje javën e kaluar dhe me sukses i kaluan testet”, theksoi Ejupi i cili është pronar i fabrikës së konfeksionit Kotex në Vushtrri.
Ejupi tregon se klubi turk ka kërkuar që të dy lojtarët t’i bashkohen menjëherë ekipit të dytë të Bursaportit, mirëpo kjo ka qenë e pamundur pasi 19 vjeçarët kanë kontrata me Llamkos Kosovën.
“Djelmoshat në janar do t’i bashkohen ekipit të ri. Fillimisht do të nënshkruajnë kontratë për gjashtë muaj me mundësi vazhdimi edhe për dy vite tjera nëse tregojnë sukses”, u shpreh Ejupi.
Ai beson se Zymeri dhe Pasoma me talentin e tyre do t’i bindin drejtuesit e Bursas që t’u ofrojnë kontratë afatgjate. Por, nëse kjo nuk ndodh, Ejupi ka opsione tjera.
“Nëse lojtarët nuk arrijnë të depërtojnë në ekipin e parë të Bursas, atëherë unë kam disa klube të Ligës së Parë të Turqisë ku mund t’i çoj aty. Esenca është që për 6 muaj të dytë të forcohen dhe besoj që nuk do të kenë asnjë problem”, u shpreh Ejupi.
Përveç mundësisë që po u ofron lojtarëve kosovarë për të depërtuar në futbollin turk, Ejupi që nga viti 2010 u ka mundësuar ekipeve të të rinjve të Kosovës së Vushtrrisë, Prishtinës dhe Dritës që të marrin pjesë në turneun Ballkanin të Bursas, që organizohet çdo vit nga ky klub.
U provua edhe Prishtina
Së bashku me Zymerin dhe Pasomën në prova te skuadra e Bursasporit ishte edhe Amir Prishtina, anëtar i ekipit U19 të Llamkos Kosovës. Mirëpo, sipas Njazi Ejupit, Prishtina duhet të forcohet edhe pak për të arritur të kalojë te ekipi i dytë i Bursasporit.