Beteja e arsyes me nostalgjinë komuniste
Tensionet politike në vend e kanë sfumuar një debat që zhvillohet çdo vit në këtë periudhë në Shqipëri, në lidhje me festën famëkeqe të 29 Nëntorit.
Ky është një debat që duhet të kishte marrë fund në 2-3 vjet pas rënies së diktaturës. Duke e mbartur me vete për dy dekada, po krijohet përshtypja se shqiptarët nuk janë të aftë të bien dakord për asgjë mes tyre dhe, më e keqja, që janë një komb i cili merret me vogëlsira.
Duhet festuar apo jo 29 Nëntori është vogëlsia më e madhe.
Për arsyen, në fakt, gjërat janë fare të thjeshta.
Në fillim dobia. Përse duhet festa e 29 Nëntorit, nuk kanë shqiptarët (e Shqipërisë) festa të mjaftueshme? Përgjigja: Shqipëria është një ndër vendet e botës që kanë më shumë festa zyrtare në vit. Ky është fakt.
Mos vallë 29 Nëntori është një ditë me rëndësi të tillë në historinë e shqiptarëve saqë ata nuk mund ta zhdukim nga kujtesa kombëtare? Përgjigja, në këtë rast, kërkon sqarim më të zgjatur.
29 Nëntori njihet si Dita e Çlirimit dhe për të kuptojmë rëndësinë e tij duhet të analizojmë konceptin çlirim në kontekstin të cilit i referohemi.
Çlirimi i Shqipërisë nga nazizmi, thuhet, por përse është i rëndësishëm ky çlirim? Si rrodhi jeta e shqiptarëve pas kësaj date që ata duhet ta festojnë atë? Dihet, pas largimit të gjermanëve në Shqipëri erdhën në pushtet komunistët që ndërtuan një regjim gjenocidal, që shkatërruan grupe të tëra njerëzish, që shkatërruan pronën, familjen, individin – vlerat bazike të një shoqërie. Vetë fakti që festohet ende kjo ditë tersmadhe në historinë e Shqipërisë tregon se individi shqiptar – e për pasojë edhe shoqëria – ende nuk është rigjeneruar nga pasojat e shkatërrimit që i bënë komunistët, nuk e ka fituar ende vetëdijen e plotë për të ndarë, me logjikë, të mirën nga e keqja.
Kjo që po ndodh me 29 Nëntorin mund të ilustrohet edhe me një shembull të thjeshtë: është njëlloj sikur një njeri të festojë ditën e lirimit nga internimi, ndërkohë që menjëherë pas kësaj u fut në burg, ku, veç punës së rëndë, mizerjes së jetës së tij, iu shtuan edhe mungesa absolute e lirisë dhe torturat.
Një njeri normal, pa dyshim nuk e ka të lehtë ta fshijë nga kujtesa një ditë të tillë, por, nëse nuk i ndodh diçka më e hidhur në pjesën e mbetur të jetës, ai do ta kujtojë atë si ditën më të keqe saj.
Ajo është thjesht një festë shqiptare e sajuar në Beograd, nën varësinë e të cilit ishin komunistët shqiptarë gjatë luftës, që nuk u bën nder komunistëve shqiptarë që varen vetëm nga ideologjia komuniste dhe jo armiqtë e Shqipërisë. Komunistët shqiptarë duhet të çlirohen nga miti i të ashtuquajturës luftë nacionalçlirimtare.
Lufta e Dytë Botërore ishte një luftë demash, ndërsa Shqipëria një milingonë në sheshin e betejës. Nuk do shumë mend, milingona, edhe nëse e pickon demin, nuk fiton dot terren, nëse ai nuk e lëviz vet këmbën.
Ekzaktësisht kështu ndodhi. Pavarësisht përpjekjeve reale në terren kundër pushtuesit, edhe italianët, edhe gjermanët u larguan nga Shqipëria kur e humbën luftën në vende të tjera, larg Shqipërisë, ndaj kundërshtarëve të tyre të mëdhenj, mes të cilëve Shqipëria nuk bënte pjesë. Kaq e padukshme ishte Shqipëria gjatë Luftës së Dytë Botërore, saqë historia ndërkombëtare nuk njeh si fillim të luftës 7 prillin 1939, kur Italia fashiste zbarkoi në Durrës, por 1 shtatorin kur Gjermania naziste pushtoi Poloninë.
Edhe me fillimin e luftës, komunistët, të cilët na kanë futur në debatin idiot të 29 Nëntorit, nuk kanë asgjë për t’u krenuar.
Qëndresën ndaj pushtimit italian e bënë grupe të vogla atdhetarësh të drejtuar nga ish-oficerë të ushtrisë së mbretërisë. Një pjesë prej tyre, në nëntor 1944, ishin në listat e njerëzve që do të pushkatoheshin nga komunistët dhe u pushkatuan gjatë “çlirimit” të Tiranës.
Komunistët nuk shfaqen asgjëkund në rezistencën kundër italianëve, me përjashtim të teksteve të historisë që shkruan vetë.
Në vitin 1945, Sejfulla Malëshova, një nga importuesit më të parë e më të mëdhenj të ideologjisë komuniste në Shqipëri, botoi librin “Roli i kulturës në Shqipërinë e sotme”. E përmend shpesh luftën në të, si një “fitore që nuk mund të cenohet”, por ndërsa jetonte në Paris, nga shtatori 1939 në shtator 1940, ai i lutej Nolit, në disa letra rresht, për ndonjë “posibilitet” që të shkonte në Amerikë. Flitet në to për dëshirën e tij të shkojë në Amerikë për të “gjallëruar” aty një “lëvizje kombëtare”, por në asnjë rresht të këtyre letrave nuk flitet për lëngimin e Shqipërisë nën pushtimin fashist apo për rezistencë të komunistëve,
sepse s’kishte. Komunistët dhe nazistët bënë marrëveshjen e njohur si Pakti Molotov - Ribentrop, tetor 1939, për mossulmim të njëri-tjetrit. Kur Hitleri e shkeli paktin, Komiterni nxiti gjithë komunistët e Evropës në luftë kundër nazifashizmit, përfshi edhe komunistët shqiptarë. Kjo është e vërteta.
Festimi ose jo i 29 Nëntorit s’ka të bëjë me të vërtetën historike, por me raportet mes emocioneve të nostalgjisë komuniste dhe racionalizmit.
Nëse e festojmë 29 Nëntorin, kjo do të thotë se nostalgjia komuniste është më e fortë; nëse jo, atëherë betejën e ka fituar arsyeja.