E Diel, 1 Nëntor 2026

Beteja e fundit

Për Gjakovën
Dosjen e zgjedhjeve për kryetar të Komunës së Gjakovës, të cilën Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) e ka mbyllur, duke e certifikuar Pal Lekajn si fitues, do ta hapë Gjykata Kushtetuese, të martën, më 9 shkurt.

Të gjitha opsionet janë të hapura. Kushtetuesja, si organ më i lartë gjyqësor në Kosovë, ka mundësi ta zhvlerësojë vendimin e KQZ’së dhe ta anulojë certifikimin e Lekajt. Në këtë mënyrë, KQZ’ja do të detyrohej të rishpallë zgjedhje të reja për këtë komunë.

Lënda e Gjakovës është dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga Mimoza Kusari-Lila, kandidate e AKR’së për kryetare të Gjakovës, në zgjedhjet e nëntorit 2009.

Ajo nuk e njeh rezultatin zgjedhor të certifikuar nga KQZ’ja.

Kusari-Lila thotë se në Gjakovë ka pasur më së shumti shkelje të procesit zgjedhor, krahasuar me të gjitha komunat e tjera.

Ajo ka trokitur në Gjykatën Kushtetuese, pasi një pjesë e konsiderueshme e ankesave të saj, nuk janë aprovuar nga organet kompetente, KZAP dhe Gjykata Supreme.

“Ankesën në Gjykatën Kushtetuese e kemi bërë një ditë pasi e kemi marrë vendimin
e Gjykatës Supreme, mbi procesin zgjedhor në Gjakovë”.

Duke shpjeguar arsyet që e kanë shtyrë t’i drejtohet Gjykatës më të lartë, Kusari - Lila tha se KQZ’ja nuk e ka marrë parasysh ankesën e saj deri në fund dhe ka bërë certifikimin e zgjedhjeve për kryetar komune, pa u shqyrtua të gjitha ankesat.

“Kjo është shkelja e parë. Dhe e dyta, kemi kërkuar prej Gjykatës Kushtetuese më 8 dhjetor të vitit të kaluar, që të vendoset masa e përkohshme e anulimit të zgjedhjeve, për kryetar të Komunës së Gjakovës. Në këtë kërkesë ne nuk kemi marrë përgjigje prej tyre”.

Gjykatësit kushtetues do të dëgjojnë argumentet e KQZ’së dhe KZAP’së, nga njëra anë, dhe në anën tjetër nga Kusari – Lila. Në seancën dëgjuese është ftuar edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Kusari-Lila tha se edhe pse ka këshilltarë juridikë, ka vendosur që personalisht të shkojë në seancë dëgjimore në Gjykatën Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese, sipas Kusari-Lila, e ka të drejtën dhe forcën për ta anuluar certifikimin e kryetarit të Komunës së Gjakovës dhe për ta urdhëruar KQZ’në që të organizojë proces të ri zgjedhor për këtë komunë. Ajo është e gatshme t’i rikthehet garës së re zgjedhore në Gjakovë, e bindur se do të triumfojë.

“Në Gjakovë është mohuar e drejta e qytetarëve për të votuar lirshëm. Prandaj, me një gatishmëri të madhe i kisha hyrë edhe një gare, e bindur se edhe herën e parë kam qenë fituese. Natyrisht, procesi i ri zgjedhor në Gjakovë duhet të bëhet me masa të shtuara edhe të mbikëqyrjes, por edhe me një përkushtim më të madh nga institucionet të cilat i kanë menaxhuar zgjedhjet”.

Ajo thotë se për parregullsitë e denoncuara për rastin e Gjakovës kanë filluar të binden të gjithë, vetëm atëherë kur janë ndeshur dy partitë në pushtet dhe e kanë parë se KQZ’ja dhe KZAP’ja kanë qenë të paafta për ta menaxhuar procesin zgjedhor.

“Duhet potencuar se prej pesëmbëdhjetë anulimeve që janë bërë në nivel të shtetit, tetë kanë qenë vetëm në Gjakovë. Do të thotë, mbi pesëdhjetë për qind të parregullsive në raundin e parë zgjedhor kanë ndodhur vetëm në Gjakovë. Dhe, kjo nuk ka qenë e mjaftueshme për KZAP’në dhe KQZ’në për ta shpallur edhe një raund të votimeve në Gjakovë”, tha ajo, të shtunën për Express.

Kusari-Lila mendon se këto fakte tregojnë më së miri se procesi ka qenë komplet politik, e i cili sipas saj, do të depolitizohen në Gjykatën Kushtetuese.
Në anën tjetër, përfaqësues të AAK’së shprehen të bindur se Gjykata Kushtetuese nuk do të marrë vendim për zgjedhje të reja në Gjakovë.

Burim Ramadani, sekretar i AAK’së, tha se procesi i cili do të fillojë të martën e ardhshme në Gjykatën Kushtetuese është thjesht vetëm një procedurë, të cilën e ka ngritur kundërkandidatja “humbëse”.

“Pal Lekaj është zgjedhur kryetar, është certifikuar. Ka bërë ekipin e vet qeverisës dhe është duke i vazhduar projektet. Kështu që kjo i bie vetëm një mundim në punën e tij”.

Ramadani shprehet i bindur se Gjykata Kushtetuese do ta japë vlerësimin, që sipas tij, është vazhdimi i punës së Pal Lekajt.

“Absolutisht, ne nuk presim që Gjykata Kushtetuese ta anulojë certifikimin e Lekajt. Kjo është një lojë e Mimoza Kusarit, e cila do të dështojë”, tha ai për gazetën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›