Problem, sindikatat paralele

Ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, bashkë me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Sheremet Ahmeti, kanë qenë në hall të madh në kohën kur disa policë kishin filluar të protestojnë, duke shprehur pakënaqësitë e tyre me pagat.
Pajaziti e Ahmeti kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të negociuar në emër të Qeverisë dhe për arritjen e ndonjë marrëveshje me policët grevistë, por nuk kanë ditur se kush vërtet përfaqëson interesat e tyre: Sindikata e Pavarur e Policisë së Kosovës, apo Këshilli Protestues, i formuar ad hoc nga protestuesit.
E Sindikata e Policisë nuk i përkrahte policët protestues.
Në situatë të ngjashme mund të gjendet edhe ministri tjetër i Qeverisë së Kosovës, Alush Gashi, bashkë me drejtorin e Përgjithshëm të QKU`së, Ali Sadriu.
Në rast të ndonjë proteste apo greve urie, Gashi dhe Sadriu do të kenë telashe të mëdha për të menaxhuar situatën, për shkak se brenda punëtorëve shëndetësore të Kosovës, ekzistojnë dy sindikata të ndryshme. Sindikata e Pavarur e Punëtorëve të QKU-së dhe Federata Sindikale e Shëndetësisë së Kosovës.
Edhe në këtë rast, zyrtarët qeveritarë do të kenë problem të bisedojnë me përfaqësues legjitimë, të cilët janë në mbrojte të të drejtave të punëtorëve shëndetësorë.
Këto situata dhe përçarje ndërmjet punëtorëve shëndetësore dhe atyre policorë, sipas Memli Krasniqit, zëdhënës i Qeverisë, kanë shkaktuar mjaft probleme.
Ai thotë për Express se Qeveria e Kosovës, në dy vitet e fundit, ka rritur pagat në secilin sektor brenda mundësive buxhetore që ka pasur.
Krasniqi thotë se Qeveria e Kosovës, çdoherë është e gatshme për dialog sociale me përfaqësuesit legjitimë të sindikatave.
“Kemi problem, punëtorët e tillë nuk po dimë as kush po i përfaqëson. E keni rastin e shëndetësisë. Është një sindikatë dhe një federatë, që thonë “Ne jemi legjitimë, jo ata’. Po ashtu policia. Një vështirësi e shumë e madhe për neve, si pasojë e mosmarrëveshjeve që kanë punëtorët ndërmjet vete”, thotë zëdhënësi i Qeverisë.
Krasniqi thotë se Qeveria e Kosovës ka një bashkëpunim shumë të mirë me Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës.
Sipas tij, prioritet i Qeverisë, më përpara se i sindikatave, është që të miratohet sa më shpejt Ligji për Punën dhe ligjet e tjera që e rregullojnë këtë fushë.
“Prioritetet e tyre janë edhe të tonat. Është në interes të Qeverisë, më shumë se i sindikatave, që të miratohet Ligji për Punën dhe ligjet e tjera relevante që e rregullojnë këto çështje”, thotë ai.
Në kohën kur janë paralajmëruar një sërë protestash dhe grevash urisë nga punëtorë të institucioneve të ndryshme, zyrtarë të Qeverisë nuk kanë përjashtuar mundësinë që punëtorët që kanë paralajmëruar dhe që kanë hyrë në protesta të jenë të ndikuar nga partitë opozitare.
“Ne bëjmë thirrje që partitë politike mos të përzihen në çështje që nuk janë të tyre dhe besojmë se punëtorët nuk do të bien pre e manipulimeve dhe tendencave politike, sepse ajo nuk do t`i ndihmonte as atyre, e as vendit”, thotë zëdhënësi i Qeverisë.
Edhe kryeparlamentari Jakup Krasniqi mendon se çështja e protestave nuk është e lidhur vetëm me çështje sociale. “Unë mendoj se protestat, demonstratat apo grevat e paralajmëruar nga të dy segmentet e rëndësishme të shoqërisë së Kosovës nuk janë segmente të çështjeve sociale. Ne e dimë se problemet nuk janë të lehta, realisht duhet kohë për t’u zgjidhur dhe unë mendoj se edhe nga Policia e Kosovës, edhe nga shëndetësia e Kosovës do të kenë mirëkuptim për zhvillimet që po ndodhin në Kosovë”, ka thënë Krasniqi, pas kthimit nga një vizitë në Britani të Madhe.
E për partitë opozitare, gjendja në të cilët tani ndodhet vendi dhe paralajmërimet për protesta të ndryshme, është rezultat i politikave që po aplikon Qeveria.
Burim Ramadani, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se problemet sociale janë shumë të mëdha në vend. Sipas tij, në Kosovë nuk ka ndonjë lëvizje për zhvillim ekonomik dhe social.
Lulëzim Zeneli, nga Lidhja Demokratike e Dardanisë, thotë për Express se është vetë Qeveria e Kosovës ajo që ka një kontroll ndaj të gjitha sindikatave, pa përjashtuar këtu edhe ata të policisë dhe shëndetësisë.
Ai thotë se në këto protesta dhe greva nuk ka gisht asnjë parti politike opozitare, porse kjo ka të bëjë vetëm me gjendjen reale.
“Pushteti aktual i ka kontrolluar gjithmonë dhe nuk është marrë që t`i zgjidhë problemet, por si t`i vendosë nën kontroll sindikatat. Me këtë logjike është punuar nga Qeveria. Kjo nuk po zgjat shumë se ka humbur durimi, pritjet kanë marrë fund, premtimet nuk po realizohen”, vlerëson ai.
Sipas Zenelit, Qeveria nuk ka strategji për të parandaluar e as menaxhuar protestat. “Qeveria nuk ka marrë asnjë hap dhe në anën tjetër i ka injoruar kërkesat e punëtorëve. Po ashtu, ajo i ka mbyllur sytë edhe në raport me kritika që janë bërë nga organizata të ndryshme ndërkombëtare. Është pa përgjegjësi ne krahasim me milionat e premtuara”, thotë Zeneli.
Ligji i Punës, as sivjet
Qeveria ka paralajmëruar se Ligji i Punës do të miratohet brenda këtij viti, por drejtues të sindikatave thonë se “sipas disa informatave”, ligji nuk do të kalojë në Parlament, as sivjet, për shkak të kostos. Ligji i shumëpërfolur, qe gjashtë herë ka shkuar në Kuvend, por është kthyer prapa. Nënkryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Hasan Abazi, thotë se vonesa e miratimit të këtij ligji bazik po i dëmton punëtorët, por edhe bizneset e ekonominë kosovare. Abazi ka rikujtuar se Bashkimi i Sindikatave ka protestuar shumë herë, por edhe ka zhvilluar biseda me Qeverinë, me kërkesën që të miratohet një ligj i mirëfilltë i Punës. Aktualisht në fuqi ekziston një rregullore me 27 nene e UNMIK-ut, por ligj të duhur për punëtorët dhe punëdhënësit nuk ka. “Që gjashtë herë shkon në parlament dhe kthehet, arsyet pse kthehet, nuk e dimë. Është e mundur të ketë një kosto, por ajo kosto nuk është aq e lartë që ky ligj mos të aprovohet”, ka thënë Abazi .
“Duhet të pyetni Parlamentin dhe Qeverinë...Komisionet tona kanë qenë prezente, kanë dhënë vërejtjet e veta, kemi qenë shumë aktivë dhe ne kemi planifikuar që në vitin që shkoi, pra më 2009, kjo punë të kryhet...Por për fat të keq, sipas disa informatave, do të shtyhet edhe këtë vit, nuk do të kryejë Parlamenti i Kosovës”, ka thënë ai.
“Vetëvendosje” mbështet protestat
Lëvizja “Vetëvendosje” mbështet protestat e paralajmëruara të shërbimeve civile dhe publike, të cilat kërkojnë përmirësimin e kushteve të punës, me theks të veçantë rritjen e pagave, ndërsa ka hedhur poshtë pohimet e Qeverisë së Kosovës se rritja e tyre është e pamundshme. Në një komunikatë për media të shtunën, “Vetëvendosje” thekson se kërkesat për rritjen e pagave dhe përmirësimit të kushteve të punës nga ana e policëve dhe punonjësve shëndetësorë janë kërkesa minimaliste, krahas asaj që i nevojitet Kosovës.
Sipas “Vetëvendosje”, këto protesta dhe ato që janë paralajmëruar për javën e ardhshme paraqesin një zgjim të shërbyesve civilë dhe punëtorëve të Kosovës, ndërsa përkujton se Ligji i Punës, njëra prej kërkesave kryesore në këto protesta, është domosdoshmëri për të gjithë ndonëse si i tillë nuk sjell dobi.