Beteja me mafien
Flet për mediet kroate, Vladimir Faber, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë në Kroaci
Zoti Faber, keni arritur të merrni më tepër informacione deri në këtë fazë të kërkimeve, dhe çfarë mund tu thoni medieve kroate rreth vrasjes së gazetarit Ivo Pukaniç. Kemi pritur nga ju të na e sillni identikitin, përse nuk e keni ende?
Nuk ka ende informacione të rëndësishme deri në këto momente. Aktualisht nuk mund të tregoj me gisht nga vrasësi potencial dhe as mund të flas për motivet e vrasjes. E para që mund të them është se identikiti është në përfundim e sipër dhe së shpejti do publikohet në gjithë mediet.
E di që nuk dëshironi të flisni për hetimet rreth vrasjes, por për shkak të profesionit të gazetarit dhe nevojës për informim po këmbëngul në këtë pyetje. Thuhet që mjeti shpërthyes ka qenë i vendosur në motoçikletë dhe kamerat e sigurimit kanë bërë regjistrimin e vrasësit, i cili e ka vendosur eksplozivin. A është ky informacion i saktë?
Unë do iu isha lutur ju dhe kryeredaktorëve të të gjithë medieve që të mos shkojnë në
pista hetimesh paralel me punën e policisë. Gjithçka që ne hulumtojmë, hetojmë dhe
zbulojmë, do t’ia themi medies, por pa e dëmtuar interesin e hetimeve. Në këtë rast nuk mundem të komentoj asnjë nga pyetjet tuaja.
A mund të na thoni se a kanë përfunduar hetimet rreth tentativës për vrasje të gazetarit Pukaniç në muajin prill të këtij viti, i cili është qëlluar para banesës së tij? Shumë media nuk e kanë marrë seriozisht rrëfimin e tij rreth atentatit të pranverës. A janë bërë hetimet dhe a keni një përfundim për atë tentativë për vrasje?
Jo, hetimet nuk kanë përfunduar. Nëse ato do të kishin përfunduar, ne do ta bënim publike. Tani janë paraqitur disa spekulime për një person, identiteti i të cilit është përshkruar nga Ivo Pukaniç kur ishte gjallë. Ne atë person e kemi hetuar dhe kemi ardhur në përfundim se ai nuk ishte personi që ka tentuar ta vriste Ivo Pukaniç. Pra, ky rast nuk është zbardhur ende.
A mund të na thoni a ka policia kontroll mbi sigurinë në rastin e Hrvoje Petraç në burgun e Lepogravës, dhe të gjeneralit Vladimir Zagorsia në burgun e Remetinit. A janë ata nën kontrollin e rreptë të policisë? A janë të siguruar?
Për sigurinë e burgjeve në Kroaci është përgjegjëse Ministria e Drejtësisë, por gjithmonë ekziston një bashkëpunim me policinë.
A mund të na thoni se a ka lidhje rasti i vrasjes së zonjushës Ivana Hodok, me vrasjen e Ivo Pukaniç, pasi revista Nacional ka shkruar disa numra rresht rreth rastit të vrasjes së Ivana Hodok?
Tani për tani nuk mundem as të vërtetoj dhe as të hedh poshtë asgjë.
Të ndalemi pak në rastin e gjykimit të gjeneralit Zagorski dhe debatin me Sasha Perkoviç. Sasha i ka thënë Zagorskit, a jeni të vetëdijshëm se çfarë rasti jeni duke hapur? A janë të lidhura këto raste me atë gjykim?
Ju thashë se nuk mund të flas as për vrasësin as për personin që ka urdhëruar vrasjen, por mund të flas për vendosmërinë e plotë të policisë kroate, se do t’i shkojmë deri në fund rasteve si shumë raste të tjera që kemi zbardhur. Unë jam thellësisht i bindur se ka ardhur koha që qytetarët e Kroacisë si individë janë të njëjtë para ligjit dhe duhet të binden se nuk do të ketë vetëm fjalë nga organet e rendit dhe policisë, sepse kemi mjaft kuadro dhe përvojë ta kryejmë këtë punë dhe ta kthejmë qetësinë, jo vetëm në rrugët e Zagrebit, por dhe në institucione të tjera.
Desha t’ju pyes se çfarë masash jeni duke marrë që qytetarët e Kroacisë të ndjehen të sigurt. Kemi dëgjuar se në Zagreb do të sillen rreth 250 policë shtesë nga gjithë viset e Kroacisë. Çdo të bëhet në rrugët e Zagrebit me këto përforcime policie?
Ne kemi marrë masat afatshkurtra dhe afatgjata. Masat afatshkurtra janë që urgjent të sigurohet qetësia e qytetarëve duke u angazhuar policia me gjithë potencialet që disponon. Masat afatgjate janë më të rëndësishme sepse përfundimisht duhet të ndërrojmë modelin e punës së policisë dhe policia të ketë një qasje më reaktive ndaj rastit, pra të jetë më operative. Për shembull, si duhet të veprojë në një vepër penale, ne shkojmë në vendin e ngjarjes dhe nisim punën me dokumentin e saj. Dhe veprimin me vrasësit duhet ta bëjmë në mënyrë proaktive.
Çdo të thotë kjo, a mund t’ua shpjegosh atyre që se kuptojnë?
Kjo do të thotë që policia në mënyrë permanente duhet të mbikëqyrë grupet kriminale dhe paraprakisht të kemi informata dhe jo të reagojmë kur krimi është kryer.
Përgjithësisht policia ka vepruar në këtë mënyrë, vendoset bomba, vret njerëz, ikën vrasësi, pastaj vepron policia?
Fatkeqësisht deri më tani modeli i punës sonë ka qenë reaktivë dhe represivë dhe jo proaktivë dhe preventivë. Megjithatë unë dua të theksoj tani se shumë pak është folur në media për rastin që ka ndodhur para dhjet ditësh në Riekë. Përmes këtij modeli ne kemi mbikëqyrur grupet kriminale, kemi arritur të gjejmë eksplozivin dhe është parandaluar atentati që mund të ishte i ngjashëm me këtë që ndodhi. Për të dy keqbërësit janë marra masat e duhura.
Do të thotë që policia është infiltruar tek grupet kriminale?
Nuk është se është infiltruar, por ka forma të tjera të mbledhjes së të dhënave dhe për shkak të interesave tona nuk mund t’i them haptas. Por sigurisht këto instrumente ekzistojnë, por në vendin tonë nuk janë të përpunuara në mënyrë precize. Pra kemi përndjekje sekrete, përgjim të telefonatave, fotografim të fshehtë, kontroll të sms-ve dhe postës elektronike. Këto masa ekzistojnë në policitë e vendeve evropiane. Ne kemi biseduar për 7 muaj radhazi me ekspertë të policisë evropiane dhe na është thënë se këto masa mund të aplikohen deri në dy vjet. Këto masa në Perëndim ndërmerren më shumë se sa tek ne.
Pse tek ne nuk është bërë praktikë deri tani? Ju po na thoni se policia ka të drejtë të përdor metodat e përgjimit, fotografimit dhe kontrollit të postës elektronike. Më lehtë merren urdhëresa nga gjykata për hetime se sa nga Shërbimi Informativ. Pyetja është perse nuk është praktikuar deri më sot kjo mënyrë?
Kemi mungesë të pajisjeve teknike. Pastaj është dhe ligji që me vështirësi e miraton kërkesën për përgjim dhe kontroll të personave nën hetim. Këtu po flitet dhe për zhvillimin e teknikës kriminalistike dhe taktikës që të jemi shumë hapa më përpara se sa grupet kriminalë dhe jo të vrapojmë pas tyre.
T’ju pyes shumë thjesht. A keni para të mjaftueshme ta bëni këtë që thoni, d.m.th të veproni si çdo polici evropiane?
Unë mund të them se si polic jam shumë i kënaqur me faktin se përfundimisht është vendosur konsensus politik ku policia renditet si hierarki profesionale si shërbim i organizuar dhe të na ofrohet buxhet i mjaftueshëm për mjetet e nevojshme dhe për trajnimin e njerëzve për përdorimin e këtyre mjeteve. Nga ana tjetër po na ofrohet dhe reforma ligjore që të sigurojmë mjetet për mbrojtjen e rendit dhe qetësisë në vend. Këto që përmenda ekzistojnë në vendet e Bashkimit Evropian.
A mendoni ju se policia duhet të ketë më shumë pushtet?
Unë mendoj se po, dhe ky është interesi i çdo individi. Por me një kusht, policia duhet të ndalë represionin. Statistika nuk duhet të jetë masë e suksesit tonë, por besimi i qytetarëve ndaj policisë. Ne duhet tu japim kënaqësi qytetarëve me punën tonë dhe represioni duhet të jetë i drejtuar vetëm ndaj kriminelëve.
Zoti Faber, keni 20 vjet që punoni në polici dhe keni shumë njohuri për këtë sistem. Sipas jush, cili ka qenë deri më tani veprimi më i gabuar që keni bërë. E di që është vështirë të flasësh për kolegë që kanë qenë në vendin tuaj, apo në vende hierarkike më lart apo më poshtë. E dimë që janë ndërruar shumë ministra. Për katër vite katër ministra, katër drejtues policie, gjashtë shefa të policisë kriminale, katër shefa të drejtorisë policore. Çfarë po ndodh me sistemin policor?
Kjo është ashtu siç e thoni ju. Ky është një sistem jo stabël, gjithnjë i kemi ndërruar njerëzit, por jo sistemin. Ne duhet të ndërrojmë sistemin, kulturën dhe filozofinë e policisë. Qëllimi i policisë duhet të jetë komunikimi i mirë me qytetarët dhe institucionet që janë të lidhura me ligjin. Represioni duhet të jetë i drejtuar vetëm ndaj individëve dhe grupeve kriminale. Nëse arrijmë ta bëjmë këtë, kjo nuk është vetëm reformë por transformim i krejt sistemit policor.
Ministri i rendit Karamarko që ka dhe detyrën më të rëndësishme në deklaratat e tij të para ka thënë se policia duhet të depolitizohet. Çdo të thotë kjo? Në vitet 2000 janë hequr nga puna mbi 3000 njerëz me të njëjtin titull. A do të ketë prapë largime nga puna dhe a do të vazhdojnë të punësohen njerëz që nuk e njohin mirë profesionin e policit?
Depolitizimi është parakusht i domosdoshëm nëse duam të rinkonstruktojmë apo reformojmë policinë kroate. Po e marrim shembull nëse u nevojitet dentisti shkoni tek dentisti më i mirë, kur keni problemin me rrymën thërrisni elektricistin, por në polici është ndryshe sidomos në strukturat udhëheqëse, - bëhet me miq, me anë të njerëzve të njohur, apo përmes partisë politike.
Deri më tani, kështu ka shkuar në polici?
Sipas njohurive të mia, të paktën 50 për qind e udhëheqësve në polici për 18 vite me radhë kanë zënë vend në bazat të miqësisë dhe jo në bazë të aftësive të tyre profesionale. Ne kemi 18 vite që po i fshehim problemet nën rrogoz, por ne nuk kemi një rrogoz aq të madh sa t’i mbulojë problemet. Ne duhet të përballemi me problemet. Ne kemi një sëmundje në sistemin e sigurisë në vend. Rruga më e mirë për ta shëruar është ta gjejmë diagnozën ta japim ilaçin e duhur dhe i sëmuri ta marrë në mënyrë të rregullt. Unë jam i bindur se diagnoza është e përcaktuar. Zoti Karamarko këtë e ka thënë qartë. Është depolitizimi i policisë, diagnoza më e mirë dhe jam i bindur se me mbështetje ligjore mund të ndërtojmë një sistem policor të mirëfilltë që ia garanton qetësinë dhe sigurinë qytetarëve të Kroacisë.
Një problem i policisë ka qenë dhe rrjedhja e informacionit në rrjetin mafioz përmes medies. Këtë ua pyes pasi shpesh në vendin e ngjarjes kanë qenë vetëm gazetarët dhe jo policët. Janë dhënë informacione që nuk është dashur të thuhen dhe ne e i kemi thënë në TV. A do ta ndërprisni këtë?
Natyrisht se do ta bëj, por problemi është i dyfishtë. Në një anë policia jonë është shumë konservatore, jo demokratike, dhe nuk i ka dhënë informacione të mjaftueshme medies. Natyrisht që gazetarët, redaktorët i kërkojnë informacionet në çfarëdo mënyre. Ja e kemi rastin më të ri të vrasjes së Ivo Pukaniç. Ne që në fillim patëm kontakte të mira me mediet, pa marrë parasysh se ngjarja zgjoi interes të madh në media. Unë them që brenda disa muajve do të marrim masa ligjore që të mos ketë rrjedhje informacioni Por në një mënyrë tjetër ne duhet t’i japim të fshehtat e shërbimeve policore, por jo që ato të rrjedhin jashtë kontrollit. Në të kundërt dikush do ta lëshojë përgjithmonë derën e Ministrisë së Rendit.
Në fund dhe një pyetje që lidhet me vrasjen e fundit tragjike të Pukaniç. Si është bashkëpunimi juaj me policinë e Serbisë, të Bosnjës dhe policitë e vendeve perëndimore?
Duhet t’iu them diçka me rëndësi. Për herë të parë në historinë e policisë kroate po bashkëpunojmë me shërbimin informativ. Një falenderim të veçantë duhet t’ia drejtoj kolegëve të mi që drejtojnë policinë në Bosnjë dhe Serbi. Ne po bashkëpunojmë rreth kësaj vrasje. Por ne do ta zgjerojmë bashkëpunimin dhe me vende të Evropës perëndimore. Është në përgatitje e sipër nënshkrimi i disa marrëveshjeve për rregullimin e bashkëpunimit për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin dhe qëllimi është që në Kroaci në mënyrën më të mirë të mundshme dhe me arritjet më të mira taktike dhe teknike të bëhet e mundur tu ofrojmë qytetarëve tanë sigurinë, jo për shkak të Bashkimit Evropian, por për shkak të nevojës për siguri në Kroaci.