A do pranohet Shqipëria në NATO me ligje që kanë organizuar anarkinë e pronës?
Të nderuar zotërinj ambasadorë!
Quhem Petro Gjoni dhe jam pronar në bregdetin e fshatit turistik të Dhërmiut. Në fillim të muajit tetor inxhinieri Maksim Dhimolea, nga Palasa, me një letër publike pyeste publikisht presidentin dhe kryeministrin se përse nuk po i kthehet prona që komunizmi ia grabiti familjes së tij. Të njëjtin problem kam edhe unë për familjen time. Këtë problem që politika po e lë gjithnjë pas krahëve, kanë dhe shumë familje të tjera në bregdetin Vlorë-Sarandë, dhe e vërteta është se pronat tona i kanë përvetësuar politikanët dhe miqtë e tyre.
Zgjidhja e këtij problemi kërkon dhe fjalën tuaj si përfaqësues të vendeve demokratike. Unë u gëzova që presidenti i SHBA firmosi pranimin e Shqipërisë në NATO, pasi kjo firmë ka rëndësi historike. Por
dëshiroj të them publikisht se, zoti kryeministër, ju dhe cilido tjetër nga politikanët, nuk keni të drejtë morale të mburreni për suksese ose për hapa përpara në zhvillim të demokracisë qoftë edhe për firmosjen nga ana e presidentit të SHBA të ftesës për në NATO, për sa kohë prona në zonat turistike nuk është kthyer në origjinë, për sa kohë ne quhemi ish-pronarë dhe nuk quhemi pronarë të grabitur nga shteti i diktaturës komuniste. Në ekran e në gazeta ju, deputetët e të dy krahëve, flisni për gjithçka, shani dhe fyeni palën tjetër për korrupsion e mashtrim, por nuk flisni për pronën e trashëguar dhe detyrimet kushtetuese që vazhdoni t’i shkelni. Një gjë është e sigurt, ju, politikanët shqiptarë, e keni pasur zotësinë që për 17 vjet t’i mashtroni të gjithë ambasadorët e huaj në Shqipëri, duke filluar nga OSBE, BE, KE, NATO, SHBA etj., dhe ata të firmosin ftesat për në Evropë dhe në NATO. Se presidenti, G. W. Bush dhe Senati i SHBA i beson gjërat ashtu siç ia raportojnë politikanët shqiptarë dhe me sa duket as që mund t’iu shkojë në mendje se e vërteta është ndryshe, se është e vështirë që në Shqipëri të ketë një pushtetar ose politikan që nuk ka vjedhur pronat e tjetërkujt në bregdet. Unë dhe bashkëfshatarët e mi autoktonë, pronarë të ligjshëm, po presim e po presim me durim, sepse nuk duam vetëgjyqësinë. Ne po presim që ju, zoti President i Republikës dhe ju, zoti kryeministër, të kujtoheni se vazhdoni ta shkelni nenin 181 të Kushtetutës, kur jeni ju që duhet ta mbroni Kushtetutën. Ne, si gjithë populli, duam të na drejtoni në demokraci, dhe demokracia fillon me kthimin e pronës tek i zoti, kurse ju heshtni. Për mua dhe fshatarët e thjeshtë të kësaj zone turistike, që kërkojmë të çlirohemi në mënyrë paqësore nga uzurpatorët e pronave që trashëgojmë nga prindërit, problemet që diskutohen në televizor dhe në gazeta, qoftë edhe firma e presidentit të SHBA, z. Bush, për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO nuk kanë asnjë rëndësi, nëse nuk shoqërohen me interesimin dhe kushtëzimin, dhe mbikëqyrjen e rreptë të qeverisë për kryerjen e një reforme të shpejtë që të respektojë të drejtën e pronës, siç respektohet në të gjitha vendet e paktit të NATO-s.
Në dallim të madh nga sa raportonin specialistët gjermanë të universitetit të Graz-it, se zgjidhja e problemit të pronës na qenka punë shumë e komplikuar, në realitet kjo është shumë e rëndësishme, por kjo është reforma më e thjeshtë dhe fare pa faturë financiare, sepse konsiston në shpronësimin e politikanëve grabitqarë dhe personave abuzivë për ato prona që janë tonat dhe ata i kanë përfituar padrejtësisht.
Çdo gjë zgjidhet mirë dhe shpejt vetëm me kthimin e pronës në origjinë.
A mund të na përgjigjet dikush, nëse mund të futet Shqipëria në NATO dhe në Evropë, kur me ligjet në fuqi prej vitit 1991 edhe sot, d.m.th., prej 17 vjetësh, nuk na janë kthyer as pronat që vazhdojnë të jenë të lira? Kur qeveria miraton ligje që legalizojnë pushtuesit dhe pronarit i premtohen shpërblim në të holla? Këto gënjeshtra me kompensim po i mbron heshtja e ambasadorëve të OSBE, BE, KE, FMN dhe Bankës Botërore. Me sa duket këta ambasadorë janë të interesuar për pagën e lartë mujore që marrin në atë vend pune, ndërsa ankesat e shoqatës “Bregdeti” për respektimin e të drejtës së pronës nuk i perceptojnë si detyrim themelor për një ekonomi tregu të konsoliduar. Ata kanë reaguar, vetëm kur ndonjë anëtar i qeverisë ka thënë se tani misioni tyre duhet të mbyllet.
Çuditërisht, edhe ministri i Jashtëm i Italisë, z. Franco Frattini, në vizitën e tij të datës 26 tetor 2008, foli për ndërtime termocentralesh në shkëmbim të liberalizimit të vizave. Me gjithë informacionet e shumta që i janë drejtuar ambasadës italiane dhe artikujt e shumtë të botuar në shtyp, ky përfaqësues i lartë i Italisë e anashkaloi faktin se problemi i pronës private mban peng demokracinë, stabilitetin dhe investimet e huaja private.
Zotërinj ambasadorë dhe kushdo që është i interesuar të fusë Shqipërinë në rrugën e demokracisë dhe të NATO-s, ju lutem, ejani një vizitë në Dhërmi, ku do të bindeni se si është e vërteta dhe sa po gaboni duke mos na dëgjuar për ankesat tona për këtë vjedhje të ngritur në sistem që ju vazhdoni ta respektoni si “Demokraci”!!
Në zonën turistike prona nuk i kthehet të zotit, sepse atë e ka përvetësuar një politikan i majtë apo i djathtë. E çfarë demokracie është kjo, kur mua dhe bashkëfshatarëve të mi na mohohet prona që trashëgojmë nga prindërit? Vjedhja e pronave tona është krim i postkomunizmit që rëndon më shumë se krimet e komunizmit.
Të bësh një ligj që ia kthen pronën atij që ia ke grabitur, do të thotë që njëherazi të çrrënjosësh komunizmin dhe të korrigjosh krimet e postkomunizmit. Shteti nuk mund të bëjë krim më të madh se ai i anarkisë së pronës së trashëguar. Të gjitha gabimet e pas vitit 1990, si hapja e depove të armëve në 1997, piramidat e fajdeve, shpërthimi i Gërdecit etj., në njëfarë mënyre do të riparohen, por, nëse ju nuk bëni një ligj që prona nuk kthehet tek i zoti, fjala deputet, sa më shumë kohë që kalon, do bëhet fjalë turpi dhe mallkimi. Ju, politikanët e pas vitit 1991, sa më shumë të kalojnë vitet, aq më të rënduar do ta ndjeni veten nga ky zullum që keni bërë me pronat tona. Na keni krijuar sherre e grindje midis familjeve të fshatit, ndonjëherë dhe brenda trungut familjar, për të cilat jeni përgjegjës.
Ju paralajmëroj se heshtja juaj për ta kthyer pronën tek i zoti do na çojnë në vetëgjyqësi për të çliruar pronën.
Dhe populli do të ju nëmi për konfliktet ku na keni futur. Në këto kushte të mungesës së dëshirës së politikanëve, një fjalë nga Departamenti amerikan i Shtetit për kthimin e pronës tek i zoti, do t’i jepte kuptim dhe vlera demokratike firmës së presidentit G. W. Bush për pranimin e Shqipërisë në NATO.
Unë nuk e dua vetëgjyqësinë për rifitimin e së drejtës së pronës që trashëgoj nga babi im, por besoj te Zoti dhe po shpresoj tek Amerika. Shpresoj që ambasadori
Withers, ambasadori Lohan dhe Trupi Diplomatik do t’i dëgjojnë këto mendime dhe do të reflektojnë drejt për këtë problem themelor.