Flamuri, në siklet për piramidat dhe Lul Bashën
Antena brenda familjes
Dje Flamuri u vu mes dy zjarresh. Kryeministri kishte deklaruar pa leje të tij në forumin e organizuar nga “The Economist” në hotel “Sheraton”, se shkak për rrëzimin e piramidave ishte bërë etja e pronarëve të tyre për fitime të mëdha. D.m.th., me pak fjalë, kriza e vitit 1997 kishte ardhur nga etja e Vehbi Alimuçës dhe atij të Gjallicës për fitime përrallore.
Flamuri, i paqartë për kontekstin ku e kishte përmendur, merr në telefon këshilltarin ekonomik të kryeministrit, Petraq Milo.
- Si e ka thënë tamam ai burri? - tha. Ma thuaj pak, kush është fajtor për rënien e piramidave?
- Të zotët e piramidave, - tha Milo, - kush tjetër.
- Mirë Milo, mirë, ti e ke kollaj, se i bie shkurt, po unë kam dhjetë vjet që jap nga një arsye çdo vit. Në fillim ua futëm grekëve, (më fal jo ty, se ti je shqiptar). Thamë që ata i bënë piramidat dhe sollën lekë nga Greqia. Dhe për Vehbiun ata fajësuam. Derisa erdhi Vehbiu një ditë dhe na shpjegoi se trurin e firmës e kishte nga Kurveleshi. Tek arka kishte Xhanen, mbesën e tij, të madh të administratës kishte Xhaferrin, burrin e mbesës, kurse me transfertat për jashtë shtetit merrej vajza e mbesës, Aurela. Atë e mbante, se dinte anglisht. Na e mbushi mendjen Vehbiu i shkretë që s’ishin grekë. Atëherë ndërruam argument. Thamë e bënë komunistët. Se kjo mbesa e Vehbiut me burrin e vajzën ishin të majtë. Pastaj, vonë nga 2004, erdhi ky Lul Basha nga Kosova dhe tha: “Po deshët mos e përmendi më atë punën e komunistëve, se atë gruan që ka qenë mbesë e Vehbiut e kishte vjehrrë. Që atëherë hoqëm dorë, nuk fajësojmë më as komunistët për piramidat. Pra grekët na ikën, komunistët na ikën, ia rrasëm rebelimit. Ai burri formuloi tezën e rebelimit komunist dhe ia plasëm. Pastaj ngelëm vetëm dhe u detyruam t’i ftojmë ne të vijnë në parti të gjithë themeluesit. Ai burri e mori Ben Imamin shef kabineti, e harruam dhe rebelimin. I ndjeri Gazidede kishte dhe ca arsye të tjera, por, kur u kthye dhe pa se ç’bëhej, nuk foli fare. Kështu që na ikën nja pesë arsye. Çdo vit ua ndërronim njerëzve arsyet. Tani, kjo që thotë ky burri s’na kishte shkuar në mendje. D.m.th., që shkak paska qenë që ata donin fitime përrallore. E drejtë është si tezë, por kam frikë se do dalë prapë puna te njerëzit e Lul Bashës dhe do ta ndërrojë ai burri. Se e ndërron ai. Ja, pardje në varrim të të ndjerit Gazidede e ndërroi prapë, tha rebelim komunist. E vuri prapë në siklet Kullurin që ishte aty, i cili është shef kabineti i zotit Imami, i cili nga ana e vet është shef kabineti i atij burrit. Prandaj mos e merr seriozisht, se e ndërron prapë ai.
- Shpjegim i gjatë shumë ky, Flamur. Nuk di gjë unë, se s’kam qenë fare këtu, kur kanë ndodhur këto. Më pyete, të thashë çfarë tha. Atyre ua la fajin, etjes për fitime.
- Mirë e ka. Dhe Marksi atyre ua ka pas lënë fajin. “Etja për fitim do çojë kapitalizmin në kalbëzim”, - ka thënë te “Kapitali”. Dhe këta kapitalistët tanë na çuan brenda vitit në rrënim. E ka gjet mirë këtë, po si s’i shkoi mendja më ‘97 ta thoshte këtë, po e tha tani. Ndoshta do kishim shpëtuar nga rënia, se do t’ua vinim fajin atyre pisave.
- S’di ç’të të them Flamur, kështu tha, kështu të them.
- Mirë Petraq, mirë, se ti je në rregull, sido që të thotë ai, ty asgjë s’të kap, se ti as grek s’je tamam, as shqiptar s’je tamam, as demokrat s’je tamam, as socialist s’je tamam, as vlonjat s’je tamam, as bregas s’je tamam, as ekonomist nuk je tamam, as këshilltar nuk je tamam. Të gjitha gjërat i ke me pak mangësi dhe je në rregull, shpëton. Po ç’të bëj unë i shkreti që i kam besuar të gjitha variantet, dhe që na e bënë grekët, dhe që na e bënë komunistët, dhe që na e bëri rebelimi, dhe që na e bëri babëzia. Unë si t’ia bëj, se ti je në rregull. Ti i ke hapur të gjitha rrugët, mirë me atë burrin, mirë me Imamin, mirë me Gazideden, mirë me Paskal Milon, mirë me Edi Ramën. Unë si t’ia bëj që kam besuar variantet e atij burrit dhe jam zënë me të gjithë.
- Epo, ç’të të them o Flamur? Bëhu këshilltar dhe ti dhe s’beson asnjë, bie rehat.