Në kërkim të së vërtetës dhe drejtësisë
“Sa sforcim i kalit për të qenë qen
Sa sforcim i qenit për të qenë dallëndyshe
Sa sforcim i dallëndyshes për të qenë bletë”
Garcia Lorca
Në natën e 18 gushtit 1936 poeti i madh andaluzian Federico Garcia Lorca u arrestua dhe ekzekutua, pasi u denoncua nga një mik i tij i fëmijërisë.
Një muaj më parë gjenerali spanjoll Francisko Franko kishte marrë pushtetin dhe rrëzuar republikën spanjolle, poeti i madh Lorca me 18 vetë të tjerë u pushkatuan dhe varrosën në një varr masiv. Afër varrit, rreth 200 metra më tej, prehen 3000 mbështetës të republikës spanjolle, viktima të falangistëve frankistë, ashtu si edhe Lorca.
Lufta civile spanjolle mbart një shifër të rëndë, 114.266 njerëz të zhdukur pa numëruar të vdekurit.
Shqipëria ka pasur Garcia Lorkat e saj të vrarë nga falangistët e kuq, mjafton të përmend Havzi Nelën që u var në litar, ose Fishtën e madh, të cilit i prishën edhe varrin.
Shqipëria dhe Spanja janë vende të largëta, por në këtë moment po përballen me një realitet të njëjtë, me problemin e memories dhe kujtesës kolektive.
Spanja që prej vitit 1973, datë e cila shënon fundin e diktaturës frankiste, nuk ka mundur të shohë drejt e në sy të kaluarën, të nxiste një proces për të zbuluar atë çka ndodhi para dhe gjatë 40 vjetëve diktaturë.
Plot 30 vjet pas rënies së diktaturës, një prokuror spanjoll, i njohur në gjithë botën për arrestimin e Pinoçetit, Baltasar Garzón, hapi një hetim dhe doli me konkluzionin e mëposhtëm në raportin penal drejtuar Gjykatës Kushtetuese spanjolle:
“Shteti nuk mund dhe nuk duhet të fshijë krimet e veta, as ato të agjentëve të tij, kur ato kryen ndaj qytetarëve të vet”.
Vdekje sistematike, zhdukje e dhunshme e personave, tortura, ekzili i detyruar janë akuzat që drejtësia spanjolle ngriti kundër shtetit spanjoll dhe diktaturës frankiste.
Hetim i Garzón u bë i mundur falë padisë që ngriti Shoqata për Rikuperimin e Memories Historike disa vite më parë.
Familjet e viktimave të diktaturës frankiste morën pjesë në ngritjen e kësaj padie duke shpresuar se do të mësonin ku preheshin të afërmit.
Falë këtyre përçapjeve, hetuesi filloi të ndërtonte grupe pune hetimore për të mbledhur informacion mbi të zhdukurit pranë institucioneve shtetërore qershorin e kaluar. Përveç arkivave të kishës katolike që refuzoi të bashkëpunonte në hapjen e arkivave të saj, të gjithë institucionet spanjolle u detyruan t’i hapnin ato, madje edhe arkivat sekrete.
Një shteti me një demokraci dhe institucione të konsoliduara si Spanja iu deshën plot 35 vjet të fillonte e të shihte të kaluarën e hidhur drejt e në sy.
35 vite për të rindërtuar memorien historike, për të ndërtuar kujtesën e ngjarjeve më tragjike të historisë së saj, luftën civile. Procesi është i rëndësishëm, sepse jo vetëm sepse identifikohen krimet dhe vrasjet e njerëzve të pafajshëm, viktima të të dyja palëve në konflikt, por edhe sepse hidhet dritë mbi atë periudhë të errët të historisë.
Nuk mund të rrish pa bërë një paralele midis asaj që ndodhi në Spanjë dhe çfarë ndodh Shqipëri për të rindërtuar memorien historike.
Të dy vendet kanë shumë gjëra të përbashkëta; kanë njohur regjime diktatoriale të egra, kanë përjetuar në forma të ndryshme luftën civile, kanë pasur një zhvillim politiko-social të ngjashëm dhe e fundit: të dy vendet do të kenë një Kod Zgjedhor të njëjtë. Përveç këtyre pikave kanë sot në të njëjtën kohë të njëjtin problem historik, atë të ndërtimit dhe zbulimit të memories historike për sa i përket viteve të diktaturës.
Në këtë pikë gjejmë në të dy vendet të njëjtin konfiguracion të debatit politik.
Në një anë një parti në opozitë (PPE në Spanjë, PS në Shqipëri) që është kundër këtij procesi të ndërtimit të memories, sepse “të ringjallësh problemet e të kaluarës është një gabim i madh” dhe në anën tjetër një parti në pushtet (PSOE në Spanjë, PD në Shqipëri), që e mbështet këtë proces duke e argumentuar me faktin se shoqëria dhe vendi duhet të përballen me të vërtetën historike.
Dallimi më i madh midis dy vendeve është se Shqipëria ende nuk ka ndërmarrë një hap të mirëfilltë për të hetuar të kaluarën, janë bërë disa ligje për pastërtinë e figurave që prekin individë publikë, hartuesit në të vërtetë s’kanë marrë kurrë parasysh që në thelb të ligjit duhet të jetë gjetja e përgjegjësve të këtyre krimeve të diktaturës dhe së dyti rehabilitimi i tyre nga drejtësia, nëse janë vrarë, dënuar e persekutuar padrejtësisht. As ndonjë shoqatë nuk ka ndjekur një rrugë juridike siç është shoqata për memorien historike që shfrytëzoi drejtësinë dhe jo politikën për të hapur çështjen e viktimave të diktaturës. Problemi në këtë pikë ka të bëjë më shumë me besimin që ka viktima ose familja te drejtësia. Imagjinoni një familjar që i kanë ekzekutuar të afërmin të kërkojë drejtësi te gjykatësi që ka dhënë pretenca me vdekje për arsye politike ndaj familjarit të tij dhe që sot merr dekorata nga Presidenti i Republikës. A do kishte logjikë një gjë e tillë në Spanjë? Në Shqipëri kjo ekziston si realitet, është një logjikë e përditshme.
Unë personalisht pres që në Shqipëri të lindë një Baltasar Garzón, i cili të ketë kurajën të hetojë dhe të kërkojë të vërtetën që drejtësia të vihet në vend dhe padrejtësia të riparohet. Në këtë mënyrë drejtësia do të ndihmojë në ndërtimin e një memorieje historike të panjollosur.
Në tetor të 2007 parlamenti spanjoll votoi një ligj shumë të rëndësishëm të quajtur “Ligji mbi memorien historike”, i cili shënoi edhe rënien e kambanës për të zgjuar Spanjën nga gjumi i gjatë, në mënyrë që të shohë në sy të shkuarën e saj dhe njëkohësisht të ndërtojë një memorie historike të mirëfilltë të bazuar mbi të vërtetën.
Kurse në Shqipëri, gjykatësit, presidentët e njerëzit e thjeshtë duhet të mos harrojnë se “shteti nuk mund dhe nuk duhet të fshijë krimet e veta e as ato të agjentëve të tij, kur ato kryhen ndaj qytetarëve të vet”.