E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beteja me tregun

Një hetim i vogël në pesë librari të Tiranës tregon: sa ka ndryshuar raporti me tregun pas 2 shkurtit i librave fitues të çmimeve Kombëtare të Letërsisë, kategorinë e lexuesve të interesuar dhe çfarë efekti ka te ta vlerësimi që i bëhet një libri


A kanë ndikuar "Çmimet Kombëtare të Letërsisë" të akorduara nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve më 2 shkurt të këtij viti, në shitjen e librave fitues? A nxitet lexuesi t'i zgjedhë ata para të tjerëve? A ka një kategori që është edhe e informuar, e cila ngacmohet dhe shtyhet për t'i blerë këto libra?


Këtë informacion, Gazeta "Shekulli" e kërkoi në disa librari të Tiranës.
"Të gjithë librat patën një ndryshim të kërkesës në treg. Rifreskimi mediatik i tyre rriti fluksin e kërkesave. Vijnë njerëz dhe kërkojnë ata tituj përpara të tjerëve. Vijnë me një objektiv të caktuar. Natyrisht që një event i tillë krijon një rivlerësim të librave", thotë për këtë çështje, Ferhat Muhedini, administrator i librarisë "Friend's Book House".


Një përgjigje të përafërt marrim edhe nga libraria "Adrion", e cila i referohet asaj kategorie lexuesish që nuk ka një gjini të preferuar, por kanë nevojë të shohin në kapakët e librave vlerësimet: "Best Seller", "Nobel", "Çmimi Kombëtar i Letërsisë" etj..


Librarët ndajnë të njëjtin mendim kur bie fjala për librin më të kërkuar ndër fituesit e Çmimeve Kombëtare të Letërsisë. Është "Thembra e Akcilit" i Agron Tufës, libri që u vlerësua me Çmimin e Madh. E përforcojnë mendimin e tyre me argumentet: "E kërkojnë para librave të tjerë", "Vijnë të rekomanduar për të", "Tërhiqet më tepër se "Mërkuna e Zezë" dhe "Tenxherja", ose "Duam librin e Tufës me atë që fitoi çmimin".


Libri i Tufës është shitur më tepër në një nga librarit e Bllokut, afro 20 kopje. Një shifër të përafërt japin edhe libraritë e tjera, po ka librari ky "Thembra..." është shitur vetëm një kopje.
Për studimin "Shqipja Totalitare.


Tipare të ligjërimit publik në Shqipërinë e viteve 1945 1945-1990", të Ardian Vehbiu, fitues i çmimit "Gjergj Fishta", libraria e "Evës" thotë se ka pasur kërkesa që në kohën e prezantimit të tij në "Panairin e Librit" dhe vazhdon të shitet. Nga të dhënat e librarëve kuptojmë se për studimin e Vehbiut ka një kategori të caktuar blerësish: studentë, studiues, pedagogë, pra një lexues i profilizuar.


Tek një tjetër librari në Bllok, librarja pohon se i ka bërë çudi që "Shqipen Totalitare" e ka blerë një amerikane, në fillimet e saj të mësimit të gjuhës shqipe, e rekomanduar të konsultohet me këtë vepër. Titullin në fjalë ndodh të mos e gjesh në dy librari në qendër të qytetit.


Një tjetër studim, që u vlerësua me çmim këtë vit nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Shkencave, jo pak por me çmimin që mban një emër të nderuar, "Faik Konica", është "Sfidat teorike të historiografisë shqiptare" i Floresha Dado. Libri është hedhur në treg në janar të këtij viti. Librarët thonë se nuk ka pasur shitje dhe japin arsyet: "lexues i kufizuar", "nuk ka shumë që ka dalë në treg", "e blejnë studentët që e kanë në programin e shkollës".


Çfarë ndodh me romanin "Otello, arapi i Vlorës" të Ben Blushit, fitues i çmimit "Petro Marko"? "Ka ecuri të vazhdueshme" shpjegojnë librarët, qysh në daljen e tij në treg, e deri sot. Dikush shpjegon se është i justifikueshëm numri stabël i shitjeve të tij kohët e fundit, duke marrë parasysh fluksin e botimeve të reja.


Megjithatë, "Otello..." vazhdon të blihet për vetë gjininë që përfaqëson, romani që nuk "vuan" për lexues. Pas "Thembra e Akcilit" është i dyti më i kërkuari në libraritë ku u mor ky informacion.
I vështirë paraqitet tregu shqiptar për një novelist kalibri si Thomas Mann dhe për veprën kryesore të krijimtarisë së tij, romanin "Mali Magjik" i ardhur në shqipe nga Afrim Koçi. Përkthimi i Koçit u vlerësua me Çmimin "Fan Noli".


Janë dy vëllime voluminoze, respektivisht me çmime 2400 dhe 2600 lekë. Edhe për kaq lexuesi zor se i afrohet librit. Këtë thonë në mënyrë unanime gjithë librarët, veç Muhedinit të "Friend's Book House" që shton se lexuesit e tij "i besojnë përkthyesit" dhe e kanë blerë. Kurse, libraria Etleva Prifti na thotë: "Është çmimi që i pengon blerësit. Pëlqehet si libër, e kërkojnë, po kur marrin vesh çmimin largohen". Ka librari që "s'e njohin fare" as autorin e as "Malin..." e tij.


MTKRS i akordoi Vilson Blloshmit çmimin "Lasgush Poradecin" (Pas vdekjes). Përmbledhjen poetike të Blloshmit e gjejmë tek "Eva". Kur u hodh në qarkullim në fillim të vitit 2009, "u shit mirë", aktualisht ka ngelur në vend.


I njëjti fat ka prirë edhe përmbledhjen me tregime "Për shtegtarët e pak metrave katrorë" të Romeo Çollakut, që diku nuk është tërhequr, diku tjetër nuk ekziston as si titull. Çollaku mori çmimin "Mitrush Kuteli".


Ka raste kur lexuesi që nuk njeh vepra të tjera të autorit, nuk ka ndonjë marrëdhënie të veçantë me letërsinë e tij, shtyhet megjithatë ta blejë thjesht nga kërshëria. "Kureshtarë" i kategorizon libraria e "Evës", njerëzit që kanë blerë romanin "Bërthama", shkruar nga 20-vjeçarja Eir Plasari. Autorja u vlerësua me çmimin "Migjeni" nga juria e Çmimeve Kombëtare. Vepra e Eirit nuk gjendet në ndonjë librari tjetër.


Nga shkrimtari Virgjil Muçi, fitues i çmimit "At Donat Kurti", i gjen të dyja vëllimet e "Përralla shqiptare 100+1 natë". Librarët thonë se është ndër më të shiturit e librave të çmimeve kombëtare. Ka edhe librari që nuk i kanë shitur asnjë kopje gjatë gjithë muajit.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›