Beteja për shpirtin e Izraelit

Deti i Vdekur shkëlqen në largësi. Naomi Machfud qëndron e ulur brenda shtëpisë të ndërtuar vetë, duke ëndërruar që bota të zhduket. Jo dëshiron që të mbulojë fytyrën, gojë, hundën dhe sytë. Një mbulesë e zezë, e cila zhyt botën në errësirë.
Machfud është një femër hebrenje, e martuar me një hebre. Çifti, së bashku me gjashtë fëmijë, jeton në një koloni në Bregun Perëndimor. Në Izrael, njerëzit femrave të mbuluara ju referohen si “talebanet”. Machfud thotë se me mijëra femra janë të mbuluara si ajo, por me gjasë numri i tyre është më i vogël dhe arrin në disa qindra. Ato mund të shihen zakonisht në lagjen ultra-konservatore të Jerusalemit, Meah Sharim.
Dikush mund t’i quaj këto femra të çmendura. Apo ato mund të cilësohen si prodhim i një komuniteti religjioz, i cili po bëhet gjithnjë e më ekstremist.
Konservatorët religjiozë po fitojnë në fuqi në gjithë Lindjen e Mesme, përfshirë këtu edhe Izraelin, ku rabinët ekstremistë kanë filluar të zgjerojnë ndikimin e tyre. Kjo bëhet në veçanti e qartë, kur bëhet fjalë për femrat.
Ajo që është ironike, bëhet fjalë për Izraelin, vendin i cili gjatë historisë është kryesuar nga një femër, Golda Meir, në vitet e 70-ta dhe ku femrat janë pilote, në të cilin tani fundamentalistët hebrenj po tentojnë të imponojnë ndarjen e gjinive në vendet publike-në zgjedhje, në autobusë dhe në rrugë-të gjitha këto gjëra në emër të moralit. Deri me tani, ky trend ka qenë më i dukshëm në Jerusalem, Beit Shemesh dhe në Bnei Brak, në afërsi të Tel Avivit, qendra këto të ultra-ortodoksëve.
Por kjo dukuri tani ka filluar të bëhet e dukshme edhe në ato qendra, në të cilat jetojnë izraelitët sekularë.
Madje edhe një ish-kryesues i Mossadit, agjencisë së jashtme izraelite të inteligjencës, ka tërhequr vërejtjen se ultra-ortodoksët tani paraqesin një kërcënim më të madh për vendin, se sa programi bërthamor i Iranit.
Bashkë-ekzistenca mes religjionit dhe demokracisë në shtetin hebre për një kohë të gjatë nuk ka qenë aspak problematike. Por tani pasojat po bëhen të qarta, shenja të vështirësive në shtetin e tendosur, një shteti që është edhe demokraci, edhe fuqi okupuese, një shtet i teknologjisë së lartë, ku një pjesë e popullsisë ende jeton sikur të ishte në shekullin e 19-të, një shtet që pranon imigrantët nga e gjithë bota, me kusht që ata të jenë hebrenj, përderisa njëkohësisht dëbon në mënyrë të pamëshirshme refugjatët. Tani ultra-ortodoksët po imponojnë një fundamentalizëm, i cili ka qëndrim armiqësor ndaj shtetit.
Naomi Machfud thotë se e ndien vetën mirë nën mbulesën e saj. “Disa meshkujve nuk ju pëlqejnë këto gjëra, ngase befas, ne jemi më religjioze se sa që janë ata”, rrëfen ajo.
Sinagogat dhe shkollat religjioze deri vonë kanë qenë të vetmet vende, ku ka ekzistuar ndarja gjinore.
Por para disa viteve, kjo ndarje filloi edhe nëpër autobusë. Qeveria e Izraelit nuk ndërmori asgjë kundër kësaj dukurie, deri në momentin kur një organizatë për të drejtat e femrave e dërgoi çështjen në Gjykatën Supreme. Gjykata para një viti mori vendimin se ndarja gjinore në autobusë është e ligjshme, vetëm nëse ajo bëhet në mënyrë vullnetare. Është ky një vendim, i cili pasqyron mungesën e vullnetit të shtetit për të marrë një qëndrim të qartë në konfliktin mes segmentit religjioz dhe atij sekular të shoqërisë.
Ndarja vullnetare gjinore tani është normë në lagjet ultra-ortodokse, por ajo ka filluar të përhapet edhe në lagjet tjera.
Tani po zhvillohen fushata kundër kësaj dukurie. Femrat po këndojnë nëpër rrugë dhe po refuzojnë të ulën në pjesën e prapme të autobusit. Disa mijëra njerëz morën në protestën kundër elementeve radikale në Beit Shemesh. Sidoqoftë, gjasat janë të vogla që këto fushata të ndalin trendin në fjalë.
Bëhet fjalë këtu për një luftë kulturore, e cila ka filluar që nga themelimi i Izraelit, ngase ende është e paqartë se çfarë duhet të jetë në të vërtetë Izraeli, një teokraci për hebrenjtë apo një shtet sovran demokratik? Ortodoksët duket se janë në rrugë e sipër që ta fitojnë këtë betejë të parimeve.
Edhe pse janë pakicë, pasi përbëjnë vetëm 10 për qind të popullatës, shkalla e natalitetit në mesin e tyre është tri herë më e lartë, se ajo në mesin e hebrenjve sekularë. Nëse vazhdon kështu, ortodoksët brenda pesë dekadave do të përbëjnë dy të tretën e popullatës.
Në shumë aspekte, Izraeli tani më shumë i ngjason Iranit, se sa Evropës. Bëhet fjalë për një shtet, ku nuk ka martesa civile dhe ku rabinët vendosin për martesat dhe shkurorëzimet.
Është një shtet, ku fëmijët ultra-ortodoksë nuk mësojnë as matematikë, e as anglisht, ku çdo çerdhe dhe batalion i ushtrisë ka nga një rabin të vet. Të gjitha këto gjëra kanë qenë të pranishme për dekada me radhë, por tani radikalët ortodoksë kanë filluar të okupojnë funksionet kryesore, duke i imponuar rregullat e tyre shoqërisë sekulare.
Për një kohë të gjatë, politikanët nuk kanë bërë asgjë. Dhe kjo është arsyeja se pse sot njerëzit si Joelisch Kraus, 38 vjeçar, tani po përcaktojnë rregullat. Kraus është urryes i Izraelit nga radhët e Neturei Karta, grup ky ultra-ortodoks dhe anti-sionist. Ai jeton në Meah Sharim, në mes të Jerusalemit, por është pjesëtarë i një shoqërie paralele, që jeton si në shekullin e 19-të.
Ai kurrë në jetë nuk ka shikuar televizor, nuk posedon letërnjoftim. Ai ngadalë po e minon qeverinë nga brenda, me refuzimin e tij për tu kyçur në shoqëri. Ai beson se kështu duhet të jetë, ngase, siç thotë ai, hebrenjtë nuk duhet ta qeverisin Tokën e Shenjtë, përderisa Zoti të mos dërgoi profetin e tij.
Cilat janë obligimet e femrës? Kraus shikon i habitur. “Mirë, ajo duhet të qëndrojë në shtëpi dhe të bëjë të gjitha gjërat që duhet të bëjë, si të lindë fëmijë, të rritë ata dhe të lajë rrobat. Ky është roli i tyre. Kjo është e tëra”, thotë Kraus.
Për të ruajtur këtë gjendje, Kraus po kryeson një fushatë kundër epokës moderne, në mënyrë që femrat të mos kërkojnë një ditë edukim dhe punësim.
“Hebrenjtë jo-religjioz kanë humbur që moti Jerusalemin. E vërtetë se e kanë një prefekt sekular, por ata vetëm po imagjinojnë se janë në pushtet”, thotë Kraus dhe buzëqeshë. Ai është i vetëdijshëm për statistikat e lindjes dhe e di se koha është në anën e ultraortodoksëve.
“Ne e udhëheqim Jerusalemin”, përfundon Kraus. (Der Spiegel)