Siria sulmon ashpër Ligën Arabe

Siria dënoi ashpërsisht të dielën vendimin qe Ligës Arabe për të pezulluar misionin monitorues në vend.
Vendimi i Ligës u motivua me rritjen dramatike të dhunës gjatë ditëve të fundit, por Siria pretendon se misioni është përdorur si një preteks, për një ndërhyrje ushtarake të huaj në vend.
Organizata e Kombeve të Bashkuara është duke konsideruar një rezolutë të re ndaj Sirisë, e cila parashikon masa të reja ndëshkuese dhe lë të hapur mundësinë e një agresioni.
Një delegacion i Ligës Arabe do të udhëtojë deri në Nju Jork, për të paraqitur propozimet e tij përpara OKB-së. Megjithatë, Rusia ka bërë të ditur se nuk do të pranojë asnjë plan të ri kundër Damaskut dhe se do të përdorë veton e saj në Këshillin e Sigurimit për këtë qëllim.
Në një komunikatë të Ministrisë së Jashtme, Siria shprehte “befasinë” dhe “keqardhjen e saj” për tërheqjen e misionit vëzhgues.
”Qëllimi i vetëm i këtij veprimi të Ligës Arabe është të vendosë nën presion Këshillin e Sigurisë, në mënyrë që të justifikojë një ndërhyrje ushtarake dhe të inkurajojë grupet e armatosura në vend që të përshkallëzojnë masën e revoltës dhe dhunën e tyre”, shkruhej në deklaratën e Damaskut zyrtar.