E Shtunë, 31 Tetor 2026

Linda Rama hyn në fushatë për të marrë votat e tironsave

Edi Rama vlerëson bashkëshorten: Linda ma kalon edhe në oratori

lindaTironsit për Rilindje, kështu e quajti kryetari i partisë Socialiste, Edi Rama takimin e zhvilluar me disa nga familjet e vjetra tiranse. Gjatë fjalës së tij, Rama shprehu bindjen se në 23 qershor tiransit do të votojnë për Partinë Socialiste duke i dhënë mundësi Tiranës për një rilindje. Por risia dje ishte pjesëmarrja e bashkëshortes së Ramës në këtë aktivitet. Linda Rama ka mbajtur prej kohësh një profil të ulët politik, por së fundi ka vendosur që të kontribuojë në fushatën e Partisë Socialiste.
Rama
Kam shpresë që më 23 qershor që edhe tironsit të zgjedhin PS, nuk lidhet me zgjedhjen time dhe skuadrës së rilindjes. Ka momente në historinë e një vendi ku duhet të zgjedhësh jo mes palëve. Sot nuk janë zgjedhje mes dy palësh, as mes dy njerëzish, janë zgjedhje mes rrënimit të mëtejshëm për të gjithë dhe një rilindje të të gjithëve bashkë. Zgjedhje për të marrë një vendim se çfarë Shqipërie duam nesër, tha Rama. Kreu i PS-së, tha se PS nuk ofron mrekullinë, por siguron se do të jetë gjithmonë në kreh të qytetarëve. Ne nuk do të bëjmë as magji se skemi shkop magjik, nuk premtojmë mrekulli, por hallet e njerëzve do jenë edhe tonat përpjekjet e njerëzve do jenë të miat e të skuadrës sime. Kam bindjen se Shqipërisë nuk i mungon asgjë, ndërkohë që deri më sot i ka munguar gjithçka, u shpreh Edi Rama.
Linda Rama
Në aktivitetin e djeshëm fushatës së Ramës në Tiranë iu bashkua edhe bashkëshortja e tij Linda Rama. Duke folur shpesh herë me një dialekt tiranas, Linda Rama u ndal gjatë tek fëmijëria e saj në Tiranë ndërsa i ftoi ata që të votojnë për bashkëshortin e saj në 23 qershor. Linda Rama ka folur edhe për prejardhjen e saj tiranase, për shtëpinë me qerpiç, etj. Nuk do të kisha ardhur sot nëse nuk do ta shihja si rast për të qenë mes tiranasve që duan një Tiranë dhe një vend ku të mos tretet për fare kultura qytetare e oborreve të bashkëbisedimit e të bashkëjetesës së urtë. Nuk do ta kisha marrë fjalën si një prej këtyre tiranasve nëse nuk do të ndjeja detyrimin për të nderuar gjyshërit e mi për gjithçka më dhanë e më bënë të kuptoj nga mënyra e vjetër tironse e të qenit njeri e qytetar, tha Linda Rama. Znj. Rama foli gjate dhe për bashkëqytetarët e saj të dalluar në shumë fusha. Në fund Linda kërkoi votën e tironsëve për Ramën në 23 qershor. Fjala e Lindës pati një vlerësim të veçante nga Rama, që pranoi se e shoqja e konkurron edhe në oratori.

Majko: Tironsit vetëm kanë dhënë dhe nuk kanë marrë
Në këtë aktivitet ka marrë pjesë edhe kryesuesi i listës së kandidatëve për deputetë të PS për Tiranën, Pandeli Majko. Ne të gjithë jemi rritur nga pak duke rritur edhe Tiranën. Të mendosh që Tirana ishte me 360 mijë banorë, sot është me 1 milion.Arsyeja pse unë kam ardhur i veshur pa kollare, ndryshe nga z.Rama – dikur i thoja unë atij të vinte kollare, tani jam unë që bëj të kundërtën e asaj që i këshilloja- por, thjesht për faktin se përballë jush, përballë tironsve, sa do flokë të bardhë të kemi, ne ndjehemi fëmijë, ndjehemi të ardhur, tha Majko duke buzëqeshur. Më shumë respekt, unë e di që të gjithë ne në raste fushatash themi tironsit, tironsit, tironsit, problemi është që tironsit në të gjithë këtë histori vetëm kanë dhënë dhe nuk kanë marrë. Po ju këtë e dini më mirë sesa unë. Ne të gjithë problemin bazë që kemi, si fenomen janë dy të paktën legalizimi i atyre që kanë ardhur dhe kompensimi i atyre që u është marrë. Shteti shqiptar nuk duhet të dorëzojë më asnjë tokë, asnjë centimetër tokë me një euro pa filluar kompensimi fizik. E, nëse fillon kompensimi fizik kjo do të fillojë nga ata që kanë dhënë më shumë, nga tiranasit, theksoi Majko.

Tabaku-Ramës: Tironsit rilindën në 8 maj duke refuzuar modelin tënd
Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Jorida Tabaku reagoi pas deklaratave të bëra nga kreu i PS-së, Edi Rama gjatë takimit me familjet e vjetra tiranse. Edi Rama u kujtua sot (dje) për rilindjen e tironsve, duke u fshehur pas Lindës. Si tironse, kam disa pyetje: Pse për 11 vjet z. Rama ia bllokoi këtyre njerëzve këtu, zhvillimin e pronës dhe Linda heshti?! Pse e vetmja pronë tironsish që u zhvillua në gjithë qytetin e Tiranës, edhe pse në kundërshtim me ligjin ishte prona e znj. Rama?! Pse nuk u dha sot asnjë sqarim për tironsit, për kërcënimin që ish-kryetari i Bashkisë bëri se në qoftë se vjen në pushtet, ai sërish do u mohojë zhvillimin e pronës këtyre njerëzve, tha Tabaku. Më tej Tabaku duke ju drejtuar Ramës tha se tironsit, z. Rama rilindën më 8 maj të vitit 2011 dhe rilindën duke refuzuar me votë modelin tënd. Sot, koha jote ka mbaruar!.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›