Betejat vendimtare

Kapiteni i Portugalisë, Cristiano Ronaldo beson se beteja në fushën e vështirë në Zenicë javën e kaluar do të inspirojë ata të mposhtin Bosnjën në shtëpi të martën dhe të sigurojnë kualifikimin për Euro 2012.
Barazimi pa gola i së premtes e la të hapur ndeshjen, por portugezët janë optimistë se në Lisbonë do të shfrytëzojnë përparësinë e nikoqirit për të triumfuar ndaj boshnjakëve.
“Ajo nuk ishte fushë, ne luajtëm në një fushë perimesh. Ishte shumë vështirë dhe prapë u paraqitëm mirë dhe krijuam raste. Tani kemi ndeshjen e kthimit në shtëpi para tifozëve tanë, në një fushë të mirë dhe janë të gjitha kushtet për të siguruar fitoren tonë. Duhet të tregojmë superioritetin tonë, ne jemi ekip më i mirë”, tha Ronaldo.
Një barazim me gola ose fitorja në Lus Stadium të martën do të dërgojë boshnjakët në garën e parë të rëndësishme ndërkombëtare si shtet i pavarur.
“Ndoshta portugezët mendojnë se ne jemi kundërshtar më i lehtë në një fushë më të mirë por nuk është ashtu. Edhe ne mezi presim të luajmë në një fushë të mirë” tha sulmuesi boshnjak Edin Dzeko.
Në ndeshjet e tjera, Mali i Zi shpreson të rikthejë disavantazhin prej 2-0 ndaj Republikës Çeke. “Ne arritëm të rikthehemi nga disavantazhi 2-0 kundër Anglisë dhe atë për vetëm 45 minuta andaj jam i sigurt se mund ta bëjmë për 90 minuta kundër çekëve të cilët nuk janë në të njëjtën shkallë të kualitetit me anglezët”, tha selektori Branko Brnovic.
Sulmuesi kosovar, Fatos Beqiraj sërish nuk pritet të jetë në formacionin bazë të malazezëve, që megjithatë kanë nevojë për gola nëse synojnë të kthehen në lojë dhe sigurojnë pjesëmarrjen në garën e vitit të ardhshëm në Poloni dhe Ukrainë. Kroacia ka epërsi 3-0 ndaj Turqisë, para ndeshjes së kthimit në shtëpi, por selektori Slaven Bilic refuzon të festojë para kohës.
“Gjëja e parë që kemi thënë në zhveshtore ishte se ende jemi në gjysmën e rrugës dhe na presin edhe 90 minuta të vështira në fushën tonë. Do të hyjmë në ndeshje me besim pas epërsisë prej tre golave në Turk Telekon Arena ku gjithçka funksionoi mirë”, tha ai.
Të dyja ekipet kanë mungesa. Mbrojtësi kroat Vedran Corluka dhe mesfushori Tomislav Dujmovic do të mungojnë për shkak të suspendimeve, për arsye të njëjtë sikurse Arda Turan, Sabri Sarioglu dhe Emre Belozoglu te Turqia.
Nga të gjitha përfaqësueset në barazh, Republika e Irlandës ka epërsinë më të madhe prej 4-0 përball Estonisë dhe vetëm ndonjë mrekulli do t’ju mohojë pjesëmarrjen në Euro 2012. Megjithatë, selektori Giovvani Trappattoni ka kërkuar nga futbollistët e tij të përsërisin paraqitjen e mirë nga ndeshja e parë dhe të festojnë kualifikimin në shtëpi.
Ndeshjet e kthimit të barazhit:
Kroacia-Turqia 20:05
Mali i Zi-Republika çeke 20:15
Rep. e Irlandës-Estonia 20:45
Portugalia-Bosnja 22:00