Betimi i Leka II në varreza, nipi i Zogut: Si shmangëm incidentin në Kuvend

Leka II, gjatë betimit si mbret në funeralin e Leka Zogut, në Varrezat e Sharrës
Skënder Zogu, nipi i Ahmet Zogut, propozon bashkimin e trojeve.
Kjo Konfederatë është një shpagim historik dhe moral që ndërkombëtarët kanë ndaj shqiptarëve
Po punojmë për krijimin e Konfederatës Shqiptare në Ballkan, e cila do të funksionojë sipas sistemit të Monarkisë Konstitucionaliste. Kjo deklaratë që për shumë politikanë dhe diplomatë konsiderohet si herezi dhe as guxojnë ta përmendin, për Skënder Zogun është një shpagim historik dhe moral që ndërkombëtarët kanë ndaj shqiptarëve. Si nipi i Mbretit Ahmet Zogu (1928-1939) dhe një ndër të besuarit e tij, ai dëshiron që të përmbushë idealet e xhaxhait dhe të birit të tij, kushëririt Leka Zogu I, për bashkimin e trojeve etnike shqiptare. Një ideal që duket utopik për ditët e sotshme, por që Skënder Zogu për kundrapeshë jep një shembull konkret: Edhe Kosova Republikë utopi dukej në fillim…. Gjerësisht, ai sqaron mënyrën e instalimit të Konfederatës, modelin e sistemit të qeverisjes, qëllimet, por jo mjetet për ti realizuar. Sepse derisa të vijë koha e mjeteve, sipas tij, duhet punuar me historinë e monarkisë. Ajo me çfarë po merremi si fillim është rishkrimi i historisë. Ende sot shumica e qytetarëve e dinë të kaluarën e Shqipërisë, me dogma, me parulla, me falsifikime, ashtu siç u është mësuar rëndom në komunizëm. Larg realiteteve të kohës dhe të vërtetave, thotë Skënder Zogu në pjesën e tretë të intervistës në gazetën Panorama. E treta dhe mbyllësja e ciklit të rrëfimit të tij, në tre breza, të cilën ia morëm pak orë para se të largohej nga Shqipëria në Francë, ku edhe jeton. Aktualisht ai ka mbetur dëshmitari i vetëm i familjes mbretërore që di sekretet e saj në një shekull; nga Ahmet Zogu, te i biri Leka Zogu I, e deri te nipi, Leka Zogu II. I pari ishte zyrtarisht Mbret në Shqipëri, i dyti mbret, jo në detyrë, ndërsa i treti ka mbetur ende Princ me status, edhe pse ka bërë betimin prej monarku. Se pse është ende Princ Leka II, edhe kjo çështje kërkon sqarim, që ashtu si edhe për shumë pikëpyetje të tjera rreth të ardhmes së monarkisë në Shqipëri, mund të merrni përgjigje më poshtë…
Para disa ditësh ndërroi jetë kushëriri juaj, pretendenti i fronit mbretëror shqiptar, Leka Zogu I. Si e shihni të ardhmen e Pallatit Mbretëror dhe përgjithësisht të monarkisë në Shqipëri, pas vdekjes së tij?
Besoj se e keni ndjekur Kryeministrin e Shqipërisë, z. Sali Berisha, që e theksoi vetë disa herë që referendumi për rivendosjen e monarkisë u manipulua dhe çështja nuk është mbyllur. Pallati Mbretëror tashmë është në pritje të një referendumi të dytë, në mënyrë që shqiptarët të shprehin vullnetin me votë për rivendosjen e monarkisë ligjërisht.
Për një monarki siç u instalua në vitin 1928, me atë Kushtetutë, apo ndonjë lloj tjetër sistemi monarkie?
Jemi gati një shekull pas dhe kohët kanë ndryshuar shumë. Sigurisht që Kushtetuta e vitit 1928 ka qenë shumë e mirë për atë periudhë, por tashmë ajo duhet rinovuar. Ajo çfarë propozojmë është një monarki konstitucionale.
Që do të thotë… Mund tia shpjegoni lexuesit me pak fjalë, si funksionon kjo lloj monarkie?

Skënder Zogu te varri i xhaxhait të tij, Ahmet Zogu
Mbreti mbretëron, ekziston ligjërisht, por nuk sundon apo qeveris. Monarki konstitucionale ka aktualisht Britania e Madhe, Belgjika, Danimarka, Holanda, vendet skandinave etj. Dhe po ta vëreni, shtetet që kanë adoptuar këtë lloj monarkie kanë edhe demokracinë më të madhe dhe gjithashtu janë më të fuqishme ekonomikisht. Prestigji i tyre jo vetëm që nuk ka rënë, por edhe është rritur nga dekada në dekadë. Mbretërit në këto vende luajnë një rol të rëndësishëm stabilizues. Për shembull, kini parasysh Belgjikën këtë vit. Qëndroi pa formuar qeverinë për 10 muaj dhe vetëm para pak ditësh ia arriti qëllimit. Ndërkaq, duke qenë se ishte mbreti, Belgjika nuk pati asnjë lloj problemi pse nuk kishte qeveri dhe nuk u vu në asnjë moment në pikëpyetje stabiliteti.
Megjithatë, siç e thatë edhe ju vetë, po kalon gati një shekull nga koha kur shqiptarët patën një mbret. A nuk është paksa utopike rikthimi i monarkisë aktualisht?
Aspak. Po marr një shembull të fundit. Ashtu dukej edhe krijimi i shtetit të Kosovës, por tashmë është fakt Republika e saj.
A keni një plan për të arritur rivendosjen e monarkisë?
Shpresa jonë, ëndrra jonë, plani ynë konkret, është bashkimi i trojeve etnike shqiptare. Ky ka qenë ideali i Mbretërisë Shqiptare që nga krijimi dhe ky do të jetë deri në fund, pra, deri në përmbushjen e këtij ideali.
Më konkretisht ju lutem, në çmënyrë do ta përmbushni këtë ideal?
Ajo me çfarë po merremi si fillim është rishkrimi i historisë. Nuk mund të kapërcehet nga një shekull në tjetrin pa pasur një histori të besueshme, një histori reale. Ende sot shumica e qytetarëve e dinë të kaluarën e Shqipërisë, me dogma, me parulla, me falsifikime, ashtu siç u është mësuar rëndom në komunizëm. Larg realiteteve të kohës dhe të vërtetave. Tashmë, 20 vjet pas instalimit të demokracisë, duhet urgjentisht të fillohet me korrigjimin e teksteve të shkollave. Pra, të pastrohen të gjitha njollat që i janë vënë monarkisë. Të flitet për gabime ku ka gabime, por ama të jepen merita aty ku ka merita. Dhe mendoj se merita më e madhe e Mbretit Zog ka qenë nacionalizmi; ideali i bashkimit të trojeve etnike. Ideal që ne do të përpiqemi ta çojmë deri në fund, duke nisur që nga bashkimi i Shqipërisë dhe Kosovës. Një bashkim që vetëm sa nuk është pranuar zyrtarisht nga ndërkombëtarët, pasi siç e dini, shqiptarët e Shqipërisë dhe të Kosovës kalojnë lirshëm nga njëri shtet në tjetrin, pa burokraci. Kufijtë thuajse janë inekzistentë. Me kalimin e kohës, do të jenë de jure inekzistentë. Po ashtu, në Maqedoni, Mal të Zi dhe në Greqi, kemi troje të tjera shqiptare. Duke ia nisur fillimisht me bashkimin e Shqipërisë dhe Kosovës, le të krijojmë një Federatë Shqiptare, duke adaptuar nga disa prej shteteve më të zhvilluara të Europës Monarkinë Konstitucionaliste. Më pas, pak nga pak, të afrojmë dhe trojet shqiptare nëpër shtetet e tjera fqinje, duke e shndërruar Federatën në Konfederatë. Do të ishte e mrekullueshme që të gjithë shqiptarët të bashkoheshin dhe që të ndodhë kjo mrekulli, pa përçarje politike, duhet patjetër ligjërimi i mbretit, sipas sistemit që ju tregova. Një mbretëri do ti konsolidonte shqiptarët dhe do ti bënte shumë të fuqishëm në Ballkan dhe më gjerë.
Kjo që po thoni ju, lidhur me Konfederatën Shqiptare është shumë e guximshme. Deklarime të tilla janë quajtur edhe herezi politike…
Kjo që po them unë është e vërteta dhe po vjen koha që dëmi që u është bërë shqiptarëve shekullin e kaluar, duke i copëtuar, të paguhet. Krijimi i Konfederatës Shqiptare, e udhëhequr nga mbreti, do të ishte shpagim historik dhe moral nga ana e ndërkombëtarëve. Nuk ka herezi kur bëhet fjalë për atdheun. Herezi është që të heshtësh për të.
Në rastin e Konfederatës shqiptare, kush do të ishte mbreti?
Mbreti ka qenë dhe është. Nga brezi në brez, trashëgohet titulli. Ne tashmë ke