E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trojka në Greqi, 'goditja e fundit' për sektorin privat

ATHINE - Përfaqësuesit e Trojkës (FMN, BQE, Komisioni Evropian) mbërrijnë sot në Athinë, për ngociatat mbi programin e ri të ndihmës dhe programin e shkëmbimit të obligacioneve. 

Objektivi i qeverisë është të sigurojë pjesëmarrje sa më të madhe të sektorit privat në programin e shkëmbimit të obligacioneve, për të arritur objektivin e prerjes borxhit, por negociatat do të jenë të vështira, sepse pjesëmarrja është ende e ulët. 

Në këtë mision të cilësuar “faktmbledhës”, Trojka do të shqyrtojë përparimin e programit aktual si dhe "do të shkëmbejë pikëpamjet me qeverinë greke mbi çështje që lidhen me një program të dytë ndihme".

Pritet që Trojka të japë një "goditje" të fortë në sektorin privat, me qëllim reduktimin e mëtejshëm të kostove të punës në këtë sektor.

Mediat greke paralajmërojnë se përfaqësuesit e Trojkës do të këmbëngulin sërish në uljen e pagës minimale të punonjësve në sektorin privat. Kjo çështje u diskutua njëherë në muajin tetor dhe shkaktoi tronditje të madhe në shoqërinë greke. 

Trojka do të kërkojë gjithashtu "prerjen" e pagës 13 dhe 14 në këtë sektor.

Gjithashtu zyrtarët e Trojkës do të bëjnë presion për pushime të reja në sektorin publik, pasi janë të pakënaqur me ritmin e aplikimit të sistemit të punonjësve rezervë.

Një tjetër temë e "nxehtë" në diskutimet e zyrtarëve të Trojkës do të jetë edhe ligji i ri tatimor, ndryshimi i rimbursimit të TVSH-së për fermerët si dhe heqja e rregjimit të taksave të posacme, të zbatueshme në ishujt etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›