E Diel, 1 Nëntor 2026

Vetoja në samitin e BE, Kameron, shpjegime para deputetëve

LONDËR- Kryeministri britanik Devid Kameron do të përballet sot me një interpelancë në parlament, ku do të shpjegojë vendimin e tij për ti vënë veton ndryshimeve të traktatit të BE-së, që e la Londrën jashtë marrëveshjes së arritur në samitin e së premtes në Bruksel.

Vetë lideri liberaldemokrat dhe njëkohësisht zëvendës kryeministri Nik Kleg e ka quajtur vendimin e tij të gabuar që rrezikon të izolojë Britaninë e Madhe.

Duke folur për BBC, Kleg tha se ishte tepër i zhgënjyer me rezultatet e samitit dhe se mendon që ekziston rreziku real që Britania e Madhe mund të izolohet dhe margjinalizohet brenda BE-së.

Por, kritikat më të mëdha janë bërë nga opozita britanike, e cila pritet ta sulmojë fort kryeministrin gjatë interpelancës së sotme. Lideri laburist Ed Miliband e ka krahasuar vendimin e Kameron me atë të Entoni Eden për të mos iu bashkuar themeluesve të Bashkimit Europian në vitin 1958. Ai ka kërkuar që kryeministri të japë shpjegime se pse bëri një gjë kaq të keqe për Britaninë e Madhe.
(el.me/news24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›