Betohet Meloni, gruaja e parë kryeministre e Italisë! Qeveria e re, më e djathta që vendi ka parë në dekada

Giorgia Meloni, liderja e ekstremit të djathtë, është betuar si kryeministre e Italisë, gruaja e parë në vend që merr një postë të tillë. Meloni është betuar para presidentit të Italisë, Sergio Mattarella. Pas kësaj ceremonie, qeveria e re do të kërkoj besimin e parlamentit të martën.
Përbërja e qeverisë së re: Ministrinë e Jashtme e merr Antonio Tajani i ‘Forza Italia’, i cili ka qenë kryetar i Parlamentit Europian, Ministria e Financave është marrë nga Giancarlo Giorgetti nga ‘Liga’ dhe ish-prefekti i Brendshëm, Matteo Piandedozzi merr postin e Sekretari i Lidhjes, Matteo Salvini, merr Ministrinë e Infrastrukturës.
Guido Crozeto u zgjodh në krye të Ministrisë së Mbrojtjes, ndërsa ish-gjyqtari Carlo Nordio në Ministrinë e Drejtësisë. Ministria e Bujqësisë do të drejtohet nga Francesco Lollobrigida. Në total, ministritë e qeverisë Meloni janë 26, teksa zëvendëskryeministër të qeverisë do të jenë edhe Matteo Salvini dhe Antonio Tajani.
Meloni fitoi zgjedhjet në një fushatë të ndërtuar rreth një premtimi për të bllokuar anijet e emigrantëve dhe mbështetje për “vlerat familjare” tradicionale dhe temat anti-LGBTQ.
Ajo kryeson një aleancë të partive të ekstremit të djathtë dhe të qendrës së djathtë dhe do të formojë qeverinë më të djathtë që Italia ka parë në dekada.
Fitorja e Melonit në zgjedhjet parlamentare në shtator tregon se “joshja e nacionalizmit mbetet e pandërprerë në Itali”, por zotimi i saj për ta çuar vendin në një kthesë të fortë djathtas krijon shumë pasiguri se çfarë do të ndodhë më pas.
Qeveria e re përbëhet nga një koalicion me dy liderë të tjerë të krahut të djathtë. Njëri është Matteo Salvini, një ish-ministër i brendshëm, dhe tjetri është Silvio Berlusconi, ish-kryeministri italian i qendrës së djathtë.
Të dy burrat kanë shprehur publikisht admirim për presidentin rus Vladimir Putin, gjë që ka ngritur pikëpyetje se cila do të jetë qasja e koalicionit ndaj Rusisë.
Vetë Meloni, e cila ka qenë një mbështetëse e fortë e Ukrainës, u përpoq të sqaronte se ku do të qëndronte qeveria e saj.
“Do të jem gjithmonë e qartë, kam ndërmend të drejtoj një qeveri me një politikë të jashtme të qartë. Italia është plotësisht pjesë e Evropës dhe e Aleancës Atlantike. Kushdo që nuk është dakord me këtë gur themeli, nuk do të jetë në gjendje të jetë pjesë e qeverisë. Me ne që qeverisim, Italia nuk do të jetë kurrë lidhja e dobët e Perëndimit”, tha ajo.
/rtsh.al/