Betohet në Kuvend qeveria Daçiç: Prioritet, rruga evropiane

Kryeministri i ri i Serbisë, Ivica Daçiç ka deklaruar sot se prioritet i qeverisë së re do të jetë vazhdimi i rrugës evropiane të Serbisë dhe zgjidhja e çështjeve të rënda shtetërore.
“...por, pa rimëkëmbjen ekonomike, asnjëri nga këto synime nuk do të realizohet”, u ka thënë Daçiç gazetarëve, pas betimit të tij dhe të Ministrave të rinj në Kuvendin e Serbisë.
Ai theksoi se qeveria e re do të veprojë si ekip dhe se do të vazhdojë praktikën e të qenët të hapur para mediave.
Daçiç gjithashtu ka shprehur kënaqësi për numrin e deputetëve që kanë përkrahur qeverinë e tij.
Në favor të përbërjes së re qeveritare kanë votuar 142 deputetë, ndërsa kundër kanë qenë 72 dhe 26 të tjerë kanë munguar.
Daçiç, përveç postit të Kryeministrit, mban edhe atë të ministrit të Punëve të Brendshme, ndërsa në koalicion marrin pjesë Partia Përparimtare e Serbisë, Partia Socialiste e Serbisë dhe disa subjekte më të vogla politike.