Biberaj: Integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, një domosdoshmëri
Deputeti i Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj, njëkohësisht zv. President i Grupit Parlamentar të Partive Popullore Evropiane në KE, ka deklaruar dje në Strasburg se “zgjerimi i mëtejshëm i BE-së tashmë është një domosdoshmëri dhe se integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE duhet të jetë një prioritet edhe i vetë Bashkimit Europian. Zyra e shtypit e deputetit Biberaj bëri të ditur se Biberaj drejtoi sot mbledhjen e Byrosë së Grupit Parlamentar të PPE-së në KE. Byroja e PPE-së ka diskutuar axhendën e punimeve të Asamblesë Parlamentare të KE-së, e cila do të zhvillohet këtë javë në Strasburg si dhe qëndrimet politike që do të mbajë ky grup parlamentar. Vend të rëndësishëm në mbledhjen e Byrosë zuri diskutimi mbi refuzimin që i ka bërë Irlanda, nëpërmjet referendumit, Traktatit të Lisbonës. Në këtë diskutim, zoti Biberaj shprehu opinionin e tij, duke nënvizuar se “refuzimi që i ka bërë Irlanda Traktatit të Lisbonës nuk duhet parë me tragjizëm, pasi referendumi mund të përsëritet, me qëllim që të arrihet një rezultat pozitiv, ose mund të shihet mundësia që miratimi i Traktatit të Lisbonës të bëhet nëpërmjet Parlamentit të Irlandës”. Sipas tij, miratimi i Traktatit të Lisbonës nga të gjitha vendet anëtare të BE-së është mjaft i rëndësishëm, pasi ky traktat përbën një dokument themelor për të ardhmen BE-së dhe të Europës. Në përfundim, mbledhja e Byrosë ka miratuar edhe deputetët që do të përfaqësojnë opinionin e grupit PPE në debatet që do të zhvillojë Asambleja Parlamentare e KE-së këtë javë. Grupi Parlamentar i PPE-së është grupi më i madh në KE, me 202 deputetë. Sesioni i qershorit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, zhvilloon punimet nga data 23 deri më 27 qershor. Delegacioni shqiptar kryesohet nga deputeti i Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj, ndërsa në përbërje të tij janë edhe deputetët Kastriot Islami (PS), znj. Lajla Përnaska (PR), si dhe Paskal Milo (PDS). Në këtë sesion të Asamblesë Parlamentare të KE-së, veç te tjerash është parashikuar për t'u zhvilluar një debat urgjent mbi funksionimin e institucioneve demokratike në Turqi, ku është ftuar të marrë pjesë edhe Ministri i Jashtëm turk. Ky debat zhvillohet pas kërkesës së Prokurorit të Përgjithshëm turk për nxjerrjen jashtë ligjit të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (Partia e Kryeministrit Erdogan), si dhe pas pranimit që i ka bërë kësaj kërkese Gjykata Kushtetuese. Asambleja do të diskutojë për situatën e demokracive në Europë. Gjithashtu, në të parashikohet të diskutohet dhe për situatën e demokracisë në Kinë. Asamblesë do t'i adresohet, me cilësinë e Kryetarit të Komitetit të Ministrave të KE-së, edhe Ministri i Jashtëm suedez, Carl Bildt, i cili do të informojë për prioritetet e Presidencës Suedeze të KE-së. Zoti Bildt pritet t'i përgjigjet gjithashtu pyetjeve të anëtarëve të Asamblesë. Gjithashtu, Asamblesë do t'i adresohen edhe një sërë personalitetesh politike, si dhe të ftuar nga shoqëria civile.