E Diel, 1 Nëntor 2026

Biberaj: Kjo Nuk është më PD (Partia Demokratike) por PB (Partia Berisha)

Nga Skënder Minxhozi

Ish anëtari i kryesisë së PD, Aleksandër Biberaj thotë se Këshilli i fundit Kombëtar vijoi spastrimin e themeluesve e figurave të njohura brenda partisë. Ai thotë se koalicioni me LSI po i krijon kosto të jashtëzakonshme PD-së
Zoti Biberaj, cilat janë komentet tuaja, pas mbledhjes së fundit të Këshillit Kombëtar?
Në radhë të parë do ti uroja kolegët e kryesisë, të zgjedhur apo të emëruar. E dyta ka të bëjë me shkeljen flagrante të statutit nga lidershipi i PD-se, i cili nuk e ka thirrur mbledhjen e Këshillit Kombëtar për 1 vit e gjysmë nga Kuvendi Kombëtar i Dhjetorit 2009, duke e lënë PD-në pa asnjë forum drejtues.
Edhe tani që kemi një kryesi të re, kjo kryesi do të jetë me mandat të përgjysmuar, pasi pas dy vitesh duhet të thirret Kuvendi Kombëtar i radhës, natyrisht nëse do të respektohet statuti. E treta, mbledhja e Këshillit Kombëtar nuk bëri asnjë analizë të zgjedhjeve të 8 majit, të humbjes së qyteteve kryesore dhe të qytetarisë, dhe përveç konferencës për shtyp të lidershipit me sfond anëtarët e Këshillit Kombëtar, nuk pati as diskutime dhe as debate.
E katërta, kjo mbledhje e Këshillit Kombëtar në vijimësi të frymës përjashtuese dhe spastruese të Kuvendit Kombëtar të Dhjetorit 2009, shënoi edhe shkëputjen përfundimtare të lidershipit të PD-së nga Dhjetori 90, nga themeluesit e PD-së, nga ish-pedagoget dhe ish-studentët e Dhjetorit 90, sepse edhe ata pak që kishin ngelur u përjashtuan. Tani ka ngelur vetëm që lidershipi të kryejë edhe aktin formal të ndryshimit të emrit të partisë dhe ti vërë emrin e vet, pra nga PD ta quajë PB.

Ju dhe disa figura të tjera të njohura brenda partisë, nuk jeni më anëtarë të kryesisë së PD-se. Si e lexoni këtë largim nga ky forum i lartë drejtues?
E lexoj ashtu siç është, përjashtim, spastrim i partisë në mënyrë aspak demokratike nga lidershipi që përfaqëson një mentalitet tepër të vjetër nga ata që gabojnë të mendojnë, shkruajnë apo lexojnë. Është sëmundje 20-vjeçare kjo e PD-se, që vetëm sa ka ardhur duke e rënduar situatën brenda PD-se.

Çfarë efekti krijon tek ju fakti që kjo forcë politike, prej njëzet vjetësh, e ka tejet të vështirë të pranojë debatin dhe mendimin alternativ brenda vetes?
Është një ndër zhgënjimet më të mëdha të këtyre 20 viteve tranzicion, si e krijuam ne PD-në në Dhjetorin 90 dhe si e ka katandisur sot lidershipi PD-në pas 20 vitesh, çfarë metamorfoze ka pësuar PD, nga një parti demokratike ne një parti që asgjë nuk ka më demokratike, nga një parti të shumicës së shqiptarëve në një parti të një individi dhe të një kaste pushtetarësh, servilësh dhe të paaftësh rrotull tij.

Ka rregullisht komente, analiza dhe prezencë debati në media, kur është fjala për të përshkruar atë që ndodh brenda Partisë Socialiste. A nuk mendoni se ka pak analizë, në lidhje me atë që ndodh brenda Partisë Demokratike? Nëse po, pse ndodh diçka e tillë?
Debatin brenda PS-së dhe për PS-në do ta quaja normal, si pjesë të demokracisë, natyrisht brenda disa limiteve të caktuara. Fatkeqësisht nuk ka fare analizë apo debat publik ose mediatik për atë që ndodh brenda PD-së, megjithëse është parti qeverisëse. Çurçilli ka thënë Problemi është qeverisja. Natyrisht që debati për opozitën është edhe i sponsorizuar dhe i nxitur nga qeveria, mediat qeveritare dhe pseudo-analistët furgon që bredhin të paguar nga qeveria nga njëri stacion televiziv tek tjetri. Opozita e opozitës është deformimi më i madh që mund ti bëhet demokracisë, dhe ky është një fenomen tipik shqiptar. Fatkeqësisht këtë fenomen e kanë promovuar të parët, ish-kryeministrat socialistë, dhe ne si PD e kemi vuajtur shumë fenomenin e opozitës së opozitës, fenomen që filloi në vitin 1999 me largimin nga PD të reformatorëve, por shumë shpejt koha tregoi se opozita e opozitës sponsorizohej nga qeveria socialiste. E njëjta gjë po ndodh edhe sot, por palët kanë ndërruar portat.

Zgjedhjet lokale u mbyllën. Cili është leximi që ju i bëni rezultatit politik që mori PD më 8 maj?
Humbje të thellë në qytetet kryesore, humbje e mbështetjes së qytetarisë, ndërkohë që PD u krijuar si parti studentësh, pedagogësh, intelektualësh dhe e qytetarisë së Tiranës dhe gjithë Shqipërisë.

Bashkia e Tiranës ka qenë një mollë sherri për shumë javë, e mesa shihet do të vijojë të jetë e tillë edhe shumë kohë akoma. Cili është komenti juaj për mënyrën sesi u mbyll kontesti i Tiranës?
Natyrisht që procesi u tejzgjat duke lënë një shije të hidhur tek qytetaret shqiptarë por edhe tek ndërkombëtarët. Lidhur me kontestimet, ato ndoqën rrugën e tyre ligjore, dhe përderisa jam për shtetin ligjor, rezervoj të drejtën të mos komentoj vendimet e gjykatave, por thjesht ti respektoj si qytetar dhe ti zbatoj po të isha zyrtar.

PD ka hyrë në gjysmën e dytë të mandatit të saj qeverisës. Si e shihni përformancën e qeverisjes së saj?
Ky mandat, jam shprehur që në fillim të tij, është një mandat i kalbur që në embrion, dhe më vjen keq që kjo rezulton të jetë më se e vërtetë edhe sot pas dy vitesh qeverisje. Koalicioni me LSI-ne po i jep çdo dite PD-se një kosto të jashtëzakonshme. Nga kontaktet që kam në auditore universitare me përfaqësues të administratës publike, më rezulton që në administratë pothuajse nuk punohet që prej dy vjetësh, pra administrata publike është e paralizuar prej dy vjetësh, dhe është rritur korrupsioni dhe injoranca në mënyrë progresive në administratë.

Si i gjykoni sulmet e maxhorancës ndaj Presidentit dhe komentet për votën e Presidentit me 8 Maj?
Është më se e qartë që janë sulme të mirëfillta politike, që tregojnë frikën e pushtetarëve aktualë nga humbja e pushtetit. Komentet për votën e Presidentit më 8 Maj, më kujtojnë kohët e vjetra kur Sigurimi i shtetit natën fuste armë nëpër kisha dhe xhami, ndërsa ditën i gjente po aty ku i kishte lënë duke akuzuar dhe çuar ne gijotinë pastaj klerikët fetarë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›