Biberaj: Sinjalet nga Bukureshti janë që Shqipëria do ta marrë ftesën e aleancës
Deputeti i Partisë Demokratike njëherazi zëvendëspresident i Asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës, Aleksabdër Biberaj, ka deklaruar dje se me fillimin e punimeve të sesionit të radhës të Samitit të zgjerimit të NATO-s, që mbahet në datat 2-4 prill në Bukuresht të Rumanisë, sinjalet janë që Shqipëria të marrë ftesën dhe t’u bashkangjitet vendeve që prej vitesh apirojnë në Aleancën rajonale. “Të gjitha sinjalet e fundit kanë qenë pozitive për marrjen e ftesës për Shqipërinë. Shpresoj që ajo të merret edhe nga Maqedonia, e cila rrezikon për çështjen e emrit, por shpresoj që kjo zgjidhje të arrihet përpara Samitit të Bukureshtit në mënyrë që të tre vendet e kartës së A3-it të bëhen anëtare të NATO-s, pasi kjo i shërben edhe stabilitetit dhe paqes në rajonin e Ballkanit”, deklaroi Biberaj. Sipas tij, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO përbën jo vetëm një impakt pozitiv politik, ka impakt pozitiv edhe për sigurinë dhe stabilitetin e Shqipërisë, si dhe për ekonominë shqiptare, pasi të jesh vend anëtar i NATO-s, do të thotë të jesh një vend i hapur dhe i pranuar për investimet e huaja. Ai vuri në dukje gjithashtu se, ftesa e anëtarësimit të vendit tonë për në NATO përbën një eveniment historik dhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës kjo është fitorja e dytë për kombin shqiptar. “Prononcimi i ish-sekretarit amerikan të mbrojtjes Donald Rumsfeld ka qenë pozitiv për vendet e A3-it, i tillë ka qenë edhe prononcimi i Sekretares amerikane të Shtetit, Condoleza Rice si dhe mesazhet e Presidentit të SHBA-së George Ë. Bush. Të gjitha reagimet janë pozitive dhe sigurojnë marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO”, tha më tej ai. Duke vlerësuar se impakti i ngjarjes së 15 Marsit ka të bëjë vetëm me zhvillimet e brendshme të Shqipërisë, Biberaj vuri në dukje se nga takimet që ka zhvilluar me përfaqësues të politikës ndërkombëtare, Këshillit të Europës dhe Bashkimit Europian “nuk di që kjo ngjarje të ketë impakt ndërkombëtar”. “Politika ndërkombëtare ka vlerësuar shumë rolin e Shqipërisë gjatë viteve të fundit në Ballkan, i cili ka qenë rol totalisht në shërbim të paqes dhe stabilitetit”, u shpreh Biberaj. Ndërkaq, deputeti I PD-së, Biberaj kërkoi që opozita të jetë pjesë e reformave, pasi ato I shërbejnë të gjithë spektrit politik. “Reformat nuk i shërbejnë vetëm një maxhorance dhe qeverisë, por i shërbejnë gjithë spektrit politik ndaj mesazhi për opozitën është që të jetë pjesë e reformave, siç ka qenë realisht gjatë këtij viti, pasi sinjalet e bashkëpunimit që ka dhënë opozita kanë pasur patjetër impakt pozitiv, lidhur me marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO”, theksoi Biberaj. Duke theksuar se marrja e ftesës për anëtarësim në NATO do të ketë obligime për Shqipërinë, e cila duhet të vazhdojë në rrugën e reformave dhe bashkëpunimi me opozitën do të jetë një element i rëndësishëm në këtë drejtim. “Ne duhet të vazhdojmë në rrugën e reformave për kodin elektoral dhe sistemin e drejtësisë, si dhe në reforma të tjera të rëndësishme që kanë të bëjnë me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian”, tha Biberaj, duke shtuar se opozita mund të ketë pasur disa reagime emotive, nisur nga ngjarja e Gërdecit, por shpresoj se ajo do të jetë bashkëpunuese, pasi bashkëpunimi është në interes të Shqipërisë dhe shqiptarëve.“Nuk mund të kuptoj një qëndrim të tillë të një opozite që nuk ofron bashkëpunim për reformat, që realisht janë në interes të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Mendoj se opozita, pavarësisht se mund të ketë pasur disa reagime emotive do të jetë pjesë e reformave, pasi dihet se reformat i shërbejnë të gjithëve, sidomos reforma të tilla siç janë reformat në sistemin e drejtësisë dhe reforma elektorale që i shërbejnë vendit për dekada të tëra”, tha më tej në vijim ai. Në këtë aspekt, Biberaj shtoi se në rast se opozita nuk bashkëpunon me maxhorancën do të thotë se ajo do t’i kthehet modelit të vjetër të të bërit opozitë, model që nuk është në interes të askujt. “Kjo nuk i shërben askujt aq më tepër që po bëhemi gati për zgjedhjet e vitit 2009, zgjedhje të cilat patjetër duhet të jenë të lira e të ndershme, në mënyrë që të prodhojnë stabilitet politik dhe një maxhorancë të qëndrueshme”, pohoi ai. Biberaj, konfirmoi angazhimin e maxhorancës për të siguruar një infrastrukturë zgjedhore të përshtatshme dhe konkretisht angazhimin për pajisjen e qytetarëve me karta identiteti dhe pasaporta biometrike.