E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biberaj: Sulmet ndaj Topit, politike

Anëtari i Kryesisë së PD, Aleksandër Biberaj, analizoi dje përplasjen më të fundit midis mazhorancës dhe presidencës


"Sulmet ndaj institucioneve të pavarura kushtetuese, synojnë gjunjëzimin/nënshtrimin e institucionit"


TIRANË- Sulmet e përsëritura të lidershipit të mazhorancës, Sali Berisha, ndaj institucionit të Presidentit të Republikës janë sulme qartësisht politike dhe bëhen me qellim gjunjëzimin ose nënshtrimin e këtij institucioni tepër të rëndësishëm kushtetues.


Ky është vlerësimi i bërë nga anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj, duke iu referuar përplasjes së fundit të mazhorancës dhe Presidencës. Sipas tij, ky sulm nuk përbën tashmë një rast të shkëputur apo të vetëm, por një filozofi politike të ngritur në sistem nga lidershipi i mazhorancës.


Ai e cilëson këtë metodë si një model politik tejet të deformuar dhe antidemokratik që synon nënshtrimin dhe kontrollin e plotë të institucioneve të pavarura kushtetuese nëpërmjet presioneve dhe sulmeve politike. Për zyrtarin e lartë demokrat, mentalitetet dhe modelet e nënshtrimit të institucioneve të pavarura kushtetuese nëpërmjet sulmeve ndaj tyre, përbëjnë mentalitete dhe modele tepër të vjetruara politike dhe të tejkaluara tashmë, pa asnjë lloj perspektive dhe pa të ardhme.


"Sulmet ndaj institucioneve të pavarura kushtetuese, që përbëjnë tashmë tendenca të hapura dhe synime të qarta të lidershipit të mazhorancës aktuale, synojnë
gjunjëzimin/nënshtrimin e këtyre institucioneve, duke dhunuar në mënyrë flagrante një ndër parimet bazë të demokracisë, si dhe duke goditur një ndër gurët e themelit dhe kolonat mbajtëse dhe mbrojtëse të demokracisë dhe të shtetit ligjor të së drejtës, që është ndarja e pushteteve dhe respektimi i kësaj ndarjeje", theksoi Aleksandër Biberaj.


Për ish-zëvendëspresidentin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, në themel të demokracisë, krahas zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, qëndron edhe ndarja edhe respektimi i pushteteve, dhe pikërisht cenimi i secilit prej këtyre gurëve të themelit, përbën edhe cenim dhe rrezikim të demokracisë.


Në të njëjtën kohë, vijon arsyetimin e tij anëtari i Kryesisë së PD, këto sulme ndaj institucioneve janë tregues i degradimit të qeverisjes, i varfërisë dhe shterpësisë së saj, pse jo edhe strategji e tërheqjes së vëmendjes nga problemet e shumta që ka vendi dhe qytetarët shqiptarë.


Probleme të cilat, sipas tij, duhet t'i zgjidhë qeverisja, e cila në çdo vend demokratik votohet për të forcuar dhe respektuar institucionet e pavarura dhe kushtetuese dhe jo për t'i sulmuar apo shkallmuar ato. Nga ana tjetër, ai vlerëson se sulmet ndaj Presidentit të Republikës, Bamir Topi, përbëjnë një mungesë të theksuar morali dhe shkelje të etikës.


"Sulmet ndaj Presidentit (Ish-n/kryetar i PDSH-së, ish-kryetar i Grupit Parlamentar të PD-së, si dhe një ndër përfaqësuesit më dinjitoz të së djathtës reale shqiptare), përbëjnë një mungesë të theksuar morali dhe shkelje të rëndë të etikës, pasi Topi si për ironi të fatit po sulmohet nga "të vetët", "nga pjesëtarët e familjes së tij politike", strategji e qartë kjo dhe konstante e lidershipit të mazhorancës, që synon dobësimin, në moseliminimin e të djathtës reale në Shqipëri", tha dje në një komunikim për mediat, Aleksandër Biberaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›