E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Këtë vit, rritje me 70% të eksporteve "Made in Albania"

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, deklaroi dje nga qyteti i Korçës se në vitin 2010 janë shënuar nga zhvillimet më të mëdha dhe më pozitive në vend, rritja me 70 për qind e eksporteve "Made in Albania" dhe është tejkaluar me 27 pikë, për lehtësitë në regjistrimin e biznesit, mesatarja e vendeve më të zhvilluara, anëtare të OECD-së.


"Për ne, shqiptarët, është një arritje historike, që kemi kaluar nga vendi me investime të ndaluara në Europë dhe Botë, në vendin që e tejkalon me 27 pikë, për lehtësitë në regjistrimin e biznesit, mesataren e vendeve më të zhvilluara të planetit, anëtare të OECD-së.


Për ne, shqiptarët, është një arritje historike fakti se investimi në gjithë sektorët në Shqipëri, krahasuar me vendet mesatare të OECD-së është 7 pikë përpara, 7 për qind më i mirë", u shpreh Berisha. Në këto pesë vite, tha ai, qeveria e ndryshoi mjedisin për investimet. Po kështu, vijoi kreu i qeverisë, në krahasim me investimet, Shqipëria qëndron në pozicionet më të larta, në vendin e 14-të në botë.


Sipas tij, në lirinë fiskale është një nga vendet me liri fiskale më të lartë në Botë, mbi 94 për qind. "Reforma të thella janë ndërmarrë dhe së shpejti, zbatohen gjatë kësaj vjeshte. Ne do të bëjmë gjithçka dhe nuk do të ndalemi derisa Shqipëria të qëndrojë në krye për sa i përket klimës së biznesit. Ne besojmë se pikërisht në këto reforma qëndron dhe leva e Arkimedit, për ta ndryshuar me shpejtësi këtë vend", komentoi situatën ekonomike në vend, Kryeministri Berisha.


Për të, asnjë vend tjetër nuk ka ndryshuar më shpejt se Shqipëria dhe nuk ka shpejtësinë e ndryshimit të saj, por si vend kohëhumbur ka nevojë për shpejtësi marramendëse, edhe më të mëdha dhe ne do t'i realizojmë ato. Këtë vit, nënvizoi ai, eksportet janë rritur me 70 për qind, importet janë rritur me 8 për qind, duke mbajtur regjimet më të hapura.


Sipas tij, kudo në vend bëhen investime shumë serioze dhe cilësore, por ndihet i kënaqur dhe i lehtësuar, sepse kjo qeveri ia ka dalë të krijojë një mjedis më miqësorin në Europë dhe Botë për bizneset.

*****************************


PD: Rama ka projektuar betonizimin e zonës së gjelbër


Deputetja e Partisë Demokratike, Rajmonda Bulku, deklaroi dje se kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, ka projektuar betonizimin e të vetmes zonë të gjelbër që ende nuk është shkatërruar afër Liqenit të Tiranës. "Për përfitime marramendëse personale që kanë kaluar dhe po kalojnë në xhepin e Edvin Ramës, ai ka përfshirë për të betonuar një sipërfaqe prej 130 mijë m2, në zonën më të bukur", akuzoi deputetja demokrate.


Sipas saj, intensiteti i ndërtimeve që zoti Rama ka parashikuar, ndër më të lartat e imagjinueshme, është mostra e fundit prej betoni që Mister 20% ka ideuar. Deputetja e grupit parlamentar demokrat deklaroi se nga këto ndërtime mbi 90% i janë dhënë klanit të njerëzve më të afërt të Kryetarit të Bashkisë.


***********************************


Bashkia e Tiranës: Rezultatet tona veprojnë mazhorancën

Pas akuzave të mazhorancës, i menjëhershëm ishte reagimi nga Bashkia e Tiranës, të cilët bënë të ditur se listës së gjatë të padive dhe kallëzimeve penale i shtohet edhe shtetasja Rajmonda Bulku. Në një prononcim për mediat, zëdhënësi i Bashkisë, Florion Serjani, deklaroi se "puna e Bashkisë së Tiranës dhe rezultatet e rëndësishme për shndërrimin e kryeqytetit në një metropol të standardeve europiane vazhdojnë të verbojnë partinë e Kryeministrit".


"Të paaftë për të konkurruar përmes punës së ndershme dhe ideve konkrete, të kapur në flagrancë në afera të rënda korruptive, të cilat nuk kanë asnjë mundësi t'i mbulojnë dot, përfaqësuesit e Partisë Demokratike kanë vijuar të bëjnë atë që dinë më mirë dhe që është një fushatë e re shpifjesh e mashtrimesh kundër Bashkisë së Tiranës dhe Kryetarit të saj", reagoi Serjani.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›