Rama: Të arrestuarit për korrupsion janë liruar

Për korrupsionin
Ky është një bilanc i të gjitha rasteve që mund të konsiderohen raste të çuarjes para drejtësisë për shkak korrupsionin të zyrtarëve në një nivel të lartë. Më lart s'ka, më poshtë ka, ndoshta më shumë, por që në fakt paguajnë haraçin e të qenit në periferinë e mbretërisë së korrupsionit.
Për fletët
Kjo është një çështje e thjeshtë e të drejtës kushtetuese, për të cilën kemi folur, rifolur dhe do të vazhdojmë të flasim pa u lodhur, duke nënvizuar faktin e thjeshtë se djegia e fletëve të votimit do të ishte hedhja në erë e çdo ure komunikimi me pushtetin aktual, për çfarëdo arsye dhe në çfarëdo rrethane.
Për transparencën
Ne do të bëjmë një transparencë që nuk është bërë kurrë në 20 vjet, lidhur me administrimin e pasurisë publike dhe me qeverisjen si proces politik i mandatuar nga populli. Në këtë transparencë ne do të nxjerrim në sytë e publikut, padyshim do të zhbëjmë çdo gjë që lidhet me tjetërsimin e pasurisë.
Kryetari i Partisë Socialiste denoncoi dje raste të zyrtarëve të lartë që janë akuzuar për korrupsion dhe janë të lirë
TIRANË- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, denoncoi dje raste të zyrtarëve të shtetit të arrestuar me shumë bujë nga qeveria shqiptare për korrupsion, të cilët rezultojnë të lirë pak kohë pas kapjes së tyre.
Në një bashkëbisedimin me median, kryesocialisti solli rastin, siç e quajti ai, të hipokrizisë së luftës ndaj korrupsionit nga qeveria. Lideri i opozitës komentoi gjithashtu edhe ngjarjen e ndodhur në Himarë, duke vlerësuar se nacionalizmi është streha e fundit e maskarenjve.
Ai refuzoi t'i përgjigjej pyetjes se nëse do të rikandidonte për kreun e Bashkisë së Tiranës. Nga ana tjetër, Rama deklaroi se djegia e fletëve të votimit do të ishte hedhja në erë e çdo ure komunikimi me pushtetin aktual.
Cili është vlerësimi juaj për situatën aktuale politike dhe rastet e korrupsionit të denoncuar nga PS?
Ndër shumë dokumentet dhe faktet e mbledhura ditë pas dite për përmbajtjen e këtij pushteti të korruptuar, unë dëshiroj t'ju njoh sot me një përmbledhje që mua më duket shumë mbresëlënëse mbi "trofetë" e luftës kundër korrupsionit, e asaj lufte të proklamuar si e suksesshme nga ana e qeverisë dhe e materializuar në zyrtarë të lartë, sigurisht me investitorë politikë të çuar sipas pretendimit të kryeministrit dhe të atyre që rëndom në tryezën e qeverisë e bëjnë këtë propagandë, para drejtësisë.
Me lejoni që t'ua numëroj për të pasur thjeshtë një ide mbi hipokrizinë e kësaj lufte dhe mbi faktin e thjeshtë se ky pushtet nuk ka asnjë gjasë ta luftojë korrupsionin, sepse është tanimë shëmbëlltyra e korrupsionit.
Qysh nga viti 2005 e deri tani, ata që konsiderohen si zyrtar të lartë të çuar përpara drejtësisë janë: Kryetari i komunës Golem, pas një dënimi minimal sot është në gjendje të lirë dhe pasuria e tij rezulton e paprekur.
Kryetari i komunës Kashar pas një dënimi minimal sot është në gjendje të lirë dhe pasuria e tij rezulton e paprekur. Zv.ministiri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, i cili u arrestua u akuzua dhe doli nga burgu si i pafajshëm. Aktualisht drejton Dhomën e Tregtisë dhe vendimi i pafajësisë hedh hije të forta dyshimi mbi motivin e arrestimit të tij.
Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të rrugëve, i cili u arrestua, u akuzua e u gjykua dhe sot është i lirë. Drejtori i Drejtorisë së Prokurimeve në Ministrinë e Brendshme, i cili u përgjua, u akuzua, doli nga burgu pas dy muajsh nën arsyetimin se ka sjellje të mirë dhe nuk përbën rrezik largimi. Këshilltari i Ministrit të Ekonomisë u arrestua, u akuzua dhe u nxor nga burgu pas dy muajsh.
Aktualisht rezulton i zhdukur. Pas disa javësh asnjëri nuk është në gjendje të thotë nëse ky njeri është i fshehur apo është tërësisht i zhdukur. Ndërkohë, ende nuk është gjykuar për akuzën e ngritur ndaj tij.
Drejtori i Inspektoratit Teknik në Ministrinë e Ekonomisë, i cili u arrestua, u akuzua, u nxor nga burgu po pas dy muajsh dhe ende nuk është gjykuar për akuzën e ngritur ndaj tij.
Drejtori i Burgut Rrogozhinë u arrestua, u akuzua. Ka dalë nga burgu me motiv arsye shëndetësore, se ka kaluar një të ftohur dhe nuk mbushet mirë me frymë në qeli. Ende nuk është gjykuar për akuzën ndaj tij.
Ky është një bilanc i të gjitha rasteve që mund të konsiderohen raste të çuarjes para drejtësisë për shkak korrupsionin të zyrtarëve në një nivel të lartë. Më lart s'ka, më poshtë ka, ndoshta më shumë, por që në fakt paguajnë haraçin e të qenit në periferinë e mbretërisë së korrupsionit.
Për zyrtarët që duhen hetuar fajësoni qeverinë apo organet e drejtësisë?
Sigurisht që ka një kompleksitet arsyesh problematika e rëndë e korrupsionit, që ka për gjenerator qeverinë që nuk qeveris, por që funksionon si një bashkëpunim interesash private, në dëm të interesit publik dhe që ka dobësuar të tërë sistemin e organizimit të shtetit tonë. Pra, korrupsioni.
Në paraqitjen që bëra për të sjellë një shembull të thjeshtë desha të nënvizoj sesa shterp që është propaganda e sukseseve në luftën kundër korrupsionit, njëkohësisht të vë gishtin në plagën e madhe të korrupsionit, duke theksuar se edhe vetë lufta kundër korrupsionit që bën kjo qeveri është në fakt pjesë e korrupsionit mbi të cilin ajo ngrihet.
Që do të thotë se në këto goditje ka shumë hije të rënda dyshimi dhe njëkohësisht se presioni i pushtetit politik mbi pushtetin gjyqësor e ka gjunjëzuar drejtësinë. Jo më kot ne kemi folur për një krizë të rëndë të demokracisë, të shtetit të së drejtës dhe të ekonomisë.
Çfarë do të bëhet me fletët e votimit, pasi ekspertë kanë thënë ditët e fundit, që me dekretimin e datës së zgjedhjeve lokale nga Presidenti duhet të digjen fletët e votimit?
Ju dëgjoni vetëm njërën anë kur bëhet fjalë për këta ekspertë, sepse siç ka pasur ekspertë që kanë thënë këtë gjë, ka pasur dhe ekspertë që kanë thënë të kundërtën. Kjo nuk është një çështje ekspertësh, por është një çështje e thjeshtë e të drejtës kushtetuese për të cilën kemi folur, rifolur dhe do të vazhdojmë të flasim pa u lodhur, duke nënvizuar faktin e thjeshtë se djegia e fletëve të votimit do të ishte hedhja në erë e çdo ure komunikimi me pushtetin aktual, për çfarëdo arsye dhe në çfarëdo rrethane. Gjë që do ta thellonte në mënyrë eksponenciale krizën.
Për sa i përket situatës politike në vend, a do të sjelli PS në muajin shtator propozime të reja, apo palët do të vazhdojnë të rrinë në këto pozicione që janë aktualisht, në lidhje me zgjidhjen e situatës politike?
Qëndrimi i PS lidhur me këtë çështje është publik, s'kam asgjë për të shtuar lidhur me këtë. Cili është qëndrimi i PS për ngjarjen që ndodhi pak ditë më parë në Himarë?
Pa as më të voglin dyshim edhe në këtë rast, si në çdo rast tjetër, ne i qëndrojmë parimit të besnikërisë ndaj të vërtetës, përpara sesa parimit të besnikërisë ndaj partisë.
Dua të them me këtë që ne nuk politizojmë dhe nuk abuzojmë me asnjë çështje ku e vërteta është gjëja më e rëndësishme dhe ku pa dalë e vërteta, çdo gjë tjetër, nuk është gjë tjetër veçse tym që pengon nxjerrjen e së vërtetës qetësisht.
Të gjithë atyre, të cilët guxojnë ta tregojnë PS si të pavendosur në trajtimin e çështjeve që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me shprehje të mëdha, ose simbolike të interesit kombëtar, unë u kujtoj se është vetëm falë kurajës së PS që sot Shqipëria nuk e ka humbur një copë të territorit të saj. Kur ishte momenti për të mbrojtur interesin kombëtar, ne treguam se për ne interesi kombëtar është i shenjtë dhe se ai mbrohet me forcën e vullnetit dhe me kurajën e veprimit.
Nacionalizmi është streha e fundit e maskarenjve, thuhet në një fjalë të madhe. Patriotizmi është ajo që i çon kombet dhe vendet përpara. Është falë patriotizmit që kombet dhe vendet përparojnë.Gjatë përgjigjes së pyetjes thatë se kur të vinit në pushtet do të zhbënit atë që është bërë.
Doja që të ma sqaronit, do të thotë që ju do të anuloni koncesionet që janë dhënë, sipas jush me të padrejtë për këdo?
Kjo është një bisedë më vete, por e rëndësishme është që ne do të bëjmë një transparencë që nuk është bërë kurrë në 20 vjet, lidhur me administrimin e pasurisë publike dhe me qeverisjen si proces politik i mandatuar nga populli.
Në këtë transparencë ne do të nxjerrim në sytë e publikut, në një formë sa më të plotë, gjithçka, e padyshim do të zhbëjmë çdo gjë që lidhet me tjetërsimin e pasurisë në dëm të interesit publik dhe në funksion të interesit privat, në kuptimin e dëmit.
Kur them në kuptimin e dëmit, këtu ka eksperienca të plota botërore për mënyrën sesi vendet ringrihen dhe sesi popujt rimarrin rrugën e mirëqenies dhe të zhvillimit harmonik, pas periudhash të tillash të zymta kur asfiksohen nën pushtetin e korrupsionit.
Dje kanë akuzuar Bashkinë e Tiranës se ka në plan një zonë ndërtimi. A është në projekt apo jo?
Dëshiroj që dashamirësisht të kujtoj se kjo është një lojë. Është një lojë në të cilën pushteti kërkon të tërheqë vijimësisht opinionin publik, duke mos u përgjigjur kurrë për atë çka ka të bëjë drejtpërdrejtë me përgjegjësinë e vet dhe duke u përpjekur vijimësisht që ta zhvendosë vëmendjen drejt një teme që tanimë është e dalë boje si s'ka më keq, tema e të ashtuquajturave, leje të ndërtimit.
Temë, për të cilën ne kemi fituar çdo proces deri në Gjykatën Kushtetuese dhe temë mbi të cilën është ngritur një mal akuzash për të penguar njerëzit që të fokusohen tek përgjegjësitë e vërteta dhe tek përgjegjësit e vërtetë.
Nuk ka asgjë më të keqe, e asgjë më kohë humbëse sesa kjo lojë, për të gjithë opinionin publik. Në ndërkohë ne i jemi përgjigjur të gjitha këtyre akuzave në mënyrën më të drejtë, më të thjeshtë dhe njëkohësisht më efektive, duke i kthyer menjëherë në padi penale dhe civile.
Meqenëse zgjedhjet lokale janë afër, ju do të rikandidoni për Kryetar Bashkie apo nuk e keni vendosur ende?
Është një çështje që nuk është e ditës, aq më tepër që nuk jemi në fillimin e plotë të sezonit të ri politik, jemi në prag të tij. Ky bashkëbisedim mu duk i vlefshëm për të bërë disa nënvizime që lidhen me një situatë në këtë prag sezoni të ri politik dhe për të venë theksin tek ajo që është më kryesorja, gjendja e ekonomisë dhe ekonomia sot si shprehje e krizës së qeverisjes.
Sigurisht pa asnjë dyshim si degradim i një procesi politik, i cili është tjetërsuar tërësisht pas zgjedhjeve të 28 qershorit, ku pasi u vodhën votat, u hap një fazë e panjohur më parë e korruptimit të të gjithë sistemit të organizmit shtetëror dhe e përshkallëzimit të korrupsionit si babëzi dhe përfitim i paskrupullt në dëm të interesit publik.
Rastet e zyrtarëve të denoncuar nga kryesocialisti
Kryetari i komunës Golem, Demir Lika
Kryetari i komunës Kashar,
Alfred Sulaj, kryetar i komunës Kashar, Tiranë
Faik Fejza, ish-kryetar i komunës Kashar, Tiranë 2003-2007
Naim Karaj, ish-kryetar i komunës Kashar, Tiranë 2000-2003
Zëvendësministri i Punëve Publike Transportit dhe Telekomunikacionit, Nikolin Jaka
Drejtori i Përgjithshëm i Rrugëve, Ilirian Berzani
Drejtori i Drejtorisë së Prokurimeve në Ministrinë e Brendshme, Bujar Murati
Këshilltari i ministrit të Ekonomisë, Eduard Belegu
Drejtori i Inspektoratit teknik në Ministrinë e Ekonomisë Virgjil Joti
Drejtori i burgut të Rrogozhinës, Pajtim Murrja