E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biberaj: Topi më propozoi të 4-in në Tiranë, refuzova, doja vendin e 2-të

TIRANE - Aleksandër Biberaj nënkryetar i FRD-së zbardhi dje arsyet e vërteta të ndarjes me kreun e FRD-së Bamir Topi, që sipas tij kanë për shkak pozicionin që i është dhënë në listën e kandidatëve. Biberaj shkruan në “Facebook”, se atij i është dhënë vendi i katërt në listën e Tiranës, por e ka kundërshtuar atë me argumentin se si themelues i FRD-në i takonte vendi i dytë. “Në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për ju, po ju sqaroj të vërtetën time lidhur me listën e kandidatëve të FRD. Është e vërtetë se kryetari i partisë më ka propozuar të kryesoj listën në qarqet e Kukësit, të Korçës ose të Fierit. Unë nuk e kam pranuar, sepse kjo bie ndesh me parimet e mia për të bërë politikë.

Në këto zgjedhje, ku FRD merr pjesë për herë të parë, listat e qarqeve, sipas gjykimit tim, duhet t’i kryesojnë përfaqësuesit më të denjë të qarqeve që ngritën degët e FRD-së nëpër qarqe. Ata e kanë meritën para komunitetit, ata duhet të kenë edhe shansin për të bërë garën. Unë besoj thellësisht se demokracia brenda partisë duhet të mbështetet mbi meritokracinë. Do të ishte e pandershme nga ana ime të vija “nga lart” e t’i shtyja me bërrylat e nënkryetarit të partisë. Për të gjitha arsyet e njohura, unë kërkova të isha në listën e Tiranës. Duke njohur prioritetin e kryetarit të partisë, unë gjykova dhe vazhdoj të besoj se kisha të drejtë të merrja vendin e dytë. M’u ofrua vendi i katërt. Mua më takonte të respektoja veten. Sepse, pa respektuar veten, nuk do të mund t’u respektoj as ju. Pa modesti të shtirur, unë gjykoj se vendi im në atë listë duhej të ishte fill pas kryetarit, ose fare, siç edhe ndodhi. Gjej rastin t’i siguroj të gjithë ata që kanë shprehur besim dhe simpati për mua, se karriera ime politike nuk është mbyllur. Unë besoj se rruga e gjatë në politikë bëhet duke u mbështetur në parime të shëndosha e jo në lojëra të vogla”, - shkruan z.Biberaj në ‘FB’.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›