E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkarkohet zv/ministri: Si më hoqi Mediu me 1 mesazh në telefon

TIRANE - I shkarkuar nga posti i zv/ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Dashnor Bajaziti bën përgjegjës direkt kreun e PR-së, Fatmir Mediu për largimin pas 4 vitesh nga ky post. Bajaziti në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” tha dje se dy muaj më parë për shkak të z.Mediu është larguar nga PR-ja dhe funksionet partiake, i cili sipas tij gjeti momentin ta shkarkonte pikërisht në kohë të fushatës elektorale. Bajaziti, i cili përfaqësonte PR-në në Ministrinë e Kulturës tregon se Mediu ia kërkoi para tre javësh përmes një sms-je dorëheqjen nga posti i zv/ministrit, ndërkohë që vendimi për shkarkimin u mor vetëm në mbledhjen e fundit të qeverisë. Ndërkohë Salih Tagani është emri që zëvendëson Dashnor Bajazitin në këtë post.
Z.Bajaziti, cila është arsyeja e shkarkimit tuaj nga posti i zv/ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve?
Po është e vërtetë që jam shkarkuar nga detyra që mbaja prej vitit 2009 dhe jam shkarkuar nga Fatmir Mediu dhe pikërisht në kohën e fushatës elektorale.
Kush ua komunikoi shkarkimin nga detyra?
Vendimi për shkarkimin nuk më është bërë as nga ministri, por nga të tjerë duke më thënë se me vendim të Këshillit të Ministrave ju do të zëvendësoheni në këtë post. Por jam i sigurtë se pas shkarkimit tim qëndron Fatmir Mediu.
Pse duhet t’ju shkarkonte z.Mediu?
Para tre javësh, Mediu më ka çuar një sms përmes të cilit më ka kërkuar dorëheqjen nga posti i zv/ministrit. Vendimi u mor dje (pardje) nga Këshilli i Ministrave, por shkarkimi im është bërë me kërkesë të Fatmir Mediut.
Çfarë ju shkruante në sms?
Në mesazh me shkruante: Ju bëj me dije se pas largimit tuaj nga PR-ja do t’ju shkarkoj nga detyra....
Pse jeni larguar nga PR-ja?
Unë kam qenë anëtar i kryesisë së PR-së dhe nuk kam dashur të largohem nga PR-ja. Jam larguar për shkak të emrit të Fatmir Mediut para dy muajsh. Unë u largova nga partia e Fatmir Mediut.
Postin e zv/ministrit e keni marrë si përfaqësues i PR-së?
Postin e zv/ministrit e kam marrë në vitin 2009 pikërisht sipas marrëveshjes PD-PR, por Fatmir Mediu nuk iu përmbajt marrëveshjes që kishim.
Çfarë marrëveshje kishit me z.Mediu?
Kishim marrëveshje që nga zgjedhjet e 2009-ës dhe sipas saj njëri nga ne duhej të ishte ministër dhe tjetri deputet. Unë tolerova për pozicionin e vështirë që ndodhej Fatmiri atë kohë. Ju si gazetare e kujtoni më mirë atë situatë. Nuk mund të toleroja që në zgjedhjet e 2013-ës të sakrifikohesha akoma për Fatmir Mediun.
Dhe kur u larguat nga PR-ja?
Ka dy muaj që jam larguar nga PR-ja. Nuk dhashë dorëheqjen pasi atë kohë ndodhi ndryshimi i koalicionit PD-LSI dhe nuk e pashë të arsyeshme dorëheqjen në atë kohë. Këto 4 vite që kam punuar si zëvendësministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve jam përpjekur të bëj punën time në mënyrën më korrekte. Falenderoj kryeministrin Berisha për besimin dhe vlerësimin tim, njëherësh falenderoj edhe federatat sportive dhe komitetin olimpik.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›