E Diel, 1 Nëntor 2026

Biberaj në Strasburg: Asnjë lidhje mes Kaukazit dhe Ballkanit

Strasburg, 2 tetor 10:58 NOA – Kryetari i Delegacionit Parlamentar shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Aleksandër Biberaj, deklaroi në Strasburg se mes dukurisë “Kaukaz” ku nënkuptohen dy republikat separatiste dhe “Ballkanit” që aludohet Kosova, nuk ka asnjë lidhje paralele.

Njëkohësisht zv.President i kësaj Asambleje, deputeti i Partisë Demokratike Aleksandër Biberaj, është duke marrë pjesë në punimet e Sesionit të Vjeshtës të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Sesioni, po i zhvillon punimet në Strasburg që nga data 29 shtator dhe vazhdon deri nesër më 3 tetor.

I pranishëm në debatin mbi sigurinë në Evropë, si dhe situatën e krijuar Rusi-Gjeorgji, Biberaj theksoi se nuk ka asnjë ngjashmëri ndërmjet Kosovës dhe Osetisë së Jugut. "Kosova u bë e pavarur pas 9 vjet negociatash dhe pas 9 vjet administrimi nga Kombet e Bashkuara", u shpreh Biberaj.

Në këtë drejtim, ai përmendi faktin se NATO ndërhyri në Kosovë në vitin 1999, pas gjenocidit dhe spastrimit etnik të kryer nga ushtria serbe ndaj kosovarëve.

Kjo, sipas tij, ishte ndërhyrje ndërkombëtare në emër të parimeve demokratike dhe të vlerave njerëzore, ndërkohë që ushtria ruse ka okupuar nje pjesë të territorit të një vendi tjetër sovran.

"Kosova deri tani është njohur nga 46 vende, shumica e të cilave janë vende anëtare të BE-së dhe KE-së, ndërkohë që Osetia e Jugur, ndonëse kishte shpallur pavarësinë që në vitin 1991 është njohur tani vetëm nga Rusia dhe Nikaragua", nënvizoi Biberaj.

Në përfundim, Biberaj u ka bërë thirrje kolegëve evropianë për të marrë përgjegjësitë, si dhe për të vepruar në mënyrë urgjente, me qëllim arritjen e paqes në këtë rajon, si dhe kthimin e normalitetit.

k.e/NOA

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›