E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha deklaron se nëse humb zgjedhjet do të mbajë përgjegjësi

Tiranë 2 tetor 22:56 NOA – Kryeministri Sali Berisha deklaroi sonte gjatë një interviste të drejtpërdrejtë televizive, se do të mbante të gjitha përgjegjësitë në se forca politike që ai drejton do të humbte zgjedhjet e ardhshme.

“Humbjen do t’ia atribuoja një personi që është Sali Berisha”, - deklaroi kryeministri.

Menjëherë më pas, ai shtoi: “Mund t’iu them qytetarëve se ekziston integriteti moral tek unë. Të jenë të sigurt që do të mbaj përgjegjësitë që më takojnë”.

Ndërsa menjëherë më pas tha: “Por mund të them se humbja ime është e largët”.

Kryeministri ishte i ftuar sot në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, në televizionin Klan, përballë një paneli gazetarësh ku i dha përgjigje edhe pyetjeve të disa studentëve të ftuar si dhe mesazheve të lexuesve.

Në intervistë, Berisha për herë të parë pas disa vitesh, riktheu batutat ndaj Fatos Nanos ndaj të cilit kishte heshtur ta atakonte në çdo dalje publike, duke sulmuar vetëm Edi Ramën.

I pyetur në panel nëse do të bashkëpunonte me Fatos Nanon, Berisha u përgjigj: “Po ku është ai, ku ta gjej”.

Në fund të intervistës, Berisha premtoi publikisht se kurrë nuk do të shkruajë një libër kujtimesh, sikundër kanë bërë shumë politikanë shqiptarë dhe nga vende të tjera të botës.

“Rrezikoj të mos jem i saktë në kujtime ndaj kam vendosur të mos shkruaj asnjëherë, sepse në kujtime kam konstatuar se shpesh janë shkruar përralla”, deklaroi Berisha.

k.e/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›