E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biçoku: Plani urbanistik i Ramës ishte antikushtetues

09/08/2011  Ish-anëtari i KRRT-së thekson se plani i Ramës nuk zgjidhte çështjen e pronësisë

Për ish-anëtarin e KRRT-së së Tiranës Marin Biçoku plani urbanistik i përgatitur nga administrata e Bashkisë së Tiranës nën drejtimin e Edi Ramës ishte antikushtetues. Sipas tij, plani i Ramës ndër të tjera nuk zgjidhte të drejtën e pronës, duke sjellë dhe bllokimin e investimeve në kryeqytet. “Plani i përgjithshëm në versionin ‘Rama’ binte ndesh me Kushtetutën e vendit, pasi nuk zgjidhte të drejtën e pronës, çelës për thithjen e investimeve”, - u shpreh dje Biçoku në një prononcim për mediet. Në argumentimin e tij ish-specialisti në Ministrinë e Transporteve deklaroi se marrëveshja e arritur mes Bashkisë së Tiranës dhe KRRT-së në atë kohë ishte një kompromis politik. “Plani i përgjithshëm urbanistik i Tiranës i përgatitur nga administrata ‘Rama’ dhe i kaluar për hir të kompromisit politik në KRRT-në e Tiranës që në atë kohë u rekomandua nga zyrtarët e qeverisë që të zgjidhte disa problematika kyçe, përndryshe ai nuk do të mund të shihte dritën e miratimit në KRRTRSH-së”, - tha Marin Biçoku.

Sugjerimi

Plani i përgjithshëm urbanistik i Tiranës, i munguar prej 11 vjetësh nga Rama, është premtuar nga kryebashkiaku Basha për të përfunduar brenda një viti. Për këtë Biçoku ka dhe një sugjerim për kryebashkiakun Basha se “plani duhet të koordinojë interesin publik me pronarët dhe investitorët, duke ruajtur dhe atë trashëgimi kulturore që ka mbetur”. Në këtë pikëpamje, Biçoku vijoi se “gjithçka duhet të vijë në përshtatje me terminologjinë ligjore, që nuk e kishte projektplani i Edi Ramës, i cili nuk përshtatej as me ligjin e vjetër dhe as me atë të ri urbanistik”. Në përfundim të prononcimit të tij Biçoku e shikon kryeqytetin si një pjesë të pandashme me komunat përreth tij. “Kryeqyteti nuk mund të konsiderohet i shkëputur nga fqinjët përreth, siç ndodhte me projektin e Ramës.” Kjo sipas Biçokut duhet të jetë një tjetër element që duhet të rishihet në projektplanin e përgjithshëm të Tiranës, e cila nuk mund të zhvillohet pa një bashkëpunim të ngushtë me njësitë vendore në kufijtë e saj, sa ç’është e vërtetë dhe situata e anasjelltë për komunat.

Plani i ri urbanistik

Plani i përgjithshëm urbanistik i Tiranës, sipas premtimit të kryebashkiakut Basha, pritet të përfundojë brenda një viti. Por nga ekspertët e territorit ai konsiderohet si problemi kryesor i kaosit urban dhe trafikut në kryeqytet. Sipas tyre, gjithçka ka ardhur për shkak të filozofisë së zhvillimit pjesor, siç është dhe plani i qendrës apo aktualisht ai i sheshit “Skënderbej”, i cili është një tjetër plan që po rishikohet nga grupi i punës në bashki. Siç ka deklaruar kryebashkiaku Basha, qendra e ndërtuar në këtë mënyrë nuk do të zgjidhte çështjet e përditshme të qytetarëve dhe vizitorëve të Tiranës, parkingun dhe trafikun, që sa vjen e rëndohet, probleme që në të vërtetë shkaktojnë jo vetëm stres, por mbi të gjitha shtrenjtojnë koston e tyre të jetesës. “Për këtë arsye unë do të nis menjëherë punën për ç’ka kam hartuar edhe një program ambicioz për 100 ditët e para të qeverisjes, nga i cili do të veçoja nisjen e procesit të përgatitjes dhe konsultimit të planit urbanistik të qytetit dhe ndërhyrjet e para urbane, zgjidhjen e çështjes së trafikut në qendrën e Tiranës, adoptimin dhe zbatimin e masave për mundësimin e hipotekimit të banesave të pahipotekuara, hedhjen e bazave për një sistem të ri të financave të bashkisë, që bazohet tek taksat dhe tarifat e reduktuara, shpenzime produktive dhe transparent”, - ka deklaruar Basha para anëtarëve të Këshillit Bashkiak të Tiranës, në ditën e marrjes së mandatit të tij 4-vjeçar si kryetar i bashkisë më të madhe në vend.

Plani i punës për 100 ditët e para

Basha: Ja prioritet e mia për rregullimin e Tiranës

Në mesazhin e tij drejtuar qytetarëve kryebashkiaku Lulzim Basha ka detajuar edhe planin e punës që do të ndiqet nga administrata në 100 ditët e para të qeverisjes për zhvillimin dhe përmirësimin e imazhit të kryeqytetit. “Për 100 ditët e para të qeverisjes do të veçoja: ngritjen e strukturave të posaçme për mbrojtjen e konsumatorit; nxitjen e investimeve, të biznesit, të punësimit si dhe të strukturave që garantojnë konsultim të vazhdueshëm me qytetarët dhe grupet e interesit; nisjen e procesit të përgatitjes dhe konsultimit të planit urbanistik të qytetit dhe ndërhyrjet e para urbane; zgjidhjen e çështjes së trafikut në qendrën e Tiranës; adoptimin dhe zbatimin e masave për mundësimin e hipotekimit të banesave të pahipotekuara; hedhjen e bazave për një sistem të ri të financave të bashkisë, që bazohet tek taksat dhe tarifat e reduktuara, shpenzime produktive dhe transparent”, - ka deklaruar Basha në ditën e betimit të tij si kryebashkiak i Tiranës. Më tej ai ka shtuar se nga administrata e tij do të punohet edhe për eliminimin e 60 llojeve të taksave dhe tarifave. Po në këtë linjë, do të punohet edhe për emetimin e kartës së studentit me tarifa zero ose të reduktuara lidhur me shërbimet bashkiake që ata duhet të përfitojnë. “Do të punohet për përgatitjen e platformës së decentralizimit të kompetencave dhe burimeve drejt njësive bashkiake dhe përfaqësive të komuniteteve të lagjeve. Në planin e punës është përcaktuar dhe ngritja e parqeve dhe shkollave, shtrimi i rrugëve dhe trotuareve. Prioritare do të jetë dhe ndërtimi i unazës së madhe dhe tramvajit, që do të ndihmojnë në eliminimin e trafikut të rënduar në kryeqytet. Do të zhvillohet më tej prona private si dhe rritja e mundësive të strehimit”, - ka thënë Basha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›