E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjunkshi në krye të FA-ve, zëvendëson Malajn

09/08/2011  Presidenti Topi emëron shefin e ri të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura

“Prioritet reformimi dhe modernizimi i FA në të gjitha nivelet e aspektet operacionale”

Paraditen e djeshme u largua nga drejtimi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura gjeneralmajor Maksim Malaj dhe në vend të tij në këtë detyrë u emërua gjeneralbrigade Xhemal Gjunkshi. Në një ceremoni të zhvilluar në Presidencë, ku ishte i pranishëm edhe ministri i Mbrojtjes Arben Imami, gjeneral Malaj vlerësoi rolin e Forcave të Armatosura në tre vjetët e drejtimit prej tij. “Ju po merrni detyrën e rëndësishme të shefit të Shtabit të Përgjithshëm në një periudhë kur Forcat e Armatosura kanë bërë hapa shumë të mëdhenj përpara drejt plotësimit të mëtejshëm të standardeve të larta të Aleancës. Me gjithë arritjet, unë mendoj se ka ende shumë punë. Duke u mbështetur tek ushtarakët tanë dinjitozë dhe të talentuar, jam i bindur se ju do të arrini të realizoni angazhimet dhe detyrimet kushtetuese që kanë Forcat e Armatosura ndaj atdheut dhe aleatëve”, - tha ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Maksim Malaj. Ndërsa shefi i ri i Shtabit të Forcave të Armatosura, gjeneral Gjunkshi, e cilësoi reformimin dhe modernizimin si prioritete gjatë detyrës së tij. “Prioritet do të jetë rishikimi i dokumenteve strategjike, ligjore e doktrinale në përputhje me stadin dhe përgjegjësitë e Forcave të Armatosura, reformimi dhe modernizimi i Forcave të Armatosura në të gjitha nivelet e aspektet operacionale, arsimore, logjistike e stërvitore. Do të përshpejtohet procesi i eliminimit të municioneve të tepërta dhe krijimi i një infrastrukture moderne dhe të përshtatshme për stërvitjen. Do të thellohet bashkëpunimi me institucionet e pushtetit qendror dhe atij lokal për të përballuar situatat e mundshme të emergjencave civile si dhe të gjitha detyrat e tjera në funksion të Forcave të Armatosura”, - tha Gjunkshi.

Falënderimi i Topit

Kreu i shtetit falënderoi gjeneral Malajn për kontributin e tij në pozicionin e shefit të Shtabit të FA-ve “në një periudhë që është shënuar me germa të arta në historinë e Shqipërisë e ushtrisë shqiptare, në periudhën kur Shqipëria u bë anëtare e aleancës më të madhe të paqes dhe sigurisë në botë, NATO-s, në një periudhë kur ushtria shqiptare ka bërë një progres të jashtëzakonshëm dhe është drejtuar në një mënyrë profesionale”, - u shpreh Presidenti Topi.

Zgjedhjet në komunën Shalë

PS: Të rivotohet, ne zbatojmë ligjin

Dega e Partisë Socialiste në komunën Shalë në rrethin e Shkodrës ka hedhur dje poshtë akuzat se përfaqësues të saj kanë penguar zhvillimin e zgjedhjeve. Duke akuzuar se kriminelët po pengojnë realisht zgjedhjet në Shalë, ata bëjnë thirrje për zhvillimin sa më shpejt dhe në mënyre korrekte të zgjedhjeve në komunën e vetme ku nuk janë zhvilluar ende zgjedhjet e 8 majit. “Kërkojmë që radhën që vjen të votohet ndershmërisht në Theth. Në zgjedhje të përfaqësohen të dyja palët, të dyja subjektet dhe le të fitojë më i miri, ai që ka punuar më shumë e më mirë për Thethin. Radhën tjetër të mos vihet me policë, me komisionerë nga Tirana, komisionerë që sillen nga Italia në Theth, por të përfaqësohet Thethi dhe gjithë Shala me përfaqësuesit e saj, ashtu siç është përfaqësuar këtu e 20 vjet. Bëjmë thirrje për zgjedhje që sjellin zgjidhje. Që në fillim kemi pasur probleme me listat e zgjedhësve. Të ruajmë gjakftohtësinë, e drejta do të vijë. Policia dhe prokuroria të mos lejojnë kriminelë rrugësh, se këtyre u ka ikur koha të drejtojnë popullin e Shalës. Ne duam vetëm zbatim të ligjit, ashtu si gjithë populli shqiptar, kjo është më e mira”, - u shprehën dje përfaqësues të PS-së në Shalë. Në zgjedhjet e pjesshme që u zhvilluan të dielën e 31 korrikut nga 9 komuna vetëm në Shalë nuk u arrit të votohej për të zgjedhurin vendor të zonës.

Zgjedhjet e 31 korrikut

KQZ zëvendëson sot komisionerët e PS-së në komunën Shalë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të bëjë sot konstituimin e komisionerëve të komunës Shalë në Shkodër. Komisionerët e Partisë Socialiste do të zëvendësohen nga komisionerët e KQZ-së të marrë nga radhët e shoqërisë civile. Vendimi i KQZ-së do të merret sot për shkak të anulimit të zgjedhjeve më 31 korrik, ku 2000 banorë nuk arritën të shprehnin dot vullnetin e tyre. Në komunën Shalë procesi i votimit u anulua për shkak se materialet zgjedhore mbërritën gjashtë orë me vonesë nga orari zyrtar në qendrat e votimit të kësaj komune. Komisionerët e KZAZ-së së Shkodrës e argumentuan anulimin e procesit me faktin se komisionerët nuk plotësonin kriteret. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e cilësoi moszhvillimin e zgjedhjeve në këtë komunë si një akt të rëndë, duke paralajmëruar se do të ketë rivotim në një kohë tjetër. Pasi akuzoi PS-në si shkaktare të prishjes së procesit zgjedhor, KQZ-ja vendosi që zgjedhjet të përsëriten në këtë komunë, duke i shpallur të pavlefshme. Zëdhënësi i KQZ-së dënoi aktin e moszhvillimit të zgjedhjeve në komunën Shalë të Shkodrës, duke deklaruar se zgjedhjet në këtë komunë u dëmtuan qëllimisht. Ai përshëndeti kapjen e pesë personave që dëmtuan zgjedhjet në komunën më problematike të 8 majit, duke deklaruar se KQZ-ja nuk do të lejojë asnjë krim elektoral si ai më i fundit në Shalë, ku u pengua qëllimisht zgjedhja e kryetarit të komunës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›